Build Skills with our trainings

Sign up now!

Shtatzënat dhe COVID-19: Nevojë e mbështetjes shtesë

Gus 5, 2020

Masat mbrojtëse si larja e duarve, bartja e maskave si dhe distanca sociale nga IKSHPK-ja ishin rekomandime për qytetarët para dhe pasi Kosova iu bashkangjit vendeve të botës me të prekur me Covid-19.

Shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve, lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre, mbani distancë sociale së paku 1 metër”, thuhet në komunikatën për masat mbrojtëse ndaj Covid-19 nga IKSHPK-ja.

Foto e realizuar nga KosovaLive brenda Klinikës Gjinekologjike Obstetrike, QKUK

Kujdesi për veten dhe të tjerët zvogëlon numrin e të prekurve me virus ndërsa rrit atë të shëruarve.

Z.K është një grua shtatzënë e prekur me Covid-19 në Kosovë. Ajo tregon se ethet, temperatura dhe dhimbja e kokës e kishin shoqëruar qysh nga fillimi që ishte infektuar me virus. Pacientja pasi ka refuzuar hospitalizimin është vetëtrajtuar duke qëndruar në shtëpi dhe duke iu përmbajtur udhëzimeve nga IKSHP-ja.

…Me 10.07.2020 nuk kam qenë mirë, kam pasur ethe, temperaturë dhe kokëdhembje, kam qenë në ambulancë për kontroll dhe më kanë drejtuar në infektivë për të bërë testin e Covidit si e dyshuar me simptomat që i kisha… Jam trajtuar në shtëpi, kam refuzuar hospitalizimin”, ka thënë e infektuara me Covid-19.

Ajo rrëfen se gjatë trajtimit në shtëpi si terapi me rekomandimin e mjekëve kishte hapat paracetamoll, vitaminën C dhe ujin e ngrohtë me limon. Ndërsa rekomandon të gjitha gratë shtatzëna që të kenë kujdes nga pandemia Covid-19. Por, shqetësimi më i madh ishte foshnja të cilën e mban në bark.

“…Mjekët këtë terapi më kanë rekomanduar dhe pa dyshim se kam pasur shqetësime për fëmijën sepse kam pasur shumë dhimbje të barkut në 2 ditët e para që ka filluar virusi. Rekomandoj të gjitha gratë shtatzëna që të kenë kujdes dhe të ruhen gjatë kësaj faze sepse virusi ekziston me të vërtetë”tha ajo.

E infektuara me Covid-19, ka theksuar se gjendja e saj dhe e foshnjës është stabile, i janë zhdukur simptomat dhe tani po ndihet mirë me shëndet.

“Unë tani jam në ditën e 12-të që prej se kanë filluar simptomat dhe qe dy ditë nuk kam asnjë simptomë. Ditët e fundit kam pasur lodhje të trupit në ditën e 8-të, 9-të, 10-të ndërsa në ditën e 11-të dhe në ditën e 12-të  po ndihem më mirë dhe nuk kam simptoma, po ashtu edhe fëmijën e kam mirë”ka thënë ajo.

Si raportoi edhe KosovaLive më 21.04.2020 si shkak i gjendjes së rëndë kishte ndërruar jetë e prekura e parë shtatzënë me Covid-19 në Kosovë.

V.P nga Gjakova, me 15 prill kishte dalë pozitiv në testin e Covid-19 të bërë nga IKSHPK-ja ku më pas iu nënshtrua edhe mjekimit intensiv në Klinikën Infektive por për fat të keq nuk arriti të mbijetojë.

“Klinika Infektive e QKUK-së njofton se gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 21. 04. 2020 në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka ndërruar jetë pacientja V.P. me vendbanim në Gjakovë (1980) e diagnostikuar me Covid-19. E njëjta, ishte shtatzënë dhe ishte në mjekimin intensive të klinikës që prej datës 15 prill 2020”, thuhej në këtë njoftim.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Jakup Ismajli thotë se deri tani numri i pacienteve shtatzëna të prekura me Covid-19 është katërmbëdhjetë. Sipas drejtorit, në klinikën infektive, dy paciente nuk i kanë mbijetuar virusit ndërsa disa të tjera janë lëshuar për në shtëpi me rekomandimet e IKSHPK-së.

Kur shkruhej ky artikull, vetëm tri paciente ishin duke u trajtuar në Klinikën Gjinekologjike në QKUK.

