Gjykuar nga deklaratat më të fundit të krerëve dhe zyrtarëve të lartë të partive politike të pozitës dhe opozitës, por edhe të njohësve të mirë të skenës politike kosovare, nuk përjashtohet mundësa që në çerekun e parë të vitit të ardhshëm të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Arsye kryesore është mosgatishmëria e akterëve politikë kryesorë që ta arrijnë konsensusin rreth zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Një mendim të këtillë e ka edhe politologu, Ramush Tahiri, i cili konsideron se edhe pas zgjedhjesh do të ketë probleme për të siguruar 80 vota të deputetëve për zgjedhjen e presidentit kosovar.
“…80 nuk mund të bëhen, 61 për t’u zgjedhur mund të bëhen, mirëpo 80 jo. Nuk besoj që edhe pas zgjedhjeve që unë llogaris që do të mbahen më 28 shkurt, nëse do të ketë kuorum prej 80 deputetëve”, u shpreh ai.
Edhe Blerim Burjani, njohës i zhvillimeve politike i tha DW-së, se gjasat janë të vogla që të ketë një konsensus për emrin e presidentit të ri.
“Pak ka shpresë që këto parti do të kenë mundësi të arrijnë konsensus për të zgjedhur një president nga radhët e tyre apo të ketë propozime për ndonjë kandidat jo partiak. Pra, gjasat janë të vogla, duke pasur parasysh inatet e mëdha të akumuluara në këtë periudhë kohore qeveritare. VV u shkarkua nga qeveria, ndërsa PDK mbeti pa udhëheqës të saj, dhe në këtë fazë nuk ka guxim individual për konsultime pa kreun e saj partiak që tashmë është i akuzuar nga dhomat e specializuara. Në anën tjetër, LDK nuk është e gatshme t’ia falë postin e presidentit Ramush Haradinajt, sepse në fund këtë post e do për vete”, thotë Blerim Burjani.
Deri më tani Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka nominuar liderin e saj, Ramush Haradinajn për president të ardhshëm të Kosovës, duke theksuar se ekziston edhe një opsion i dytë – zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Nuk e shoh si shqetësim këtë për vete, për aspektin politik, por për Kosovën. Kosova i ka energjitë e brendshme për t’i kaluar këto. Aspektet e çështjes së zgjedhjes së Presidentit do t’i zgjidhim në bazë të Kushtetutës. Si Aleancë kemi dhënë një opsion që është një marrëveshje politike. Opsion tjetër janë zgjedhjet. Nëse ka mirëkuptim nga palët e mirëpresim, nëse jo, kuptohet jemi në zgjedhje”, është shprehur Ramush Haradinaj.
Deri tani Haradinaj nuk e ka marrë mbështetjen për propozomin që ai të jetë president as nga partnerët e tij të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, por as nga opozita.
Përkundrazi, duket që e ka pamundësuar edhe bashkëpunimin e mundshëm në të ardhmen me Partinë Demokratike të Kosovës, pasi që në një intervistë i ka quajtur “hajna të “klanit Pronto”.
Ka reaguar menjëherë Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejojë që dikush ta marrë peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike paralamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një̈ president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë”, ka shkruar në Facebook Hoxhaj, duke shtuar edhe se kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së duhet ta kuptojë që në atë propozim e ka edhe kandidatin e këtij subjekti.
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, e ka akuzuar Haradinajn për prishjen e raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.
“Një person të tillë, i cili nga java në javë i ndryshon deklarimet, është vështirë edhe me e komentu. Ai nga emisioni në emision i ndërron qëndrimet. Kur kemi ba koalicion me z.Haradinajn në vitin 2017, ne kemi qenë favorit me i fitu ato zgjedhje, kemi qenë në pozitë dhe e kemi vendosur si lider. Por, ai ka qenë lider i pabesë”, ka thënë Gjoshi për Gazeta Blic, duke shtuar se Haradinaj e ka bërë një deklaratë të tillë sepse e ka kuptuar që jo vetëm që nuk mund t’i marrë votat e Partisë Demokratike të Kosovës për t’u bërë president, por nga askush tjetër.
“…Haradinaj e ka quajtur dy vjet Albin Kurtin mashtrues, dy vjet tjera ka dalë në protesta me të. Ne e njohim të gjithë atë se si është ai. Por, AAK-ja në zgjedhjet e ardhshme nuk do ta kalojë as pragun zgjedhor”, konsideron Gjoshi.
Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se partia e tij nuk ka vota për Ramush Haradinajn si president.
“Joserioziteti i këtij koalicioni që është duke e qeverisur aktualisht vendin dhe që e ka degjeneruar aq shumë qeverisjen mendoj që e ka bërë edhe shumë më joserioze kandidaturën e z.Haradinaj… PDK-ja është partia e cila i ka dhënë mundësinë me qeverisë me vendin. I ka dhënë mundësinë me i sjellë të mira vendit duke qene kryeministër, ama ai ka dezertuar. Është larguar nga kjo pozitë, të cilën nuk e kemi pritë. Pra befasitë në politikë nuk janë të mira dhe këtu e kemi parë që Ramush Haradinaj di të bëjë befasi. Gjëja që më së paku duhet në politikë është befasia”, tha Tahiri në emisionin Pressing në Televizionin 7”.
Isa Mustafa, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës, konsideron se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë shumë afër.
“Ka deklarata dhe këmbëngulje publike se votojnë vetëm kandidatin e tyre për president dhe jo të një subjekti tjetër. Kjo dëshmon se beteja po zhvillohet në media dhe në debate, por se akoma nuk ka gatishmëri për tryezë. Koha po ikën dhe po rrëshqasim në zgjedhje”, u shpreh Isa Mustafa, i cili më parë ka deklaruar se funksioni i presidentit i përket Partisë Demokratike të Kosovës, si subjekti i dytë më i madh në Kuvend.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit është e vetmja parti që hapur angazhohet për majtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe tek pas tyre të zgjedhet edhe presidenti i ri.
“Është tejet e rëndësishme që presidenti i ri të zgjidhet pasi të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor. Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional. Kur kemi keqqeverisje është mosqeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE.
Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet”, thuhet në një deklaratë të Vetëvendosjes.
Edhe pse kryeministri, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar një tryezë të rrumbullakët të partive politike për të biseduar rreth mundësisë së zgjedhjes së një presidenti konsensual dhe për të evituar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, kjo nuk ka ndodhur deri tani.
Aktualisht, funksionin e presidentit e kryen Vjosa Osmani, kryetare e Parlamentit të Kosovës, ndërsa sipas Kushtetutës këtë funksion mund ta kryejë më së shumti gjashtë muaj.
Nëse partitë politike nuk merren vesh për një emër konsensual, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje për një përbërje të re të kuvendit.
Për zgjedhjen e presidentit është e obligueshme që në sallë të jenë më së paku 80 deputetë.
Në anën tjetër, analisti i njohur, Bleron Baraliu, ka bërë një parashikim të rezultatit të zgjedhjeve, nëse të njëjtat do të mbaheshin në shkurt të vitit 2021.
Sipas Baraliut, në këto zgjedhje do të fitonte Vetëvendosje me rreth 37%, pasuar nga PDK me 23%, ndjekur nga LDK me 15%.
Violeta Oroshi Berishaj