Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori sot pjesë në konferencën e nivelit të lartë për një klimë më miqësore të biznesit dhe investimit në Kosovë ‘’White Book 2020”, i organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian, në të cilën është diskutuar për klimën e investimeve në Kosovë nga perspektiva e investitorëve të BE-së.
Hoti tha se do t’i analizojnë me kujdes sugjerimet në këtë libër, këshillat dhe vërejtjet që mund të jenë për sektorë të caktuar, në mënyrë që ministritë dhe agjencitë e ndryshme t’i inkorporojnë këto vërejtje dhe sugjerime në planet e tyre të punës për vitin 2021.
Ai tha se është obligim institucional i Kryeministrit që të mbajë dialogun e hapur me të gjitha organizatat që përfaqësojnë bizneset, investitorët në Kosovë e në veçanti me Këshillin e Investitorëve nga vendet e BE-së.
“BE-ja për neve mbetet sigurisht aspirata jonë për integrim politik dhe ekonomik, por në të njëjtën kohë është edhe investitori më i madh në Kosovë, duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme sociale për fuqizimin e shtetit të së drejtës, për fuqizimin e konkurrencës dhe rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë së Kosovës’’, nënvizoi Kryeministri Hoti.
Ai theksoi se Kosova gjatë viti 2020 është ranguar në mesin e 20 vendeve që më së shumti kanë pasur përmirësim në nivel global, sa i përket kushteve për biznes dhe për investime.
“Deri në fund të vitit 2027 janë disa orientime, plane investive që janë me interes dhe në këtë drejtim pres mbështetjen tuaj për të promovuar këto plane dhe për të nxitur investitorë nga BE-ja për të qenë pjesë e këtyre zhvillimeve. Një nga ta është plani për mbështetje ekonomike dhe investime për Ballkanin Perëndimor i BE-së ku hyn edhe Kosova për 7 vjetët e ardhshme’’, tha Hoti.
Kryeministri Hoti paralajmëroi se në mars do të finalizohet ‘’Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030’’ e cila ndihmon institucionet që t’i orientojnë më mirë resurset publike dhe të koordinojnë mbështetjen nga donatorët për dekadën e ardhshme.