Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës, ka mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike.
Në mbledhjen e 57 me radhë, Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe vendimin për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, në projektin për sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë Informative të Policisë së Kosovës.
Qeveria në detyrë, i ka propozuar kryeministrit Hoti emërimin e Samedin Mehmeti, drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, të Projektit për sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë së Informacionit të Policisë së Kosovës. Bëhet fjalë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë së Informacionit të Policisë së Kosovës, që vlerësohet të jetë i ndjeshëm dhe konfidencial.