“Numri i shtatzënave që kanë lindur në KOGJ janë 14. Prej tyre 9 kanë lindur me mënyrën cezariane kurse 5 lindje janë kryer lindje normale. Njëra shtatzënë ka egzituar në javën e 28 të shtatzënisë në klinikën infektive. Shtatzëna tjetër ka lindur me prerje cezariane por disa orë pas lindjes ka egzituar në mjekësinë sportive. Pacientet tjera janë lëshuar nga klinika në gjendje të mirë shëndetësore me rekomandim që ti përmbahen udhëzimeve të IKSHPK-së. Njëra shtatzënë ka vdekur në javën e 28 në klinikën infektive, kurse tjetra ka lindur në KOGJ me prerje cezariane dhe disa orë më vonë ka egzituar në mjekësinë sportive. Ndërsa 3 paciente i kemi duke u trajtuar në klinikën infektive, njëra ka lindur kurse dy të tjera janë në mjekim, njëra paciente është në javën 26 e tjetra 33”, ka thënë Ismajli.

Ai më tej thekson se trajtimi i shtatzënave të prekura me Covid-19 është bërë kryesisht me terapi intensive: vitamina, paracetamol dhe antibiotikë.

“Janë trajtuar me vitamina paracetamol dhe antibiotik. Nuk ka dhe ende nuk dihet terapia kundër Covid-it me terapi simptomatike”, përfundon Ismajli.

Kujtojmë se infektologu Lul Raka përmes një postimi në rrjetin social Facebook kishte sqaruar se shtatzënat të prekura me Covid-19 nuk janë bartëse të virusit tek fëmija dhe se  po ashtu mund të lindin normal apo në mënyrë cezariane. Sipas tij, nënave nuk u ndalohet ushqyerja me gji.

“Nëse shtatzëna ka shenja e simptoma të sëmundjes, atëherë ka përparësi në testim.

A mund të kalojë COVID-19 nga një grua tek fëmija i saj?

Ende nuk ka dëshmi për këtë gjë. Deri sot, virusi nuk është gjetur në lëngun amnional as në qumështin e gjirit. Rastet e rralla tek të porsalindurit nuk janë vërtetuar se janë bartur nga nëna.

OBSH propozon lindje normale kurse ECDC lindje me prerje cezariane.

A munden gratë me COVID-19 të ushqejnë fëmijën  me gji?

Po”, shkruante në postimin e Rakës.

Infektologu Hamdi Ramadani në lidhje me gratë shtatzëna të prekura me Covid-19 ka thënë se përderisa nuk ka ende ilaç ndaj virusit, e vetmja mënyrë që ndihmon në zhdukjen e virusit është kujdesi në higjienë, distanca dhe terapia me rekomandimet e MSH-s dhe IKSHPK-s.

Infektologu, Hamdi Ramadani gjatë orarit të punës

“Pacientja gravide së pari duhet t’i shmanget maksimalisht epidemisë dhe të prekurve me Covid-19. E dyta ajo gravide që ka pas kontakt pra që ka pësuar infeksion e që dokumenton me analiza specifike virologjike mund të mjekohet me një pushim shtrati, lëngje me vitaminë C dhe antipiretikë nëse ka temperature të lehtë deri 38,6.  Nëse nëna gravide ka ndërlikime nga koronavirusi ajo duhet të trajtohet më tej duke u mjekuar me oksigjeno terapi në klinikën infektive të QKUK-së. Deri më tani nuk ka medikament që kanë dhënë rezultate të pritshme në mjekim ose trajtimin e kësaj sëmundje virale me ndërlikime. Kujdesi i i higjienës, distanca dhe tepria e dhënë me rekomandimet e mjekëve dhe IKPK-së. Pra terapia e shtatzënave me Covid-19 është si e të gjithë atyre pacientëve të prekur me Covid-19 dhe në konsultë me gjinekologun duhet dhënë edhe terapia e tyre dhe jo barna që dëmtojnë nënën shtatzënë”ka thënë Ramadani.

Ndryshe, infektologu tregon se gruaja shtatzënë e prekur me covid-19 nuk e rrezikon frytin por nëse pacientja është në gjendje të rëndë shëndetësore atëherë rrezikohet gjendja si te nëna po ashtu edhe tek fryti.

Ende nuk ka të dhëna nëse pacienti pozitiv me Covid-19, mund të ketë efekte të dëmshme në fëmijën apo fetusin edhe pse kjo më tepër varet nga faza se në cilën javë të shtatzënisë është e infektuara. Nëse gravidja ka kaluar 8 javë ose 12 javë rreziku është pothuaj i paregjistruar, por akoma janë duke u bërë hulumtime në këtë drejtim për të siguruar rrezikun e shtatzënave me Covid-19. Por duhet thënë se nena gravide me infeksion po dhe me ndërlikime e vështirëson më shumë situatën shëndetësore si të saj edhe të frytit dhe rrit mundësinë e një aborti ose lindje më herët. Por mundësia më e mirë është preventiva dhe ruajtja në gravidancë nga infeksioni me koronavirusin”, tha ai.

Sipas, World Health Organization, gratë shtatzëna të prekura me Covid-19 nuk mund të kenë simptoma të rënda krahas pacienteve të tjerë prekur me virus. Në një analizë të Organizatës Botërore të Shëndetit, nga shkurti i këtij viti, nga 147 grave, vetëm 8 përqind kishin sëmundje të rëndë dhe 1 përqind ishin në gjendje kritike.

Ndërsa, psikologia Brikena Krasniqi Hoti për KosovaLive rikujton disa nga pasojat e të infektuarve nga Covid-19 duke shtuar se shtatzënat janë më të rrezikuarat nga ankthi, depresioni dhe ndryshimi emocional.

Brikena Krasniqi Hoti

“Pasojat e pandemisë në shëndetin mendor të njeriut mund të jenë të ndryshme. Tek njerëzit që kanë histori me problemeve apo vështirësive psikologjike, kjo situatë mund t’ua ketë përkeqësuar gjendjen. Ndërsa tek disa njerëz të tjerë, për herë të parë, si pasojë e rrethanave aktuale, janë shfaqur simptoma të ankthit intensiv, sulme të panikut apo edhe simptoma të depresionit. Për disa njerëz të tjerë, pandemia mund të shkaktojë edhe traumë psikologjike tek ata, sepse trauma s’ka të bëjë vetëm me situata të mëdha katastrofike sikurse janë luftërat, katastrofat natyrore, apo aksidentet, por trauma mund të shkaktojë çdo lloj situate që i tejkalon aftësitë e individit për t’u përballuar me të. Duke qenë se 1 ne 5 gra, gjate shtatzënisë apo pas lindjes, përjetojnë ankth apo depresion, situatë e pandemisë veçse ka ndikuar qe gjendja emocionale e grave gjate kësaj periudhe të keqësohet”, ka thënë Krasniqi-Hoti.

Krasniqi-Hoti shton se izolimi ka qenë shkaktari kryesor ku gratë shtatzëna mund të kenë përjetuar ankth, depresion dhe presion emocional.

“Izolimi, distanca sociale, apo masat tjera që janë ndërmarrë si pasojë e pandemisë, ka ndikuar që këtyre grave t’ju reduktohet mbështetja nga rrethi familjar apo qasja në ndihmën që atom unë të kenë nevoje, dhe rrjedhimisht kjo ndikon që ato ta ndjenë veten të pasigurt, pandihme, të pashpresa, me pasiguri për të ardhmen e tyre apo të bebes. I gjithë ky presion emocional patjetër që ndikon në shëndetin e tyre mendor”, theksoi psikologia.

Psikologia tregon se nëse gruaja shtatzënë nuk trajtohet me kohë nga ankthi dhe depresioni pasojat mund të jenë të theksuara. Ajo më tej rekomandon që duhet t’i kushtohet rëndësi shëndetit mendor.

Ne e dimë, në bazë të studimeve të shumta në këtë fushë, që përjetimi i ankthit apo depresionit gjatë shtatzënisë, nëse mbetet i trajtuar për një kohë të gjatë, atëherë mund të këtë efekte të dëmshme në mirëqenien e plotë të nënës dhe fëmijës. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të flitet për këtë temë, të ngritet vetëdija tek njerëzit mbi rëndësinë e shëndetit mendor në përgjithësi e në veçanti të gratë shtatzëna dhe posaçërisht pas lindjes, në mënyrë që ato ta kenë me të lehtë të kërkojnë ndihmë profesionale në këtë drejtim”, shtoi ajo.

Ajo në vazhdim tha se shtatzënat e infektuara me Covid-19 kanë nevojë për mbështetje emocionale në mënyrë që t’i tejkalojnë shqetësimet si stresi, ankthi, depresioni.

“Posaçërisht gratë shtatzëna që janë të infektuara me koronavirus, kanë shumë nevojë për mbështetje emocionale. Kjo do të thotë që pas shëndetit fizik, duhet t’i kushtojmë rëndësi edhe shëndetit mendor. Hapi i parë në këtë drejtim është të luftojmë stigmën dhe të konsiderojmë normale dhe të pranueshme që ato mund të kenë nevojë për trajtim psikologjik dhe assesi të mos i injorojmë nevojat apo kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me mirëqenien e tyre emocionale. Për me pas një fëmijë të shëndoshë, duhet së pari qe gruaja shtatzënë apo ajo që sapo ka lindur të ketë një mirëqenie të plotë jo vetëm fizike por edhe emocionale apo psikologjike”, përfundon Krasniqi-Hoti.

Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, deri sa po shkruhej ky artikull janë testuar gjithsej 494 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultuan 213 raste pozitive, ndërkohë që. një ditë më parë nga Covid-19 ishin shëruar 109 pacientë shëruar.

Shqipdona Gashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM