Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gazetarët (nuk) cenuan privatësinë e personave të prekur me Covid19

Qer 29, 2020

Pasditja e 13 marsit ndryshoi agjendën e qindra gazetarëve në Kosovë.

Temat që ishin planifikuar të trajtoheshin me fillimin e pranverës, e çështjet e tjera politike në vend u shtynë për një afat të pacaktuar. Kryetemë në mbledhjet ditore në të gjitha mediumet ishte Covid 19.

Diçka e re, misterioze edhe për vet ekspertët e mjekësisë, ndërsa krahas tyre në fronin e parë gjendeshin edhe gazetarët.

Ata veç  frikës së mund të infektoheshin me Covid 19 dhe të ishin bartës potencial të virusit tek familjet dhe shoqëria, e sfidës për raportuar në kohë reale, duhet të merrnin sa më shumë informacione nga sa më shumë njerëz në institucionet shëndetësore brenda vendit, e të përcillnin çdo ndryshim në vendet ku epidemia tashmë kishte arritur kulmin për t’i përkthyer termet në gjuhën që kuptoheshin nga qytetarët.

Gazetarët duhet të ruanin ekuilibrin mes të raportuarit dhe shkaktimit të frikës.

Por, ajo që bëri më së shumti bujë ishte privatësia e personave të prekur me Covid 19. Kishte raste kur pa lejen e tyre në medie u bënë publike emra, numra të identifikimit dhe sëmundje tjera përcjellëse të personave që dolën pozitiv gjatë testimit me Covid 19, por pothuajse në të gjitha rastet tjera ishin marrë fillimisht konfirmimet nga vet personat e më pas ishin bërë publike emrat e ishin realizuar edhe intervista me ta.

Njësoj ishte vepruar edhe me një të moshuar, ndër personat e parë të prekur me këtë virus në vend. I biri i tij R.GJ në një prononcim për KosovaLive ka thënë se gjithë gazetarët kanë kërkuar leje për vizitë në shtëpi, e  më pas edhe për intervistë.

“Babai ka realizuar intervista për disa gazetarë, intervistat janë realizuar  edhe me kamerë. Fillimisht gazetarët na kanë kontaktuar përmes telefonit dhe na kanë pyetur nëse pranojmë, edhe babai edhe ne kemi qene të gatshëm për t’u deklaruar sepse kjo është diçka që mund t’i ndodhe çdokujt”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar gjithashtu se rastin e kanë bërë publik për ngritje të vetëdijësimit për kujdes te qytetarët.

“Përmes bërjes publike te rastit ne jemi munduar qe t’i vetëdijësojmë qytetarët sa më shumë për mbrojtje nga ky virus, dhe t’i informojmë se si e ka kaluar babai periudhën me virusin”, ka thënë ai.

Sipas R.GJ komentet pas daljes në media kanë qenë të ndryshme.

“Kemi marrë komente edhe pozitive edhe negative neper rrjete sociale, por ne nuk jemi fokusuar fare ne to. Është e drejtë e çdokujt qe të shpreh mendimin e tij për këtë dhe raste të tjera”, ka përfunduar ai.

Edhe Naile Dema Selami, redaktore në televizionin Klan Kosova ku janë zhvilluar dhjetëra intervista me pacientë të prekur me Covid 19 ka thënë se gjithmonë kanë marrë konfirmimin e tyre dhe i kanë njoftuar për pasojat eventuale që mund të kenë në rast të bërjes publike të rastit.

Naile Dema Selami

“Po, gjithmonë! Para realizimit të intervistave, qoftë nga gazetarët në terren apo ne në studio, kemi kontaktuar me personat e prekur, ua kemi sqaruar gjithçka që do t’i pyesim, dhe në fund kemi respektuar dëshirën e tyre, nëse duan apo jo t’ua zbulojmë identitetin.. (Ka pasur edhe raste kur personat e prekur, kanë dashur ta zbulojnë identitetin, dhe ti njoftojnë të gjithë personat e tjera që kanë mundur të jenë në kontakt me ta, që të vet-izolohen)”, ka thënë ajo.

Dema Selami ka shtuar se  jo çdo herë kanë bërë publik identitetin pacientëve, dhe se edhe përmes fshehjes së në këto raste kanë dhënë detaje të mjaftueshme.

“Gjatë bisedave të tilla, jemi pajtuar që të mos e zbulojmë identitetin, por ndërkohë janë dhënë shumë detaje sa i përket simptomave të të prekurve, kontakteve eventuale të tyre, e në rastet kur të infektuarit me Covid 19 ose familjarët e tyre janë pajtuar, kemi treguar edhe vendbanimin prej nga janë. Edhe ata edhe ne, kemi qenë të vetëdijshëm, që personat që I njohin, mund ta dinë se me kë po flasim, por që kjo në rastet e personazheve tona, nuk ka paraqitur problem, d.m.th është bërë me lejen e tyre”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se për shkak të ruajtjes së privatësisë nuk kanë bërë publike dokumente që kanë pasur në duar rreth të infektuarve.

“Po. Kemi pasur lista me emra, mbiemra, adresa të sakta të personave të infektuar me koronavirus. Por, që natyrisht, në këtë rast privatësia e tyre ishte shumë me rëndësi, prandaj nuk janë bërë publike”, ka përfunduar ajo.

Për Milazim Krasniqin, profesor i asocuar në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës në përgjithësi raportimi për koronavirus ka qenë përvojë e re për gazetarët.

Milazim Krasniqi

“Raportimi për pandeminë është raportim që futet në grupin e raportimit për fatkeqësitë e mëdha dhe katastrofat, që do të thotë se është një raportim i cili parakupton jo vetëm rrezikun për publikun por edhe rrezikun për vet ata që raportojnë pra në këtë rast gazetarët, prandaj ka qenë një raportim në kushte shumë të vështira dhe ka qenë një përvojë e re sepse ndryshe nga raportimi për tërmete dhe vërshimet, ky ka qenë një raportim specifik që rreziku ka qenë shumë më afër dhe i padukshëm”, ka thënë ai për KosovaLive.

Krasniqi ka thënë se zbulimi i identitetit të personave me koronavirus, me lejen e tyre ka mundur të përdoret edhe si storie edukuese për publikun.

“Ky është një debat i hapur, unë mendoj se nuk ka pas asnjë denaliteti në faktin që dikush ka qenë i infektuar ashtu që nuk ka qenë turp, prandaj edhe nëse do të përmendeshin emrat ajo do të ishte në funksion edhe në ruajtjen e të tjerëve dhe edukimin e publikut. Meqë ka pas panik të shtuar në teren mund të ketë pasur qëndrime stigmatizuese, por mendoj se mediat nuk kanë bërë ndonjë faj të madh edhe kur i kanë përmendur dhe intervistuar të infektuarit sepse infeksioni nuk ka qenë trup apo vepër e paligjshme por ka qenë një fatkeqësi që iu ka ndodhur. Raportimi ka mundur të përdoret edhe si storie edukuese për publikun”, ka thënë Krasniqi.

E për gjithë raportim maratonik i cili po vazhdon edhe këto ditë, Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias ka disa vërejtje.

Ajo ka vlerësuar se cenimi i privatësisë së pacientëve duke zbuluar identitetin e tyre ka shkaktuar dëme.

Flutra Kusari

“Ekuilibrimi i të drejtës së lirisë së shprehjes së gazetarëve dhe mbrojtjes së privatësisë së subjekteve të raportimit përbën një ndër vështirësitë e mëdha në gazetari. Në kohën e pandemisë, mbrojtja e privatësisë së pacientëve është një ndër përgjegjësitë kryesore të gazetarëve. Disa prej mediumeve – ndonëse në numër të vogël – kanë cenuar rëndë dhe qëllimshëm privatësinë e pacientëve duke zbuluar identitetin e tyre dhe kanë shkaktuar dëm gati të pariparueshëm”, ka thënë ajo.

Kusari ka shtuar gjithashtu se publikimi i emrave të personave të prekur me Covid 19 bëhet vetëm me aprovimin e tyre, dhe kur subjekti i kupton mirë pasojat.

“Të dhënat që kanë të bëjnë me shëndetin konsiderohen shumë private dhe nuk lejohet që të publikohen pa miratimin e personit të përfshirë. Përjashtim nga ky rregull bëhet në rastet kur është në pyetje shëndeti i figurave politike por edhe në këto raste, duhet të vlerësohet mirë interesi i publikut. Publikimi i emrave të pacientëve apo listave të personave të karantinuar është shkelje flagrante e privatësisë. Publikimi i emrave të personave të infektuar mund të bëhet vetëm kur vetë i infektuari jep aprovimin për zbulim të të dhënave shëndetësore, mirëpo gazetarët duhet të sigurohen që ky aprovim është dhënë nga një subjekt që i kupton mirë pasojat. Shpesh ndodhë që disa subjekte keqpërdoren në media meqë nxiten të zbulojnë të dhëna pa e kuptuar mirë pasojat që vijnë pas raportimit”, ka shtuar ajo.

Juristja e së drejtës së medias ka shtuar gjithashtu se gjatë Covid 19 është bërë edhe më e qartë sa e rëndësishme është që Komisioni i Pavarur për Media dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës të jenë funksionale dhe profesionale.

Gazetarët në të gjithë globin po përballen me sfida të papara për të raportuar shpërthimin e koronavirusit (COVID-19) në mënyrë të saktë dhe të sigurt.

Për t’iu ofruar gazetarëve ndihmën që u duhen, Fondacioni Thomson është bashkuar me një varg partnerësh specialistë për të prodhuar një seri kursesh falas online në platformën e saj “Gazetari tani “. Kurset interaktive janë krijuar me ndihmën e Press Free Unlimited (Hollandë), Rrjetit Etikologjik të Gazetarisë, Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Draftit të Parë dhe Dart Center Europe.

Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit ku numri i rasteve të reja me koronavirus ka rënë dukshëm, në Kosovë nga 0 sa ishte javë më parë, ditët e fundit ka shënuar ngritje drastike duke arritur numër treshifror.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar së fundmi Ministrinë e Shëndetësisë për mbylljen sektorëve ku ka raste pozitive, ndërsa kjo e fundit ka publikuar manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit gjatë kësaj jave, edhe pse lehtësimi i masave kufizuese ka filluar shumë kohë më parë.

Për autorin/en:

Agnesa Çitaku ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Aktualisht punon si gazetare në median online ‘arbresh.info’ që nga dhjetori i 2018-es. Ka punuar për rreth dy vite edhe në ‘Gazetën Infokus’, dhe në disa media tjera vendore. Çitaku kryesisht përcjell fushën e ekonomisë.

Ajo është fituese e çmimit vjetor për gazetari për raportimin nga fusha e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM