Build Skills with our trainings

Sign up now!

Izolimi shtetëror po shkakton dilema te të rinjtë kosovarë

Tet 6, 2020

Të rinjtë e Kosovës kanë një perspektivë pesimiste sa i përket jetës në Kosovë. Shumica e tyre synojnë që të migrojnë, për arsye nga më të ndryshmet.

“Mundësia e një jete më të mirë, bursa dhe pozita e asistentes në një nga fakultetet kriter-lartë të ShBA-së dhe shansi për të performuar në piano jashtë territoreve të atdheut më bënë që të heq dorë nga synimet që mbaja në Kosovë”, thotë Adea Badivuku, 25-vjeçare nga Vushtrria.

Kjo studente e muzikës klasike në degën e pianos të nivelit Master, dhe rezident e Michigan-it në SHBA, konsideron shkuarjen për studime apo edhe për të jetuar jashtë Kosovës si një realizim ëndrre.

Adea gjeti fatin e saj me pranimin e një burse mjaft bujare nga Universiteti Qendror i Michigan-it një vjet më parë, e sot ndihet shumë e nderuar për faktin se është duke studiuar dhe njëkohësisht duke punuar si asistente në njërin ndër fakultetet me kritere të larta të Shteteve të Bashkuara.

Rrugëtimi i saj për të arritur aty ku është sot nuk ishte gjithaq i lehtë sa mund të imagjinohet. Në një proces pa ndërlikime ose vonime të marrjes së vizës, Adeës iu desh një kohë mjaft e gjatë që të organizonte punën e dokumenteve, çertifikatave apo fletkonfirmimeve në mënyrë që të kishte sukses në marrjen e vizës.

Në një bisedë për KosovaLive, Adea thotë se për të marrë vizën e dëshiruar, asaj iu desh të dorëzoj një numër të madh dokumentesh, që përfshinin aplikime të kompletuara, teste të standardizuara dhe dëshmi të shumta, e njëra prej tyre që ishte dëshmia e ndonjë angazhimi, prone apo punë, të mjaftueshme që t’a kthenin aplikuesin në atdheun e tij/saj.

James Finan, drejtori i seksionit këshillues të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, e thekson mungesën e dëshmisë së të pasurit lidhje që të detyron të kthehesh në atdhe, sipas seksionit 214(B) të Aktit të Imigrimit dhe Kombësisë, si arsyen kryesore e refuzimit të vizave, ndërsa një përqindje e vogël ka të bëjë me papranueshmëritë, që vijnë nga imigrimet e mëparshme ose arrestime.

Nuk ka një formulë për një intervistë të suksesshme. Kur aplikoni për vizë duhet të jeni në gjendje të shpjegoni qëllimin tuaj të udhëtimit, aftësinë tuaj për të financuar udhëtimin dhe lidhjet tuaja të forta jashtë Shteteve të Bashkuara”, tha Finan për KosovaLive.

Në një përgjigje për KosovaLive, Ambasada Amerikane në Prishtinë pohon se në vitin 2019 janë lëshuar 5,935 viza joemigruese.

Adea u desh të jep dorë nga një shumë e parave, që u rrumbullaksua, përafërsisht, me 500€, të cilën, fatmirësisht, mundi ta përballoj pa ndonjë problem, duke qenë se në kohën kur jetonte në Kosovë, ajo kishte punuar si mësuese e pianos në shkollën private “Yllëzat” në Prishtinë për 3 vite, si dhe jepte mësime private.

Në qoftë se viza nuk do më aprovohej, mendoj se do të vazhdoja me mësimdhënie në shkollën e muzikës në Vushtrri, e ndoshta edhe do aspiroja që të hapja shkollën time private, por sigurisht, do vazhdoja studimet Master në Universitetin e Prishtinës”, thotë Adea.

Përveç vështirësive të përkohshme me procedurën e marrjes së vizës, Adea gjithashtu ballafaqohej me vetveten, duke u ndjerë, ndonjëherë, skeptike mbi vendimin e saj.

 “Të kalosh një oqean definitivisht nuk ka qenë një iniciativë e lehtë për t’u marrë”.

Mirëpo, me kalimin e kohës, duke parë mundësitë që iu janë ofruar, njohja me kultura të reja, avancimi profesional, pavarësimi personal dhe zgjerimi i njohurive si një artiste e siguruan atë se vendimi që kishte bërë ishte mëse i duhur.

Amerika thuhet të jetë vendi i ëndrrave dhe mundësive. Në qoftë se ofrohet shansi për të studiuar në ShBA, unë plotësisht besoj se duhet ndjekur. Problemet financiare ekzistojnë edhe këtu, mirëpo, nëse jeni menaxhues të mirë të mundësive të ofruara, mund t’ia dilni”, këshillon Adea çdo kënd që ka aspirata të ngjashme.

Shumica nuk synojnë migrimin si arsye studimi….

Sipas raportit të Departamentit të Sigurisë së Atdheut për vitin fiskal 2019, rreth 17% e qytetarëve të Kosovës që kanë emigruar me qëllim studimi ose si vizitorë nuk janë kthyer në fundin e qëndrimit te planifikuar. Një keqpërdorim i tillë i vizës, sipas Fina-it, është një problem që mund të ketë pasoja që zgjasin një jetë të tërë.

Në një studim të bërë nga Fondacioni “Friedrich Ebert”, i quajtur “Studimi për Rininë – Kosovë” (2018/2019), thuhet se rreth gjysma e të rinjëve kosovarë synojnë për të migruar, mirëpo shumica e tyre nuk synojnë të migrojnë për arsye studimi. Vetëm tre për qind e të rinjve kosovarë, sipas raportit, kanë qenë jashtë vendit për qëllime studimi të nivelit të arsimit të lartë, ndërsa një tre përqindësh tjetër ka qenë jashtë për trajnime dhe arsim profesional.

“Këto të dhëna tregojnë një integrim të ulët të të rinjve kosovarë me sistemet arsimore dhe trajnuese të huaja”, shkruan në studimin e përmendur.

Në këtë studim është llogaritur se 48% e rasteve që janë marrë për t’u studiuar, arsyetohen me pasjen e një standardi më të mirë jetese jashtë vendit, mundësi më të mirë punësimi e arsye të tjera ekonomike, ndërsa vendet me preferencat më të larta për të migruar ishin Zvicra e Gjermania. Artikulli thekson se arsyeja e këtyre rezultateve qëndron tek prezenca e madhe e shqiptarëve që jetojnë në vendet e përmendura.

Këtë fakt e mbështesin edhe statistikat e bëra nga Instituti GAP. Në publikimin e kësaj organizate “Ekonomia e Vizave”, thuhet se Gjermania mban rekordin e aplikimeve për vizë, e pas vjen  Zvicra.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në përmbledhjen mbi emigrimet ndërkombëtarë – “Vlerësim: Popullsia e Kosovës 2018” pohon se gjatë vitit 2018 nga Kosova kanë migrurar gjithsej 28,164 banorë, përfshirë ata legal dhe ilegal, me vlerësimin se pjesa më e madhe e tyre ishin legal. Aty gjithashtu ceket se ShBA-të, Kanada dhe Turqia ishin disa destinacione të tjera ku kosovarët kishin emigruar, përveç vendeve të Bashkimit Europian, duke lënë kështu bilancin e migrimit ndërkombëtar, d.m.th migrimin neto,  në Kosovë, për vitin 2018, në 21,402 banorë.

Një publikim tjetër, ai i Instituti të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK) – “Migrimi i Ballkanit Perëndimor në BE”, përmendet se gjatë vitit 2019 Kosova mbante vendin e dytë pas Shqipërisë për migrime në BE.

Sipas raportit statistikor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm gjatë muajve janar-mars të vitit 2020, janë dhënë 1056 vendime për lirim shtetësie, 1043 prej të cilave kanë qenë pozitive.

Marrja e vizës mbetet kokëçarje

Diellza Mujaj, 24-vjeçarja nga Kamenica, ndan përvojat e saj lidhur me udhëtimin e saj jashtë Kosovës për raste trajnimi. Studente në fushën e të drejtave të njeriut në Universitetin Leiden në Holandë, përshkruan procedurat si konsumuese të kohës. Ajo tregon për faktin se si, edhe pse posedonte një vërtetim mbi mbulimin e shpenzimeve nga organizata mbi eventin për të cilin planifikonte të shkonte, Ambasada e Greqisë i kishte kërkuar asaj kontratën e punës së prindit, së bashku me të ardhurat e tij mujore. Gjithashtu, ajo vlerësonte të cekte implikimet kohore, ku viza nuk iu është lëshuar deri 1-2 ditë para nisjes.

Me një motivim për të studiuar jashtë, për të ndërruar sistemin e edukimit, kulturën dhe vendin ku jeton, Diellza u nis për në Holandë për një mundësi jetësore. Në rast të refuzimit të kësaj mundësie, ajo e paramendonte veten duke bërë një praktikë në Kosovë, e “në skenarin më të mirë, e punësuar diku”.

Jo gjithçka lidhur me izolimin shtetëror ka të bëjë me efekte negative tek popullata e Kosovës. Ana e mirë e izolimit shtetëror kontribuon në krijimin e kushteve të mira të punës për agjencitë që merren me ndihmimin e qytetarëve gjatë rrugëtimit të tyre për të marrur vizën e dëshiruar.

Mirsad Krasniqi, student i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës dhe banor i Vushtrrisë, thotë se agjencia ku punon ai, e cila gjendet në Prishtinë, nuk do të kishte aq shumë punë në qoftë se do bëhej liberalizimi i vizave.

