Build Skills with our trainings

Sign up now!

Fëmijët po e paguajnë “tagrin” e lartë psikologjik të COVID-it

Sht 14, 2020

Në qoftë se viti 2020 do të kishte shkuar në mënyrën që ishte planifikuar, një ditë në jetën e një fëmije mesatar do të nënkuptonte: mësim në klasa, lojëra të ndryshme jashtë shtëpisë, shfaqje teatri, festa ditëlindjesh, grumbull shoqërie. Sigurisht, do të kishte pasur shaka dhe pëshpërima në korridoret, kafiteritë, palestrat dhe autobusët e shkollës.

Mirëpo, të gjitha këto gjëra u kthyen në të kundërtën e tyre, ku në Kosovë, sikurse në shumë shtete të botës, u ballafaquam me virusin COVID-19, dhe me ç’rast disa shtete edhe u mbyllen në izolim total.

Prindërit gjatë jetës përballen me sfida të ndryshme dhe, këtë vit atyre i’u është dashur që pos të gjithave problemeve të kushtojnë rëndësi edhe më të madhe zhvillimit shoqëror të fëmijëve të tyre. Pra, duke luajtur me ta kur është e mundur dhe duke përdorur mjete video bisede për të qëndruar të lidhur me bashkëmoshatarët.

Se sa sfiduese ka qenë periudha e izolimit për një fëmijë e shpjegon edhe psikologu nga Gjilani, Besnik Sherifi, i cili thotë se si profesionist që punon me fëmijët, prindërit i kanë raportuar se “fëmija është shumë agresiv, shumë hiperaktiv, pa interesim, jo i dëgjueshëm… ”.

Koha e izolimit, sipas tij, ka çrregulluar ekuilibrin psikologjik me paraqitjen e mungesës së angazhimit, ndërveprimit, socializimit dhe aktiviteteve të tjera, e duke manifestuar kështu edhe probleme të ndryshme emocionale për arsye të prishjes së rutinave dhe pamundësisë së përshtatjes në këtë situatë të krijuar.

“Në tërësi mund të themi se me hapjen e shkollave, kopshteve  do t’iu kthehen normalitetit me angazhime, detyra dhe aktivitete të ndryshme të cilat mund të tejkalohen dhe problemet  të evitohen”, konsideron psikologu Sherifi.

Problem më veti paraqet përdorimi i teknologjisë dhe varësia e fëmijëve nga to.

“Te fëmijët teknologjia po përcjell sjellje të ndryshme siç janë: mungesë interesimi dhe bashkëpunimi në raport me të tjerët, shfaqja e sjelljeve agresive, imitimi i video lojërave të ndryshme duke bërë fëmijët agresiv, hiperaktiv, mungesë koncentrimin dhe bashkëpunimi”, thotë ai.

Në periudhën e pandemisë, sipas Sherifit koha ka mundësuar përfshirjen e prindërve përmes mbështetjes, stimulimit, angazhimit nëpërmjet lojërave, me  qëllim të nxitjes së fëmijës jo vetëm në aspektin kognitiv por edhe emocional, fizik. Ai konsideron se komunikimi dhe interaksioni i pasur mes fëmijëve dhe prindërve duhet të jetë sa më i theksuar.

Si terapist, e përmes kontakteve me prindërit e fëmijëve, ai vëren nivelin shumë të lartë të  shqetësimit, dhe thekson se pasiviteti, qëndrimi në shtëpi, izolimi mund të çojë deri te një sjellje të dhunshme, agresive, konfliktuoze.

Sipas hulumtimeve të hershme nga Kina, ku edhe fillimisht shpërtheu pandemia, fëmijët po tregojnë shenja depresioni – edhe pasi ka përfunduar karantina, dhe kjo për arsye të mungesës së socializimit.

Por, psikologu Sherifi rikujton se vendimet (sikurse izolimi e mos-hapja e shkollave) ishin të detyrueshme dhe se këto sfida mund tejkalohen vetëm me angazhim, mbështetje dhe bashkëpunim ndërmjet prindërve, fëmijëve, mësimdhënësve e terapistëve.

Doktoresha, Hamide Latifaj, nga ordinanca “Pediatria”, pajtohet se fëmijët që përballen me një ndërrim kësisoj drastik në jetën e tyre, në shumë raste përjetojnë shqetësim, ankth dhe frikë .

“Nëse shkollat ​​janë mbyllur si pjesë e masave të nevojshme, atëherë fëmijët mund të mos kenë më atë sens të strukturës ditore dhe stimulimit që sigurohet nga ai mjedis, dhe tani ata kanë më pak mundësi të jenë me miqtë e tyre dhe të marrin atë mbështetje sociale që është thelbësore për mirëqenien mendore”, thotë ajo.

Të qenit në shtëpi në shtëpi, shpjegon Latifi, mund të vendosë disa fëmijë në rrezik ose në rritje të ekspozimit ndaj incidenteve të mbrojtjes së fëmijëve, ose t’i bëjë ata dëshmitarë të dhunës ndërpersonale nëse shtëpia e tyre nuk është një vend i sigurt.

 “Fëmijët mund të zbulojnë se duan të jenë më pranë prindërve të tyre, t’u bëjnë më shumë kërkesa dhe, nga ana tjetër, disa prindër ose kujdestarë mund të jenë nën presion të padrejtë vetë”, thotë ajo duke theksuar se një nga strategjitë më të thjeshta e të pranueshme është që fëmijëve t’u ofrohet dashuria dhe t’u kushtohet vëmendja e shtuar.

Mimoza Hismoni thotë se fillimi i izolimit për ta si prindër, ka qenë bukur e vështirë po edhe më i vështirë për fëmijët, sepse ata me ndaljen e shkollave, ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve, me mbyllje në banesë janë larguar nga rutina e tyre e përditshme.

“Gjendja emocionale ka qenë mjaft shqetësuese për fillim, sepse pos izolimit në shtëpi ata non-stop ishin të ekspozuar para ekraneve televizive ku aty vetëm flitej për virus, dhe unë si prind jam munduar që në mënyrën më të thjeshtë, t’ua shpjegoj se çka është virusi”, thotë ajo.

Hismoni, megjithatë, mendon se djali i cili së shpejti fillon klasën e III-të dhe “veçse është i socializuar” nuk do të ketë probleme, ndërkohë që problem mund të ketë vajza e cila fillon klasën e parë. Shqetësues për të si prind, është fakti se si do të menaxhojnë prekjet, dezinfektimin e duarve, maskat…

“Jam e shqetësuar se nëse vazhdon prapë me u ndërpre mësimi, fëmijët e mi dhe shumë fëmijë të tjerë kanë me mbet mbrapa në çdo aspekt, po shpresoj që kjo nuk do të ndodhë” thotë ajo.

Uranik Emini

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM