Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gratë thyejnë steriotipin gjinor – fusha e IT s’është vetëm për burra!

Jan 21, 2021

Flatra Thaçi nga Gjakova, është një nga shumë vajzat që po i thyen steriotipet gjinore, se fusha e teknologjisë së informacionit është vetëm për burra.

Ajo që në moshën 16 vjeçare kishte filluar të njihej edhe më shumë me këtë fushë, nga kur pastaj e përcollën vetëm sukseset.

Thaçi kishte kryer shkollën e mesme në drejtimin “Matematikë dhe Informatikë” në Gjakovë, ndërsa studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në Universitetin e Prishtinës.

Pasi kishte filluar studimet në Universitetin e Prishtinës, ajo tregon se kishte filluar të punonte si mentore e klasave të programimit për fëmijë në fondacionin BONEVET.

Unë jam pjesë e familjes së BONEVET për më shumë se 5 vite. Në BONEVET, vajzat kanë mundësi të njëjta ashtu sikurse dhe djemtë. Duhet theksuar se në çdo klasë të BONEVET, qëllimi kryesor është të arrihet barazia gjinore”, thotë ajo.

Flatra Thaçi nga Gjakova studente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në Universitetin e Prishtinës

Thaçi ka treguar se fillimisht babai i saj ia kishte sugjeruar që të vizitonte hapësirat e BONEVET, dhe se në momentin e parë që e ka vizituar këtë fondacion, ajo ka mbetur e mahnitur, për shkak se kishte parë makineri të ndryshme, e teknologji të re.

Në fillim ka qenë e vështirë, pasi ishte hera e parë që shihja pajisje të tilla, e mendimi se ato janë të pamundura për t’u përdorur ma krijonte këtë vështirësi. Por, me ndihmën e stafit të palodhur të BONEVET dhe shokëve/shoqeve kam arritur t’i tejkaloj të gjitha vështirësitë”, ka treguar ajo.

Ajo është shprehur se vajzat janë shumë të mira në fushën e teknologjisë dhe se shpreson që steriotipi se kjo fushë është për burra, të largohet sa më shpejt.

Ndërsa, edhe 27 vjeçares Gresa Halimi, që kur ishte në moshë të re i kishte pëlqyer fusha e teknologjisë së informacionit.

Ajo kishte vazhduar studimet për Shkenca Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, ku edhe kishte qenë studente e dalluar.

Menjëherë pas kryerjes së studimeve, Halimi kishte filluar të punonte si zhvilluese për aplikacione Android. Gjatë vitit 2017, ajo kishte punuar si zhvilluese e Android-it në OpenResearch, ndërsa që nga viti 2019 ajo punon si zhvilluese e Android-it në një bankë në Holandë.

Halimi tregon se si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit është vlerësuar shumë për punën që ka bërë, e inkurajuar edhe nga fakti se edhe numri i vajzave që po merren me teknologji të informacionit është duke u rritur në krahasim me vitet e kaluara.

Që në moshë të re kam qenë më shumë e interesuar për fushën e teknologjisë. Pasi kam kryer studimet kam arritur të punësohem në një kompani si zhvilluese e aplikacioneve në Kosovë. Kam pasur disa oferta për punë, ndërsa që një vit jam duke punuar në profesionin tim në Holandë”, ka thënë ajo.

Për t’u marrë me këtë fushë thotë se duhet shumë angazhim dhe punë, por thekson ky profesion nuk është vetëm për burra, sepse edhe vajzat ja kanë dalur të jenë shumë të suksesshme.

Sukseset e kanë përcjellur edhe 22 vjeçaren, Qëndresa Bekaj nga Istogu, e cila është në përfundim të studimeve në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, në drejtimin Shkenca Kompjuterike.

Ajo thotë se gjithmonë ka pasur interesim për lëndët që lidheshin me fushën e teknologjisë së informacionit, dhe se tashmë ka arritur edhe të gjejë punë në një kompani softuerike zvicerane në Prishtinë.

Fillimisht kam bërë praktikë, pastaj kam vazhduar punën, gjithnjë e mbushur me motiv për t’u përballur me sfida të ndryshme dhe të reja që teknologjia na vendos para”, thotë ajo duke shtuar se në fushën e teknologjisë, mundësitë për punësim janë të mëdha.

Merita Gashi-Hajrizi, zyrtare për informim në kompaninë Cacttus, e cila ofron shërbime të teknologjisë së informacionit, është shprehur se vajzat janë shumë të përgatitura për fushën e teknologjisë.

Madje sipas saj, ato vazhdimisht janë të gatshme që të zhvillohen tutje edhe jashtë profilit te tyre.

Gashi-Hajrizi, ka bërë të ditur se vetëm në kompaninë Cacttus janë të punësuara 32 vajza.

Meqenëse Cacttus ka shkollën profesionale për fushën e teknologjisë, ne gjithmonë jemi në mbështetje të grave/vajzave që të orientohen në këtë fushë. Prandaj dhe jemi prezent në çdo panair ose aktivitet i cili e promovon mbështetjen e grave në fushën e teknologjisë”, ka shtuar ajo.

raportin e publikuar nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës në vitin 2014 me titull “Sfidat e femrave në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit” është thënë se vajzat e reja që veç kanë bërë përzgjedhjen e profesionit të tyre, kanë ndarë mendjen për të vazhduar studimet në fushën e teknologjisë, për shkak se ajo sjell të ardhura të mira dhe sepse e pëlqejnë punën me kompjuter.

 Megjithatë sipas raportit, rrugëtimi në fushën e teknologjisë së informacionit për femrat kosovare konsiderohet të jetë sfidë e madhe. 

Barrierat në të cilat femrat kosovare të TIK hasin janë nga më të ndryshmet dhe ato mund të ndodhin gjatë studimeve, në punë dhe pas pushimit të lehonisë”, është thënë në raport.

udhëzuesin “Përfshirja e perspektivës gjinore në praktikë” thuhet se vajzat janë ende larg djemve në programet e teknologjisë së informacionit, ndërkohë që ka më pak djem se vajza të regjistruara në shkencat humane, edukim, programe kulturore, dhe në disa vende, në mjekësi dhe punë sociale.

Mirishahe Syla, shefe e departamentit të kërkimeve në Qendrën për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Kërkime – SIT thotë se në drejtimet të cilat shihen më të përshtatshme për burrat, sidomos drejtimi i teknologjisë dhe shkencës, vajzat e kanë më të vështirë të kyçen.

Kjo sipas saj, sepse ato shpesh përballen me mos-gatishmërinë e familjeve të tyre apo të afërmve, apo shpesh edhe të vetë sistemit të edukimit për t’i parë ato si meritore apo si të përshtatshme për këto drejtime.

Syla ka thënë se akoma ekzistojnë mendimet që vajzat duhet të ndjekin drejtime të caktuara që u mundësojnë atyre të ndjekin edukimin dhe të zhvillojnë karrierën e tyre njëkohësisht me obligimet e tjera familjare që priten nga vajzat dhe gratë si pasojë e normave gjinore në shoqërinë tonë. Nga ana tjetër, ajo konsideron se qeveria nuk punon mjaftueshëm për të adresuar këto çështje.

Mirishahe Syla gjatë një ativiteti me Qendrën për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Kërkime – SIT

Për të fuqizuar rolin e grave dhe për t’i mbështetur ato në ndjekjen e studimeve që tradicionalisht nuk janë konsideruar të ‘përshtatshme’ për gratë, institucionet tona duhet të investojnë në fuqizimin ekonomik të grave paralelisht me përmirësimin e qasjes së tyre në edukim dhe mundësisë që ato të zgjedhin lirshëm fushën e studimeve”, ka thënë ajo për KosovaLive.

Për mbështetjen e vajzave në teknologji të informacionit, ka luajtur rol edhe fondacioni BONEVET.

Nga BONEVET në Gjakovë kanë treguar se fillimisht interesimi nuk ka qenë shumë i madh për aktivitetet e tyre, por që me kalimin e kohës fëmijët dhe të rinjtë e qytetit të Gjakovës kanë filluar të shfaqin interesim të shtuar dhe të bëhen pjese e tyre.

Ata thonë se planprogramet edukative dhe aktivitetet në BONEVET prioritet kanë fuqizimin e vajzave në cilëndo fushë që më herët është konsideruar fushë për djemtë.

Barazia gjinore konsiderohet themel për një shoqëri të mirëfilltë, prandaj në hapësirën BONEVET, të gjitha aktivitetet si klasat, trajnimet dhe të tjera zhvillohen me pjesëmarrje të njëjtë nga të dy gjinitë”, thonë ata.

Sipas tyre, nga viti në vit ka rritje dhe interesim për pjesëmarrje të vajzave në aktivitetet e tyre dhe se deri tani afërsisht 45% prej pjesëmarrësve janë vajza që kanë ndjekur aktivitetet dhe kanë qenë pjesë e projekteve të ndryshme në BONEVET.

Ndikimi familjar në përzgjedhjen e fushës së edukimit për vajza ka qenë mjaft i dukshëm edhe tek vajzat që janë pjesë e BONEVET, butësia dhe delikatesa femërore drejton tek paragjykimet që vajzat nuk mund ta kenë suksesin si të djemve kur është fjala në teknologji”, thonë në këtë organizatë.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit së shpejti pritet të lansojë projektin e radhës në shërbim të të rinjve dhe grave.

Zyra për Informim në këtë ministri, në një përgjigje për KosovaLive, thotë se përmes programit “Youth Online Up Work”, synohet që të trajnohen rreth 2000 të rinj për shkathtësi teknike.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit së shpejti do të lansoj projektin e radhës në shërbim të të rinjve dhe grave. Përmes programit YOU synohet që të trajnohen rreth 2000 të rinj për shkathtësi teknike (programim, dizajn grafik, marketing digjital etj), dhe pritet që së paku 80 % e tyre të kyçen në tregun e punës në fushën e TIK-ut”, thotë zyra për informim e kësaj ministrie.

Bëhet e ditur se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe me donatorë të tjerë ka afër 5 vjet qëkur e ka lansuar një ndër projektet më të mëdha në këtë fushë siç është projekti Women in Online Work, përmes të cilit janë trajnuar më shumë se 200 gra.

Përmes këtij projekti janë trajnuar më shume se 200 gra të reja nga 8 komuna të ndryshme të Kosovës. Më shume se 80% e të të diplomuarave nga ky projekt janë kyçur në tregun e punës si të vetëpunësuar, janë punësuar në kompanitë vendore apo ndërkombëtare”.

Viola von Cramon-Taubadel, raportuese e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian për Kosovën në raportin “Flasin gratë, një vit përkrahës nga BE për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në Kosovë”, ka bërë të ditur se BE-ja po përpiqet të përshpejtojë përpjekjet drejt barazisë gjinore në fusha të ndryshme, nga qasja e barabartë në shërbimet shëndetësore, në arsim dhe fuqizimin ekonomik deri tek nevoja për përfaqësim të barabartë në politikë dhe zgjedhje, sport, fe dhe kulturë, buxhetin gjinor dhe teknologji. 

Sipas saj, barazia gjinore është vlerë thelbësore e Bashkimit Evropian dhe është parim të cilin do ta mbështesim edhe në të ardhmen.

Ndërsa, në Strategjinë Kosovare për Rininë për vitet 2013-2017, të publikuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, një ndër qëllimet kishte qenë edhe përkrahja e të rinjve në fushën e inovacionit dhe ideve kreative, lëmi e cila konsiderohet si një element i rëndësishëm që ndikon në ofrimin e mundësive të reja për të rinjtë, në aspektin e edukimit, stimulimit të ndërmarrësisë dhe krijimit të mundësive shtesë për punësim, ngritjes së kapaciteteve dhe fitimit të njohurive të reja në fushën e teknologjisë informative dhe fushave tjera.

Edhe Valza Kika-Salihu, koordinatore e Trajnimit, në RIT Kosova (A.U.K), flet për interesimin e  vajzave për fushën e teknologjisë së informacionit.

 “Ka shumë interesim dhe ky trend është në rritje në vitet e fundit. Në të gjitha thirrjet dhe programet që kemi në kurset e IT inkurajohet pjesëmarrja e vajzave. Në trajnimet që ofrojmë falas (të financuara nga donatoret) pjesëmarrja e vajzave në këto kurse është 50 ose më shumë se sa e djemve”, thekson ajo.

Ardita Berisha, 22 vjeçare, edhe pse ende nuk ka përfunduar studimet, ka gjetur punë si programere.

Ajo është në përfundim të studimeve në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, në drejtimin Shkenca Kompjuterike, ndërsa pas praktikës që ka bërë kompaminë softuerike “Pupil” në Prishtinë, ka arritur të punësohet.

Gjatë këtij viti unë do të përfundoj studimet, pra më ka mbetur vetëm edhe diploma. Para tre muajve unë kam filluar praktikën dhe tani jam punësuar në një kompani e cila merret me krijimin e webfaqeve për shkollat në shtetet tjera”, ka thënë ajo.

Gresa Statovci, koordinatore në programin e praktikës dhe bursave në Fondacionin Milenuim Kosova, tregon për interesimin e madh të vajzave edhe në programet e tyre. Deri tani, më shumë se 1 mijë vajza kanë shprehur interesimin për programin “Gratë në Energji”.

Sipas saj, në programin e bursave kanë pasur rreth 300 aplikante të verifikuara.

MFK është bërë urëlidhëse për të tejkaluar hendekun ndërmjet nevojave për punëtorë në sektorin e energjisë dhe mungesës së aftësive teknike në industrinë e energjisë në Kosovë, duke krijuar punë praktike për vajza në bazë të nevojave të institucioneve në sektorin e energjisë”, ka thënë ajo.

Sipas Statovcit,  28 vajza janë duke studiuar në sektorin e energjisë në Amerikë, ndërsa 200 punë praktike me pagesë janë ofruar për vajza dhe gra në sektorin e energjisë.

Për shkak të pandëmisë, deri tani, jemi në proces të rekrutimit të rreth 20 vajzave. Punën praktike online kanë filluar 11 vajza. Vajzat gjithashtu vijnë nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe nga profile diverse. Punët praktike janë si inxhiniere të energjisë, hulumtuese, programere, asistente të menaxhimit të projekteve”, ka shtuar ajo.

Për të mbështetur fushën e teknologjisë, janë lidhur marrëveshje edhe me shtetet tjera.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Kosovës, Besim Beqaj, në shkurt të vitit të kaluar kishin vendosur që të punojnë në zhvillimin e digjitalizimit në të dy vendet.

Ndërsa sa i përket shteteve tjera, në raportin “Rinia në Shqipëri në vitin 2020” është thënë se zhvillimi i vendit, aksesi në arsim, teknologji, në vendimarrjen në komunitet dhe në shkolla, i ka ekspozuar adoleshentët mjaftueshëm për të qenë të ndërgjegjshëm dhe për të vendosur për veten dhe interesat e tyre.

Në Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë për vitin 2015-2020 në Shqipëri është thënë se një ndër sfidat që të rinjtë dhe organizatat rinore përballen sot, është jo vetëm mbështetja financiare për iniciativa të ndryshme por mbi të gjitha qasja dhe mungesa e informacionit ndaj burimeve.

Analizën e Gjendjes së Grave dhe Fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, të publikuar nga UNICEF, është thënë se struktura gjinore në arsimin fillor dhe të mesëm është relativisht e barabartë edhe pse numri i vajzave që vazhdojnë në nivelin sipëror është në rënie. 

Sipas këtij raporti, në shkencat teknike dhe teknologjike, numri i femrave të diplomuara është më i ulët në krahasim me meshkujt.

Në raportin “Gratë  në  Teknologji, koha për të  mbyllur hendekun gjinor” është  thënë  se hendeku mes burrave dhe grave në Britaninë e Madhe që studiojnë  dhe punojnë  në teknologji nuk është vetëm i pajustifikushëm në aspektin shoqëror por edhe i padrejtë duke u bazuar në aftësitë  e vajzave.

Ndërsa, në një raport tjetër për gratë në teknologji, thuhet se hendeku gjinor në teknologji është real. Sipas këtij raporti, aktualisht vetëm 17 për qind grave, është duke u marrë me teknologji.

Arbresha Berisha

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM