Build Skills with our trainings

Sign up now!

Marrëveshjet ekonomike Kosovë-Serbi favorizuan politikën

Sht 24, 2020

Njohësi i rrjedhave politike, Shkëlzen Maliqi gjatë një interviste për KosovaLive ka thënë se, marrëveshja e Uashingtonit në mes Kosovës dhe Serbisë, e ka favorizuar presidentin e SHBA-ve, Donald J. Trump.

“…Marrëveshja e 4 shtatorit më së shumti e ka favorizuar Washingtonin, përkatësisht Presidentin Trump. Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, Shtëpia e Bardhë ka provuar me qenë e balancuar. Kjo qasje zakonisht nuk i shkon në favor Kosovës sepse dy palët hyjnë në biseda si të pabarabarta, Serbia si republike me njohje ndërkombëtare, Kosova pa njohje të plotë.  Bisedat edhe bëhen që të eliminohet kjo pabarazi, për njohje te plotë të Kosovës”, ka thënë Maliqi.

Ndërsa, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), po ashtu në një intervistë për KosovaLive ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit është ura lidhëse në mes Kosovës dhe Serbisë. Siç shprehet ajo, pas SHBA-ve tani Brukselit i mbetet që të ndërhyjë në rregullimin e raporteve në mes të këtyre dy vendeve.

“...Nga një anë, marrëveshja e Uashingtonit mund të konsiderohet si hap përpara në marrëdhëniet Kosovë-Serbi meqë palët kanë shprehur zotimet e tyre në një sërë çështjesh ekonomike. Por nga ana tjetër, procesi i ndërmjetësuar nga SHBA-të mund të konsiderohet dhe si një shansë i humbur për t’i shtyrë palët drejtë njohjes reciproke. Kapitali politik i shtëpisë së bardhë duhet të ishte përdorur nga pala kosovare për ta shtyrë përpara çështjen e njohjes së Kosovës. Tani kjo i ka mbetur Brukselit zyrtar – i cili duhet thënë që nuk ka një qëndrim të dakorduar të sajin rreth shtetësisë së Kosovës për shkak të 5 shteteve jo njohëse”, tha Krasniqi.

Krasniqi thekson se, për shkak të mendimeve të kundërta, Kosovës dhe Serbisë ende i mungon normalizimi i raporteve dhe problemi mbetet Serbia për shkak të interesave personale.

Dakordimi i palëve për normalizimin ekonomik është pozitiv por gjithsesi palët nuk arritën të dakordoheshin as me faktin që të nënshkruanin një dokument të vetëm për shkak të qëndrimeve të kundërta që kanë rreth shtetësisë së Kosovës. Normalizimi i kësaj hapësire, pra që ne bisedojmë së bashku, arrijmë dakordime së bashku, por vazhdojmë të trajtojmë njëra-tjetrës njësoj si në të kaluarënQasje e filluar me marrëveshjen e Brukselit në radhë të parë me anë të ambiguitetit konstruktiv, dhe tani edhe me marrëveshjen e Uashingtonit, nuk po arrin të përkthehet në kapërcim të problemeve për Kosovën që po shkaktohet nga mungesa e konsolidimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, duke mos qenë anëtare e OKB-së dhe duke mos gëzuar njohje universale”, shtoi ajo.

Sipas Krasniqit, Marrëveshja e Uashingtonit është një dokument hibrid që përmban elemente të bashkëpunimit ekonomik duke prekur dhe projekte rajonale si dhe elemente që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të SHBA-ve.

“Kosova fitoi njohjen nga ana e Izraelit, një njohje e rëndësishme por në të njëjtën kohë pranoi që të hiqte dorë nga aplikimi për anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Kompromise të tilla krijojnë konfuzione të tjera rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në OKB duke qenë se procesi i Brukselit synohet të përmbyllet brenda muajsh – ashtu siç është deklaruar nga zyrtarët e BE-së. Prandaj pyetja që lind si ndërlidhen këto procese së bashku dhe a do të kërkojë Kosova në fakt anëtarësim në OKB si pjesë të marrëveshjes me Serbinë”, theksoi Krasniqi.

Sipas saj, Aleksandar Vucic jo vetëm vetën e tij por edhe Serbinë po e viktimizon te ndërkombëtarët ndaj raporteve me Kosovën.

Serbia vazhdon të mbaj pozicionin e saj që për njohje të Kosovës, duhet të marrë diçka në këmbim. Kjo të krijon përshtypjen që Kosova duhet ta ‘paguaj’ njohjen nga Serbia. Për fat të keq kjo është retorika që dëgjojmë në vazhdimësi dhe nga akterët ndërkombëtarë që flasin për procesin dhe nevojën e kompromiseve. Viktimizimi i Serbisë është konstant dhe do të vazhdojmë ta shohim edhe në të ardhmen. Është një rol që presidenti i Serbisë Vucic nuk lodhet së luajturi, por pala kosovare duhet ta përballë atë me fakte në mënyrë konstante dhe konsistente me realitetin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe në këtë drejtim është e pakontestueshme se kush është viktima dhe kush agresori”, ka thënë Krasniqi.

Ajo thekson se Kosova ende si shtet nuk e ka arritur të konsolidoj subjektivitetin ndërkombëtar. Gjithashtu, gjatë negociatave me Serbinë nën ndërmjetësimin e BE-së është bërë ndërlidhja e njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare me njohjen nga Serbia. Sipas Krasniqit, kjo ka qenë një qasje e gabuar dhe kundër vet aktgjykimit të GJND-së.

Për Krasniqin, njohja e pesë shteteve të BE-së dhe njohja nga Serbia, duhet të jenë synimet e vetme të Kosovës ndaj bisedimeve me Serbinë në takimet e ardhshme në Bruksel.

Gjithsesi përballë procesit të ardhshëm të bisedimeve me Serbinë të cilat po zhvillohet tashmë në taborin e Brukselit zyrtar, Kosova duhet të synojë që nëpërmjet këtij procesi të arrijë njohjen nga pesë shtete jo njohëse të BE-së, perspektivën e qartë evropiane si dhe angazhimin direkt të BE-së, shteteve anëtare të saj dhe SHBA-ve në anëtarësimin e Kosovës në OKB. Njohja me Serbinë si element i padiskutueshëm por që na dërgon një hap përtej duke marrë dhe përkushtimin e shteteve të BE-së dhe të vet SHBA-ve për të përmbyllur procesin e njohjes universale të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, tha ajo.

E kaluara e Kosovës gjatë bisedimeve me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së apo SHBA-ve duhet që të vihet në pah dhe sipas saj, kjo është e vetmja paqe që mund të i kenë këto dy vende.

Në kuadër të marrëveshjes gjithashtu duhet të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, çështja e fatit të personave të zhdukur, drejtësia për personat, gratë e dhunuara gjatë luftës, reparacionet, dëmet e luftës, kërkimfalja. Në anën tjetër, çështje që kanë mbetur të hapura nga suksesion që do të ndërtojnë bazën për pajtim dhe paqe afatgjate dhe të qëndrueshme në mes të dy shoqërive”, thotë Krasniqi.

Edhe ajo pajtohet se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodh sa më parë, meqë, sipas saj, Kosova i ka kryer obligimet e saj, dhe tani ka mbetur vetëm finalizimi i këtij procesi.

Liberalizimi i vizave duhet të ndodh sa më parë për të dëshmuar përkushtimin e shteteve të BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës dhe për të rikthyer kredibilitetin e saj në proceset e reformave pasi Kosova ka kryer pjesën e saj të obligimeve duke përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara – ashtu sic ka vlerësuar dhe Komisioni Evropian, ndërsa tani i mbetet BE-së të përgjigjet me përmbushjen e pjesës së saj të këtij angazhimi – pra ofrimin e liberalizimit të vizave”, tha Krasniqi.

Sipas saj, Kosova nuk mund të izolohet.

Liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë me procesin e dialogut, dhe ajo duhet të ndodh gjatë mandatit të kryesimit të Këshillit nga ana e Gjermanisë, duke mos mbajtur peng më pak se 2 milionë qytetarë të Kosovës. Është e vërtetë, nga ana tjetër që BE, duke mos pasur një qasje unike ndaj Kosovës për shkak të pesë shteteve jo njohëse, për momentin nuk ka karrotë tjetër për Kosovën – përveç liberalizimit të vizave, dhe mbështetjes eventuale ekonomike. Prandaj dhe ky proces i normalizimit duhet t’i shtyjë edhe shtetet anëtare që ta shohim këtë proces si momentumin adekuat për të ndërtuar politikën e tyre të jashtme të përbashkët dhe të lëvizin drejtë njohjes së shtetit të Kosovës,” theksoi Krasniqi.

Analisti politik, Shkenzen Maliqi, ndërkaq pohon se Amerika nuk ka qenë insistuese në normalizimin tek çështjet e Republikës së Kosovës dhe Serbisë por vetëm drejt marrëveshjes për ekonomi për të dy vendet.

“…SHBA-të kanë provuar me draftin e parë të marrëveshjes që të instalojnë barazinë mes dy palëve; në draftin e parë ka figuruar njohja e ndërsjellë, por kjo u refuzua nga delegacioni i Serbisë. Po kështu, amerikanët draftin e parë e kanë nënshkruar me emrat e plotë të dy shteteve, Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë. Serbët kanë insistuar që të hiqet Republika e Kosovës, atëherë amerikanet e kanë hequr edhe Republikën e Serbisë, nënshkruesit janë thjesht Serbia dhe Kosova. Në rrafshin simbolik SHBA-të kanë pas trajtim të barabartë, madje edhe disa favore për Kosovës (Trumpi ia mundësoi Kosovës njohjen e Izraelit)”, ka thënë ai.

Sipas Maliqit, kosovarët ishin të guximshëm ndaj ofertave gjysmake, ose arbitrazh të SHBA-ve me “Ujmanin”, ndërsa Serbia nuk pati guxim të bëjë më shumë për njohjen e Kosovës.

Nuk ka qenë qëllimi viktimizimi por oferta për përmirësimin e raporteve dhe kapaciteteve ekonomike. Negociatori serb Vucic për momentin i ka deridiku duart e lidhura për faktin se kushtetuta e Serbisë, Kosovën e përcakton si pjesë të patjetërsueshme të saj. Nga Serbia kërkohet që paraprakisht ta ndryshojë Kushtetutën. Ideja e marrëveshjes në Washington është trazimi i një procesi që ndërlidh favoret ekonomike për dy vendet me hapat e afatizuar për njohje të ndërsjellë p,sh. pas disa vjetësh”, tha Maliqi.

Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) konsideron se çështja e korrigjimit të kufijve tashmë ka rënë në heshtje për shkak të kundërshtimit të madh nga ana e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe por dhe nga spektri i brendshëm politik në vend. Duket që tashmë, sipas saj, nuk është pjesë e tryezës së diskutimit në Bruksel dhe opsione të tjera si kompromise të mundshme për të përafruar palët janë duke u shqyrtuar.

Ajo konsideron se Kosova në raport me të drejtat e saj duhet të tregohet e vëmendshme në çdo aspekt, po ashtu edhe të kërkojë atë që meriton.

Në radhë të parë ne duhet të sigurohemi që nëpërmjet këtij procesi, pra të normalizimit, Kosova të dal dhe më e fuqishme. Të mos dëmtohet funksionimi i saj si shtet duke u garantuar karakteri i saj i shtetit qytetar dhe i shoqërisë multietnike, dhe i unitaritetit të saj kushtetues. Gjithashtu që të mos preket integriteti territorial i shtetit të Kosovës.  Në anën tjetër, ne si shtet duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për integrimin e komuniteteve jo shumicë ashtu siç e parasheh dhe kushtetuta e vendit dhe të garantojmë të drejtat e tyre. Në të njëjtën kohë duke kërkuar gjithashtu që të drejtat e qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në Serbi të kenë të drejta të garantuara dhe të barabarta si serbët e Kosovës. Kjo e fundit duhet të kërkohet përmes këtij procesi, pasi nuk ka më kohë të dytë për të folur për të drejtat e qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës”, tha ajo.

Marrëveshjet e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, thotë ajo, kishin të bëjnë me zhvillimin ekonomik nga të dy vendet.

Ajo çfarë ne dimë është që palët u zotuam për marrjen përsipër të një sërë hapash që u njohën si normalizim ekonomik. Aspekti i dobët i këtij procesi ishte fakti që palët nuk arritën të dakordoheshin që të nënshkruanin të njëjtin dokument në Shtëpi të Bardhë dhe më pas ta shndërronin atë në një marrëveshje të mirëfilltë. Por që u pa që palët nënshkruajtën dokumente individuale si marrjen përsipër e zotimeve ndaj SHBA-ve për çështje të cilat do t’i bëjnë së bashku. Kjo lë të hapur dhe vet natyrën juridike të kësaj marrëveshjeje por dhe vet zbatimin e saj. Por fakti që SHBA-të qëndrojnë prapa kësaj marrëveshjeje mund të kemi konfidencë të shtuar që mund të shohim frytet e saj”, ka treguar Krasniqi.

Se cilat janë hapat e mëtejmë të SHBA-ve, sipas saj, mbetet ende për t’u parë por ajo çfarë dihet dhe mbetet e rëndësishme është që ky proces i ndërmjetësuar nga BE duhet të ketë mbështetjen e SHBA-ve.

çarja transatlantike e filluar me çështjen e ‘korrigjimit të kufijve’ duhet të mbyllet. Në anën tjetër, kërkesat e Kosovës për rrugëtim euro-atlantik dhe anëtarësim në OKB mund të arrihen vetëm kur pjesëmarrëse përveç BE-së janë edhe shtetet anëtare të fuqishme të BE-së siç është Gjermania dhe Franca, nga një anë dhe mbi të gjitha nga ana tjetër SHBA-të. Prandaj SHBA-të janë shumë të rëndësishme për këtë proces dhe angazhimi i tyre qenësor për progresin përpara”, përfundon Krasniqi.

Në shtatorin e këtij viti, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me të udhëtuar për SHBA, pati thënë se Marrëveshja e Uashingtonit ishte hapi i madh drejt njohjes reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë. Në marrëveshjen Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-ve, Donald J. Trump, nga tjetër u përfshinë ekonomia dhe njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Izraeli.

Publicisti dhe analisti politik, Shkelzën Maliqi thotë se Kosova i ka dhënë shumë Serbisë sa i parket kompensimit me njohje reciproke, por kjo e fundit kërkon që akoma të “copëtohen” tokat kosovare.

“…Kosova pa marrëveshje gjithëpërfshirëse politike nuk mund të përparohet në çështjet dhe marrëveshjet konkrete. Serbia gjithnjë kërkon kompensim për ‘humbjen’ e Kosovës. Deri vonë ka insistuar që të marrë një pjesë të Kosovës ku serbët janë shumicë dërmuese. Pasi që ky opsion nuk u kaloi, tani fokusi është te Asociacioni i komunave serbe me ingerenca të autonomisë, çka e ka pamundësuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Nuk është e qartë a ka Kosova ndonjë gjë tjetër që mund t’i ofrojë Serbisë si kompensim për njohje”, shtoi Maliqi.

Sipas tij, projekti i Mini-Shengenit mund të shqyrtohet më seriozisht sepse mund të ul ekstremët në Serbi por edhe në Kosovë që nuk u pëlqejnë kufijtë ekzistues e që “copëtojnë” ose ndajnë tërësinë e kombit shqiptar dhe kombit serbë.

Shengeni Ballkanik ua mundëson gati të gjithë shqiptarëve dhe gjithë serbëve të jetojnë pa kufij të fortë. Nëse ky Shengen do të ndërtohej sipas parimeve të BE-së, e ndihmon gjithë Ballkanin perëndimor që të kualifikohet dhe adaptohet më lehtë për anëtarësim në BE. Kuptohet, për këtë duhet të punohet, nëse në të hyjmë të pabarabartë, ai nuk do të funksionojë, presupozohet se Serbia duhet ta njeh Kosovën që të jetësohet. Ka mekanizma që kjo të bëhet në hapa të paracaktuar”, theksoi Maliqi.

Korrigjimin e kufijve që ishte aktual më herët por nuk është më në lojë, mund ta zëvendësojë, si zgjidhje më evropiane  “Shengeni ballkanik” si mënyrë e relativizimit dhe zbutjes së kufijve

Sa i përket liberalizimit të vizave, ai e sheh këtë si proces të ndarë.

“Kosova i ka plotësuar para disa vitesh të gjitha kushtet për liberalizim, i ka edhe rekomandimet e Parlamentit dhe të Komisionit, por vizat bllokohen nga disa vende anëtare të BE-së. Nëse nuk ndryshon, do të zvogëlohet entuziazmi i kosovarëve për BE-në. BE-ja duhet të bëjë më shumë t’i bind shtetet anëtare të veta që nuk e njohin Kosovën, që t’a bëjnë këtë”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, SHBA-të vazhdimisht po punojnë për t’a normalizuar gjendjen në Ballkan, atë të Kosovës dhe Serbisë.

Amerika punon që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen e normalizimit të plotë të marrëdhënieve, pra njohjen e ndërsjellë. Por, me arritjen e këtij plani është e ngarkuar BE, kurse SHBA-të zotohen për investime ekonomike dhe strategjiko-militare. Interesi i aleancës perëndimore është stabilizimi dhe siguria e rajonit. Evropës dhe NATO duan të sigurohen se nuk do të ketë influencë destabilizuese të Rusisë dhe Kinës në rajonin e Ballkanit”, tha ai.

Maliqi konsideron se dialogu Kosovë-Serbi nuk sjell paqe dhe se Kosova duhet të jetë e kujdesshme për dialogimin me Serbinë.

Dialogu nuk ka alternativë për zgjidhje paqësore, por edhe nëse provokohet zgjidhja jopaqësore, duhet t’i paraprijë dialogu, negociatat. Kështu ka qenë edhe në Rambuje, pasi që Serbia nuk e ka pranuar marrëveshjen kompromise, pastaj është dënuar me intervenim të NATO-së dhe ka kaluar më keq. Kosova duhet të ketë kujdes që të mos bëhet pengesë për zgjidhje paqësore, sepse aleatët mund të humbin durimin. Sigurisht se nuk jemi në pozitën e kurdëve, sepse nuk kemi konflikt të hapur me Serbinë, por kemi bërë gabime në raport me fuqitë alete kur nuk pranonin këshillat e tyre që të zhbllokojmë dialogun”, përfundon Maliqi.

Njohësi i rrjedhave ekonomike, Arton Muhaxheri në një intervistë për KosovaLive thotë se marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi e realizuar në Uashington në botëkuptimin e saj e ka ekonominë por në thelb qëndron politika. Siç thekson ai, përmes ekonomisë po tentohet të zhvillohet edhe politika në mes të këtyre dy vendeve.

Për t’a trajtuar në detaje marrëveshjen ekonomike Kosove-Serbi të nënshkruar në SHBA, ne duhet të ndalemi te qëllimi i kësaj marrëveshjeje, i cili është një hap përpara drejt arritjes së marrëveshjes politike që do të konsiderohet edhe si marrëveshje finale. Pra, përmes një marrëveshje ekonomike po tentohet të realizohen qëllimet politike gjë e cila nuk është veprim absurd përtej kësaj është edhe veprim logjik”, ka thënë Muhaxheri.

Sipas tij,  në këtë marrëveshje janë përfituese edhe Kosova edhe Serbia por pak më shumë kjo e fundit.

Sa i përket marrëveshjes së transportit kanë përfituar të dyja vendet por më shumë Serbia së cilës po i jepet dalje në det dhe kjo është ajo çfarë Serbia ka kërkuar me dekada”, shtoi ai.

Muhaxheri nuk i mohon as përfitimet e Kosovës sa i përket transportit.

Edhe Kosova natyrisht që përfiton se vetë sfera e transportit në ekonomi është shumë profitabile dhe kjo do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit në krijimin e vendeve të reja të punës etj. Por dilema nuk qëndron se a përfitojnë shtetet apo jo, por dilema është tek implementimi i marrëveshjeve për të cilat duhet edhe pak kohë për të parë nëse janë duke u implementuar ose jo”, përfundon Muhaxheri.

Shqipdona Gashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM