Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur sot një Konferencë për Media përmes së cilës ka dalë me disa zotime publike në lidhje me përfshirjen e Luginës së Preshevës në jetën publike dhe politike të Kosovës.
Në këto zotime, ndër të tjera, Hoxhaj ka thënë se PDK-ja do të përfshijë në listën e saj për deputetë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës si dhe të nisë iniciativën që shqiptarët e Luginës së Preshevës të pajisen me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës.
Në 7 zotimet që ka bërë publike sot kandidati i PDK-së për kryeministër, përfshihen edhe Ligji për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, themelimi i Agjencisë Shtetërore për Luginën e Preshevës, rritja e kuotave për studentët nga Lugina dhe krijimi i kuotave të reja për studentët e dëbuar nga Lugina që ndodhen në Kosovë, katër pika të reja kufitare me Luginën e Preshevës dhe Fondi i përhershëm për kthimin e shqiptarëve të Luginës të dëbuar nga vatrat e tyre
“Më lejoni që fillimisht t’ua uroj të gjithëve Vitin e Ri dhe të uroj që ky vit të sjellë shëndet dhe begati në familjet tuaja. Po ashtu, shpresoj që në vitin e ri qytetarët nuk do të shqetësohen nga zhgënjimet që i pësuan në vitin e kaluar me dy qeveritë e dështimit dhe partitë që keqqeverisën.
Kjo është konferenca e parë për këtë vit, dhe flet për seriozitetin dhe vendosmërinë që kemi si Parti Demokratike për ta prezantuar një ofertë të re për qytetarët e vendit dhe një kontratë që do ta lidhim së bashku dhe përfaqëson pritjet e vitit 2021.
Në javën e kaluar të fundit të 2020-tës, pas propozimeve që shpalosëm për diasporën, sot si kryeministër i ardhshëm i Kosovës do të prezantoj para qyetarëve të Kosovës zotimet tona konkrete për një pjesë tjetër të kombit që nuk jeton në Kosovë, por në Luginën e Preshevës, e cila vazhdimisht ka qenë një brengë e madhe për Partinë Demokratike.
Si një parti e dalë nga lufta dhe me themele të forta patriotike, gjithmonë ka qenë e përkushtuar që t’ia zgjas dorën e përkrahjes vëllezërve dhe motrave tona të Luginës së Preshevës.
Partia Demokratike në vazhdimësi e ka përcjellë me shqetësim gjendjen e shqiptarëve të Luginës, situatën e rëndë ekonomike të tyre, diskriminimin shtetëror të ushtruar ndaj tyre dhe plagën e emigrimit të shqiptarëve nga vatrat e tyre në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Ne nuk jemi një parti populiste që flet për kombin dhe Luginën vetëm për vota, as nuk jemi parti për tregtarë flamujsh që patriotizmin e kanë vetëm për imazh, por PDK-ja gjithmonë, me veprime konkrete, i ka dalë në krah vëllezërve tonë në Luginë.
Po përmendi vetëm disa cfarë kemi bërë kur kemi udhëhequr me qeverinë e vendit:
(a) Partia Demokratike dhe Qeveria Thaçi patën nisur abetaret e para në gjuhën shqipe në drejtim të Luginës.
(b) Partia Demokratike, Kryeministri Thaçi dhe unë si Ministër i Jashtëm, kemi qenë në krye të betejës për t’i bërë presion Serbisë për çështjen e monumentit të UÇPMB-së në Preshevë.
(c) Në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, në janar 2014, për herë të parë Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë ndanë një fond të mbështetjes financiare për Luginën.
(d) Kryetari Kadri Veseli gjithnjë e ka pasur pikë të dobët fatin dhe gjendjen diskriminuese të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
(e) Ka qenë qëndrim i kryetarit Kadri Veseli dhe vazhdon të jetë qëndrim edhe i imi si kryeministër i ardhshëm se asnjë marrëveshje paqeje nuk mund të ndodhë midis Kosovës dhe Serbisë nëse çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk adresohet dhe ky do të jetë pozicioni kyç negociues i qeverisë së udhëhequr nga unë dhe PDK-ja.
Prandaj sot, Partia Demokratike e Kosovës, si aleate e natyrshme dhe historike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dhe unë si Kryeministër i ardhshëm, i shpalli këto zotime publike:
1. PDK-ja do të përfshijë në listën e saj për deputetë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës që e përfaqësojnë secilën komunë të Luginës, ashtu që zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dëgjohet në Kuvendin e Kosovës.
2. PDK-ja do ta iniciojë Ligjin për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës që do të garantonte zotimet ligjore të Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës duke krijuar strukturat e nevojshme, duke siguruar mbështetje financiare dhe mbështetje për zhvillimin arsimor, kulturor dhe shoqëror.
3. PDK-ja dhe qeveria e udhëhequr nga PDK-ja do ta themelojë Agjencinë Shtetërore për Luginën e Preshevës si organ koordinues i Kosovës për adresimin e sfidave të shqiptarëve të Luginës dhe për koordinimin e ndihmës shtetërore të Kosovës. Kjo Agjenci do të jetë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejt të Kryeministrit të Kosovës.
4. PDK-ja do të marrë iniciativën që shqiptarët e Luginës së Preshevës të pajisen me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës. Kjo do të realizohet përmes nismës së PDK-së për ta amandamentuar Ligjin për Shtetësinë e Kosovës.
5. PDK-ja do ta ndërmarrë rritjen e kuotave për studentët nga Lugina dhe krijimin e kuotave të reja për studentët nga Lugina që ndodhen në Kosovë.
6. PDK-ja dhe qeveria e drejtuar nga PDK-ja do t’i hapë katër pika të reja kufitare me Luginën e Preshevës, ashtu që ta lehtësojë qarkullimin e shqiptarëve të Luginës. Këto pika kufitare do të jenë në këto fshatra të Luginës – Muhoc, Breznicë, Dobrosin dhe Ranatoc.
7. PDK-ja do ta krijojë Fondin e përhershëm për kthimin e shqiptarëve të Luginës të dëbuar nga vatrat e tyre. Ky Fond i Qeverisë së Kosovës do të jetë me vlerë prej 5 milionë eurosh në vit dhe do të orientohet nga zhvillimi ekonomik, kulturor, rual dhe arsimor i Luginës së Preshevës.
Vëllezër dhe motra të Luginës,
Për fund, më lejoni që t’ua uroj Vitin e Ri juve, shqiptarëve të Luginës dhe t’ju garantoj se këto janë 7 zotimet të cilat Partia Demokratike dhe unë si kryeministër i ardhshëm deklarohemi para jush se do t’i implementojmë që në muajt e parë të qeverisjes”.