Krasniqi punon në një agjenci në Prishtinë që ndihmon qytetarët e Kosovës të cilët aplikojnë për vizë gjermane, agjenci kjo, që sipas tij ka shkallë të mjaftueshme të suksesit, duke qenë se klientët e saj japin “telefonata të gëzueshme” pasi përfundojnë procesin e tyre. Të marrësh një vizë gjermane, sipas Mirsadit nuk ka qenë aq e lehtë, mirëpo tani kjo ka ndryshuar.

“Ka qenë shumë e vështirë, mirëpo kohëve të fundit po ‘lëshojnë dorë’ pak, ngase ka numër të madh (të aplikuesve)”, thotë ai.

Në njoftim për KosovaLive nga Ambasada Gjermane në Prishtinë për KosovaLive, në vitin 2019 janë lëshuar rreth 51.000 viza, ndër to 36.000 viza për qëndrime afatshkurtëra dhe 15.000 viza për qëndrime afatgjata.

Një përvojë jo aq të pandërlikuar kishin përjetuar Albesian Sekiraqa, 23-vjeçari që punon si “web developer” në Prishtinë dhe Besarta Breznica, gazetare dhe hulumtuese 23-vjeçare. Edhe pse të ftuar për të marrë pjesë në një trajnim të organizuar nga Rycoh për 100 vjetorin e Luftës së Dytë Botërore në Berlin, Albesiani dhe Besarta, së bashku me katër të rinj nga Kosova, u ballafaquan me të njëjtat probleme sikur dikush që aplikon për vizë normale.

Procesi i marrjes së vizës ka qenë eksperienca më e keqe që kam pasur deri tash dhe më ka rrënuar dëshirën që, ndonjëherë, të udhëtoj përsëri jashtë Kosovës”, rikujton Besarta.

Problemin parësor që e veçuan ata ishte mungesa e informatave: se si pas shkuarjes së tyre në ambasadë kërkoheshin dokumenta të tjera nga ato që iu ishin udhëzuar në një e-mail paraprak; prania e një shume të caktuar parash, ani pse çdo shpenzim do të mbulohej nga organizatorët e eventit. Një rast i ngjashëm me atë të Diellzës, sipas tyre, ishte diçka e kotë dhe e paarsyeshme dhe një faktor mjaft ndikues në vonimin e marrjes së vizës, ndërsa takimi për marrjen e vizës ishte caktuar pas përfundimit të trajnimit, gjë që u zgjidh vetëm me ndihmën e anës gjermane, duke bërë ndërhyrje dhe intervenime të nevojitura.

 “Po të vazhdonim me zgjidhjet e ofruara nga Ambasada Gjermane në Kosovë, atëherë do vonoheshim më shumë për marrjen e vizës, e ndoshta edhe do të pësonte refuzimi i saj”, u shpreh Albesiani.                  

Si pasojë e këtyre proceseve ndërlikuese, grupi i Albesianit dhe Besartës humbën plotësisht fokusin me parapërgatitjet që duheshin bërë për trajnimin në Berlin, duke shpenzuar tërë kohën dhe mundimin e tyre për marrjen e vizës, shtesë kjo që kishin mbi stresin e shpenzimeve.

Besarta tregon se si nuk e kishte shijuar aspak udhëtimin e saj në Gjermani, për shkak të “malltretimeve” që kanë ardhur nga aplikimi i vizës, duke mos e lënë atë që të shijojë dhe udhëtojë Gjermaninë, “përveç marketit dhe furrës që kisha përballë hotelit.”

Dilema të ngjashme edhe në Shqipëri

Në një raport, të bërë nga INSTAT në vitin 2019, i titulluar “Diaspora e Shqipërisë në shifra” , vlerësohet që 1.641.354 individë u gjenden jashtë territorit gjatë atij viti, duke shënuar një rritje të diasporës me rreth 3,6 %. Në këtë raport, gjithashtu, ceket se rreth 76% e atyre përllogaritjeve përfshijnë grupmoshën 15-65 vjeç.

Elisabeta, një admiruese dhe vlerësuese e udhëtimit nga Shqipëria, tregon se për shqiptarët që jetojnë në këtë vend, të bësh një vizitë të shkurtër në ndonjë shtet tjetër nuk është aq problematike sa është për kosovarët, ku i vetmi shqetësim që ndodhte të kishte ishte koha e nxjerrjes së biletës, apo çanta që duhet paketuar në atë vizitë, teksa kosovarët ballafaqohen me probleme të shumta, që paraqiten me procedurat e dokumentacioneve që duhet parapërgatitur. Këtë privim të lëvizjes së lirshme, Elisabeta e quan “diskriminim”, duke qenë se personalisht ka has që të jetë dëshmitare mbi komplikime të tilla me kosovarë.

Me ndihmën e programit Erasmus+ për studime jashtë vendit, Elisabeta kreu një vit akademik në universitetin “Alexandru Ioan Cuza” në Iashi, Rumani.

Vendimi për të shkuar dhe studiuar atje ka qenë njëri nga vendimet më të rëndësishme dhe më të drejta që kam bërë deri më tani”, thotë Elisabeta.

Elisabeta, duke qenë gjithmonë e interesuar rreth shoqërisë dhe komunitetit të saj, ka vërejtur se si të rinjtë e Shqipërisë shprehin më shumë dëshirë për të dalur nga shteti, të studiojnë dhe jetojnë jashtë, më shumë se sa të qëndrojnë dhe të kontribojnë në shtetin e tyre.

Absolutisht që ka të rinj të pafund që duan të ikin jashtë vendit, mirëpo ata duan që të përdorin këtë pjesën e studimit si një lloj trampoline apo si një lloj urë lidhëse që i çon këta studentë në qëndrimin e tyre të përhershëm në shtetin e dëshiruar, gjë për të cilën askush nuk mund t’i fajësojë.” thotë Elisabeta .

Dëshira e këtyre të rinjëve për të dalë jashtë është, ndoshta, aq e madhe, saqë mund t’i shtyjë ata edhe në imigrim ilegal, një gjë jo e panjohur ose e padëgjuar në Kosovë. Deri tek një vendimi i tillë, sipas saj, mund të të çojnë një sërë faktorësh, si gjendja ekonomike, ose situatat politike, e në shumicën e rasteve është një vendim i bërë nga dëshpërimi, më shumë sesa nga dëshira. Ajo konsideron se mungesa e shprehjes së potencialit të tyre është njëra ndër arsyet kryesore për ikje.

Elisabeta Rada në një seminar informues për programe të studimeve jashtë: janar, 2020

“Shoqëria jonë nuk mund të bëhet më e mirë vetëm nga lart-poshtë, shoqëria jonë mund të bëhet më e mirë edhe nga poshtë-lartë, pra nga popullata në institucione” thotë Elisabeta, duke e vlerësuar Kosovën si një shembull të mirë, ku lëvizjet civile e protestat kanë ndihmuar që në fitimin e pavarësisë, deri në ndryshimin e politikave të caktuara.

Shasha: Faji apo përgjegjësia s’duhet kërkuar tek studentët, por tek institucionet

Drejtor ekzekutiv i Institucionit për Politikat Evropiane të Kosovës (EPIK), Demush Shasha, thotë se, si rrjedhojë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, anëtarësimi i Kosovës, si dhe liberalizimi i vizave do vijojnë garantueshmërisht, me kusht që Kosova t’i përmbush dy kritere parësore dhe konkrete. Kriteri i parë ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, të cilën Shasha e konsideron të pasuksesshme, që prej katër viteve që është bërë rekomandimi në Komisionin Evropian për liberalizimin e Kosovës. Ndërsa kriteri i dytë është lidhur me kthimin e Kosovës në dialogun e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Sipas Shashës, nëse këto dy kritere përmbushen, atëherë e ardhmja mund të duket më optimiste sa i përket vendimit për liberalizimin e vizave.

Se a do të ndodh këtë vit, tërësisht varet prej institucioneve të Kosovës”, shprehet ai.

Shasha gjithashtu tregon për nivelin e pakënaqësisë që të rinjtë e Kosovës kanë, në aspektin social-ekonomik, si dhe në atë politik, gjë që, sipas tij, është arsyeja kryesore e imigrimit të tyre.

Në intervistën që u mbajt për KosovaLive, Shasha pasqyroi rëndësinë e arsimit dhe shkathtësive akademike në krijimin e një të ardhmeje të begatshme, duke e parë dërgimin e të rinjëve që të studiojnë në shtete të huaja si diçka prosperuese. Duke e parë mundësinë e të rinjëve në gjetjen e të ardhmës së tyre në vendet ku shkojnë për të studiuar, Shasha shpreh dëshirën e kthimit në vendin e tyre, në mënyrë që të ndihmojnë në ndërtimin e një kapitali.

Demush Shasha, Europe House, tryeza diskutuese për IPA III; Shkurt, 2020

Faji apo përgjegjësia nuk duhet kërkuar te studentët, përgjegjësinë duhet kërkuar tek institucionet, pasi që janë instituiconet ato që duhet të krijojnë incentiva të nevojshme që të mbështesin studentët në ndjekjen e studimeve jashtë vendit, por pastaj të krijojë incentiva të nevojshme për kthimin e tyre dhe përdorimin e shkathtësive të tyre në ndërtimin e institucioneve në Kosovë”, thotë Shasha.

Shend Badivuku

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM