Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një foto-dokumentim realiteti në kohë izolimi e vetërrezikimi

Maj 5, 2020

Si fotoreporter tash e 20 vite, në punën time të përditshme kam gjetur gjithmonë vështirësi por edhe kënaqësi dhe besoj se ushtrimi i secilit profesion i ngërthen në vete këto dy ndjenja. Megjithatë, pasioni dhe profesioni im janë fotografia dhe shkrepja e fokusit në momentin e duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur dhe tash e disa dekada ky ka qenë pikërisht synimi im, që realiteti të dokumentohet me anë të punës sime, qoftë mediale apo dhe asaj artistike.

Në këto ditë pandemie, megjithatë, puna ime është në mes të dy polarizimeve: është bërë më vështirë të funksionoj si fotografe, ndërsa janë bërë ende më reale dhe më të fuqishme fotografitë e mia. 

Sheshi kryesor i Prishtinës “në pushim pandemie”

Zgjohem në mëngjes dhe prej momentit kur e marr aparatin në dorë, e di se detyra ime është faktikja – fotografia e cila e tregon realitetin e Kosovës. Ka rëndësi kur rrugët janë të zbrazura shkaku i orës policore, ka rëndësi kur qytetarët e manifestojnë edhe në rrugë por edhe në ballkonet e tyre ballafaqimin me këto ditë, ka rëndësi edhe se si kafshët në rrugë reagojnë ndaj izolimit njerëzor, mbi të gjitha si fotografe – për mua ka vlerë secili aspekt i jetës që preket nga këto ditë të përhapjes së një pandemie që e ka goditur mbarë botën.

Për dallim nga të tjerët, çdo hap i imi duhet të jetë i kujdesshëm, sepse unë mund të jem kudo ku mund të jetojë një fotografi që nuk është shkrepur më herët. Nëse nisem drejt Qendrës Infektive në Prishtinë, e di se do të bëhem e fortë emocionalisht, do të shtangem prej pamjeve apo prej asaj çka shoh unë dhe aparati im, por do të jap çdo ditë maksimumin tim që njerëzit ta kuptojnë të vërtetën, përmes fuqisë së fotografisë. Me këtë angazhim shtohet edhe rreziku im, sepse po flasim për një virus ngjitës, por falë masave që i marr për veten dhe shëndetin tim, dua që bashkë me higjienën time të rritet edhe entuziazmi im për punën, për realizimin e imazheve që do të mbesin si dëshmi e një kohe të çuditshme për vendin tonë.

Qendra e Studentëve merr rolin e karantinës

Gjatë pandemisë, prej kur filloi, puna ime si fotografe ka vazhduar, herë si profesion dhe herë si dëshirë për të fotografuar momente nga ambiente të ndryshme. Shpesh, kam fotografuar Prishtinën e harruar, shpesh edhe oborret e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ku edhe mund ta marr veten pas konferencave dhe pas fotografive më të rënduara, shpesh fotografoj homazhe që i bëhen artistëve që vdesin në këto ditë pandemie – të harruar nga shoqëria por edhe me fajin e situatës, e shpesh fotografoj edhe çaste të natyrës politike – politikanë që dalin me deklarata rreth zhvillimeve në Kosovë.

Mesha në kohë izolimi – Katedralja “Nënë Tereze”

Në Kosovë, asnjëherë si këto javët e fundit nuk ka qenë më e rëndësishme të kontribuosh me anë të fotografisë, të ndihmosh me anë të dokumentimit dhe ta pasurosh një arkivë që nuk do të na mungojë viteve të ardhshme, për gjeneratat tjera. Dikur, pasi kam përfunduar aktivitetet e ditës dhe punën time si fotografe profesionale, kthehem në redaksinë ku punoj dhe përkujdesem që nga qindra fotografitë që realizoj gjatë ditës, të përzgjedhi vetëm ato më të fuqishmet, ato që kanë fjalë prapa atyre, ato që thonë diçka dhe përçojnë emocione e humanitet.

Dezinfektimi i qytetarëve – Mitrovicë

Në fund të ditës, gjatë pandemisë vazhdoj të jem e njëjta fotografe por me një kujdes më të shtuar dhe me një përgjegjësi edhe më të madhe në secilin hap të punës sime. Gjatë javëve të fundit kam udhëtuar edhe jashtë Prishtinës, kam qenë në ambiente ku nuk rekomandohet të shkoj, por këtë e kam bërë për ta dërguar në fund shenjtërinë e profesionit tim si fotografe, dokumentimin dhe krijimin e kronikave fotografike që do të jenë referencë për të ardhmen.

Për autorin/en:

Laura Hasani

(Laura Hasani punon fotoreportere në gazetën e përditshme Zeri. Qysh se gjatë periudhës së luftës ka bashkëpunuar me media ndërkombetare dhe prej vitit 1998 filloi të punojë në Zeri javor edhe pas luftës vazhdoi me gazeten Zeri ditor, me të njejtën profesion. Në vitin 2001 Laura ka hapur ekspozitën me fotografi të luftës në Bern të Zvicrës.  Gjatë vitete 2003-2004 bashkëpunoi me Agjencinë e lajmeve Reuters ku edhe sot e kësaj dite vazhdon bashkëpunimi me këtë agjenci.)

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM