Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gratë në poste politike falë, vetëm, kuotës gjinore

Jan 28, 2021

Shoqëria kosovare, duke qenë një shoqëri konservative, e udhëhequr nga tradita dhe besimi se mashkulli është shtylla e shtëpisë, e ka të vështirë ta pranojë që një femër të udhëheqë më shtyllën kryesore dhe shtyllat ndihmëse të shtetit. 

Mirëpo, e pranoi ose jo shoqëria, në Kosovë kemi asambleiste, ministre, deputete të zonja, ndërsa në legjislaturën e fundit, Kuvendi i Kosovës drejtohet nga një femër, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte femra më e votuar duke marrë gjithsej 176 mijë e 16  vota, e së voni edhe ushtruese detyre e kryetares së shtetit. Edhe në vitin 2011, me vetëm tre vite shtet, Kosova udhëhiqej nga një presidente femër, Atifete Jahjaga. Femra të zonja ka gjithandej botës, por rasti më i freskët buron nga zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Kamala Harris shkroi historinë duke u bërë gruaja e parë dhe gruaja e parë me ngjyrë që zgjidhet nënkryetare e shtetit më të fuqishëm në botë.

Vendimmarrjet politike ndikojnë në mënyrën e jetesës së një populli të tërë, prandaj pa dyshim që gratë si pjesë përbërëse e kësaj popullsie duhet të kenë të drejtë të barabartë vendimmarrjeje, por në rastin më të shpeshtë atyre u jepet hapësirë sepse ashtu e kërkon kuota gjinore me Ligjin për Barazi Gjinore, e cila në Kosovë determinon përfshirjen e 30 për qind të femrave në parti politike, kuvend dhe qeveri.

Gratë shpesh përballen me gjykime dhe paragjykime morale, stereotipe gjinore dhe neglizhencë, duke ndikuar rolin dhe rëndësinë e gruas.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, të mbajtura më gjashtë tetor 2019, grave i’u dha më pak hapësirë në ngjarjet kryesore gjatë fushatave zgjedhore. Në shumicën e debateve televizive, ishin kandidatët meshkuj ata që morën pjesë. Edhe në zgjedhjet e vitit 2017, gjendja ishte e njëjtë. Kjo pabarazi gjinore në politikë bën që të paraqiten më shumë dyshime nëse ato shihen si të afta për të garuar apo iu jepet hapësirë vetëm për të plotësuar kuotën gjinore?

listat zgjedhore të zgjedhjeve të fundit, partitë kishin përfshirë në listat e tyre një numër të konsiderueshëm të femrave që kandidonin për deputete të Kuvendit të Kosovës. Nga 110 kandidatë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në listat e tyre zgjedhore kishin nga 34 kandidate femra, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në listën e saj të kandidatëve kishte 33 femra. Pra, listat e partive përbëheshin vetëm 30 për qind nga gjinia femërore, ndërsa pjesa tjetër ishin burra.

Pjesëmarrja e grave në listat e kandidatëve të subjekteve politike për zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës

Nga komuna e Deçanit, në zgjedhjet e parakohshme, për ulëse në Kuvendin e Kosovës garonin edhe Time Kadrijaj, Natyra Kuçi dhe Safete Hadergjonaj. 

Deputetja Time Kadrijaj karrierën e saj politike zyrtarisht e ka nisur që nga paslufta, por ajo thotë të jetë marrë pjesë në organizime dhe aktivitete politike qysh si gjimnaziste, në lidhje me përfaqësimin e gruas në Kuvend, thotë se pavarësisht që gjendja është përmirësuar tani, nëse nuk do të ishte kjo kuotë menjëherë pas luftës, do ta kishim një parlament veç me burra.

“… mirëpo ndër vite kemi parë që shumica e grave të cilat sot janë pjesë e Kuvendit të Kosovës nuk janë aty vetëm për shkak të kuotës por janë gra që po përfaqësohen me votën dhe besimin që e kanë marrë nga populli”, është shprehur deputetja Kadrijaj.

Edhe Natyra Kuçi, nga Deçani, ishte kandidate për deputete nga radhët e koalicionit AAK-PSD në zgjedhjet e fundit, e cila arriti të bëhet pjesë e Kuvendit për të plotësuar kuotën gjinore, por që më pas u zëvendësua. Mirëpo ajo vazhdon të jetë asambleiste në Kuvendin Komunal të Deçanit që nga viti 2017 dhe zëdhënëse e PSD-së gjithashtu.

Kuçi thotë se pozita e gruas në shoqëri, pabarazia ekonomike, diskriminimi i njerëzve në baza të ndryshme, janë disa nga shumë problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës, prandaj ka nevojë për aktivizëm politik që në vete mbërthen idenë për barazi e një jetë të dinjitetshme brenda shoqërisë kosovare.

“Diskriminimi në baza gjinore është pjesë fatkeqe e shoqërisë sonë. Si unë, e besoj çdo grua në një moment në jetën e saj, ka përjetuar diskriminim në lëkurën e saj vetëm për shkak të gjinisë së saj”, thotë Natyra.

Në një përgjigje të dhënë për KosovaLive, Partia Socialdemokrate dega në Deçan ka thënë se edhe pse janë në ristrukturim, veprojnë sipas parimit 50 për qind gra në vendimmarrje, dhe se në këtë parti, posti i një koordinatorës dhe asambleistes i takon gjinisë femërore. 

Numri i grave në vendimmarrje në nivel lokal është i pamjaftueshëm, ndonëse për arsye të ndryshme ekziston diskriminimi gjinor. Aktualisht në Komunën e Deçanit vërehen shenja përmirësimi pasi sipas rezultateve të zgjedhjeve lokale të vitit 2017, nga 27 asambleistë gjithsej, dhjetë janë femra, e që e përkthyer në përqindje i bie që janë 37 përqind femra.

Sa i përket listave të kandidatëve për asambleistë, gjendja nuk ishte e mirë, pasi këto shifra vetëm sa plotësonin kuotën gjinore. Nga radhët e PDK-së, për ulëse në Asamblenë Komunale në zgjedhjet e kaluara kishin kandiduar 23 kandidatë ku vetëm shtatë prej tyre ishin femra, ndërsa kjo parti fitoi tre ulëse, prej të cilave vetëm një i takoi gjinisë femërore. Në listën e kandidatëve nga radhët e AAK-së vetëm nëntë ishin femra nga gjithsej 29 kandidatë, ndërsa si parti fitoi 17 ulëse dhe vetëm gjashtë prej tyre ishin për femra. Nga LDK-ja ishin 29 kandidatë në mesin e të cilëve ishin vetëm nëntë femra, LDK fitoi gjithsej pesë ulëse, prej të cilave dy ishin për femrat. E nga Lëvizja Vetëvendosje pati 24 kandidatë, ndërsa vetëm tetë prej tyre ishin femra, e kjo parti fitoi dy ulëse dhe prej tyre 1 femër. 

Shkëlqesa Hadergjonaj, anëtare e Asamblesë Komunale nga radhët e PDK-së, shprehet e pakënaqur me shifrat e përfaqësimit të grave në Asamblenë Komunale duke theksuar se zëri i femrave në vendimmarrje në Asamblenë Komunale, nuk ka aspak ndikim.

“Në shikim të parë trajtohemi të barabarta, nuk vërehet që ka dallime, mirëpo kur vjen çështja tek vendimet ndryshon puna. Ne jemi angazhuar por rezultate nuk ka pasur, sepse në Komitetin për Politikë dhe Financa (KPF) kemi pasur edhe kërkesë që duhet me qenë edhe një femër mirëpo meshkujt nuk lëshojne pe”, shtoi Hadergjonaj.

Dafina Cacaj, një tjetër femër nga Deçani, e cila ka zgjedhur politikën për të dhënë kontributin e saj. Ajo më parë ishte pjesë e partisë së AAK-së, ndërsa aktualisht është shefe e kabinetit të kryetarit në Komunën e Deçanit. Edhe Dafina thotë të mos jetë e kënaqur me pjesëmarrjen e ulët të gruas në politikë. 

“Vendosa që të kyçem në politikë dhe të jem zëri i çdo gruaje në Deçan dhe të jem shembull për çdo gua tjetër sepse edhe ne mundemi të udhëheqim pozita jo vetëm burrat”, thotë Cacaj.

Ajo tregon se shpesh edhe është paragjykuar për punën e saj, por se ka punuar me shumë përkushtim.

“Ndonjëherë jam paragjykuar sepse në Kosovë jetojmë, por suksesi im nuk ka munguar sepse kam punuar me vullnet të madh dhe më është vlerësuar puna dhe angazhimi nga kryetari dhe kolegët”, shpjegon ajo.

Dy drejtori në Komunën e Deçanit drejtohen nga gratë. Leonora Ukëhajdaraj është një nga ato, e cila udhëheqë me drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Ajo thotë se se gjatë karrierës së saj ka hasur edhe në probleme gjinore që me angazhimin e grave në pozita të ndryshme në Komunë këto probleme kanë filluar të zbehen.

Në komunë kemi femra të zonja, e kjo ka bërë që tashmë të kemi rezultate të mira sa i përket barazisë gjinore’’, tregon Leonora, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport.

E një grua që i ka thyer të gjitha paragjykimet dhe nuk ka lënë hapësirë për dyshime në punën dhe aftësinë e femrave, është edhe Ganimete Musliu, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila karrierën e saj politike e ka nisur në moshën 20 vjeçare, duke u bërë pjesë e rinisë së PDK-së në Skënderaj. Në lidhje me hapësirën që u është dhënë grave në PDK, Musliu tha se janë të përfaqësuara mirë, megjithatë problemi me politikat gjinore ende ekziston tek të gjitha partitë.

Sot jo vetëm në PDK por të gjitha partitë përballen me një problem sa i përket politikave gjinore sepse edhe shoqëria jonë po përballet me këtë fenomen e partitë politike janë produkte të po kësaj shoqërie. Janë bërë 21 vjet nga lufta dhe ne kemi kaluar në shumë trende negative në Kosovë, po në përgjithësi po besoj që nuk janë zhvilluar politika të drejta gjinore”, ka thënë deputetja Musliu.

Sipas deputetes Musliu, gruaja në politikën kosovare ende po diskriminohet. 

“Unë mendoj që gruaja në Kuvendin e Kosovës është e përfaqësuar mirë sepse e kërkon kuota, por po mos të ishte kjo kuotë, sot në Kuvend përqindja e grave s’do të arrinte as pesë për qind dhe paramendo çfarë imazhi do të paraqiste ky konstelacion i Kuvendit. Them që kuota duhet të jetë 50/50, në këtë mënyrë kemi drejtësi në përfaqësim”, është shprehur Musliu.

Skënderaj, aktualisht vetëm nëntë nga 31 asambleistët janë të gjinisë femërore.

E Asambleja Komunale e Gjakovës, në përbërjen e saj ka 15 asambleiste femra, nga gjithsej 35 asambleistë. Mimoza Shala është pjesë e Asamblesë Komunale të Gjakovës, nga radhët e Vetëvendosjes. Ajo është kyçur në politikë para dhjetë viteve, ndërsa thotë se i është bashkuar këtij subjekti politik me qëllim që të ndryshojë gjendjen në të cilën gjendej vendi në atë kohë.

Sipas saj, gruas i duhet të punojë dyfish më shumë se burrat në mënyrë që të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet edhe brenda partive politike, por edhe në Asamblenë Komunale.

“Zakonisht shoh që vajzat dhe gratë në Asamble kryesisht përdoren si makineri votimi më shumë se sa për të ngritur ndonjë çështje e aq më pak për çështjen e brazisë gjinore, pra është një hendek i madh  në krahasim me ndikimin ose vendimmarrjen  e burrave dhe grave’’, është shprehur Shala.
Mimoza Shala, asambleiste nga radhët e VV në komunën e Gjakovës, thotë se po të mos ishte kuota gjinore (30 për qind), ndoshta vetëm pesë për qind e grave do të arrinin të merrnin votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit.

Asambleistja Shala ka shtuar se paragjykimet, steriotipet  dhe etiketimet janë të pashmangshme për një grua që merret me politikë.

“Në çdo mbledhje të Asamblesë, ata që ngrisin zërin për çështje të caktuar zakonisht janë burrat dhe çdo subjekt politik udhëheqësit i ka burra, kryetarët e komunave i ka burra dhe zakonisht vendimet merren nga burrat, ndërsa gratë janë ato të cilave u imponohet të vendosin ashtu siç duan burrat’’, tregoi Mimoza Shala.

Diana Qarkaxhia, tani anëtare e Alternativës, më parë punonte si trajnere, por duke parë parregullsitë dhe mundësitë që nuk u ofroheshin individëve, vendosi të kyçet në politikë në mënyrë që të përmbushë synimet e saj. Ajo thotë se në Asamblenë e Gjakovës ka pasur raste të fyerjeve dhe ofendimev ndaj gjinisë femërore nga asambleistët meshkuj. 

“Edhe kryetari Ardian Gjini në përgjigje që ka dhënë ka pas raste fyerje, si dhe nga kryesuesi ka  raste kur përdor gjuhë jo që i përket pozitës që mban sepse është kryesues i gjithë asambleistëve dhe nuk është vetëm i pozitës ose opizitës”, tha Qarkaxhia.

Hendeku i pabarazisë gjinore thellohet më shumë gjatë kohës së fushatës zgjedhore, ku gruaja prapë mbetet e pabarabartë me burrat, përballet me më shumë vështirësi e sfida. Gratë fushatat i realizojnë, në rastet më të shpeshta, me vet-financim, pastaj edhe debatet politike mbizotërohen nga pjesëmarrja e meshkujve.

Trajtimin jo të barabartë gjatë fushatës e pohojnë edhe deputetet Time Kadrija dhe Ganimete Musliu.

Sipas deputetes Ganimete Musliu pengesat më të mëdha gjatë fushatës zgjedhore për një grua janë konkurenca jo e barabartë dhe strategjitë partiake që bëhen në favor të burrave. Por përkundër këtyre problematikave, ajo thotë se personalisht kishte marrë përkrahje të madhe nga gratë dhe vajzat e Kosovës.

Kuota edhe pse ndikon në kuantitet paraqet në të njejtën kohë edhe rrezikun e trajtimit të grave si kuotë, si dekorim dhe thjeshtë si obligim që parasheh ligji. Prandaj, mendoj që gratë duhet ta shfrytëzojnë këtë kuotë si mundësi për të punuar drejtë në zhvillimin e politikave të cilat do t’iu leverdisin në të ardhmen edhe vajzave të tyre”, ka thënë kjo deputete nga radhët e PDK-së.

Sipas deputetës Musliu, të gjitha fushatat janë sipas modelit të burrave, takimet po ashtu sipas nevojave dhe dëshirave të burrave, prezantimi i partive apo qeverisë dominohen dhe shpesh është 100 për qind nga burrat. 

… gruaja në politikën e Kosovës e ka manovruar veten me një pozitë jo të mirë dhe përpjekja që ky fenomen të zbukurohet me fjalë është duke na bërë dëm të madh dhe do të bëjë dëm te gjeneratat e reja të vajzave të cilat për momentin nuk e kanë as motivin e as guximin që të kyçen seriozisht në politikë po qe se nuk e kanë një “shpinë” të fortë”, ka shtuar Musliu.

Edhe  deputetja Time Kadrijaj, duke folur për sfidat e gruas gjatë fushatës, ku thotë se një nga problemet për gratë, është se nuk përkrahen materialisht gjatë fushatave zgjedhore, por bënë fushatë vetëm me mjete vetanake, dukë shtuar se ato  asnjëherë nuk kanë përkrahje nga ndonjë donatorë sepse gjithmonë këta donatorë investojnë dhe përkrahin burrat më shumë. 

Ajo përmend si problem/sfidë edhe hapësirën mediatike që kanë gratë nëpër televizione publike dhe private, në media të shkruara apo elektronike që, sipas saj, është shumë e vogël në krahasim me hapësirën që ju jepet burrave, kandidatëve për deputet dhe kjo ka një rol shumë të rendësishëm gjatë fushatës zgjedhore. Por, gratë megjithatë kanë arritur që të fitojnë si gra deputete dhe jo vetëm përmes kuotës.

“Gratë si lidershe janë më të fuqishme sesa burrat qoftë edhe në pozita udhëheqëse nëpër institucione kudo qoftë në administratë publike, sepse gratë janë më punëtore, më të përgjegjshme, më pak të korruptuara dhe angazhohen maksimalisht në kryerjen e detyrave dhe obligimeve që iu jepen”, konsideron Kadrijaj.

Shpesh edhe ligjet e hartuara në fuqi bien në kundërshtim me rregullimin e barazisë, e kjo duke pasur parasysh faktin se neni 6 i Ligjit për barazi gjinore thekson se përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse. Ndërsa, sipas Ligjit për Zgjedhje Lokale, çdo listë e kandidatëve duhet të përmbajë së paku 30 për qind të kandidatëve të çertifikuar nga gjinia femërore, e që kjo paraqet një qasje juridike në kundërshtim me rregullimin e barazisë, duke pasur parasysh që Ligji për Barazi Gjinore përcaktonte qartë nevojën e përfaqësimit të barabartë gjinor në të gjitha institucionet dhe veçanërisht në jetën politike.

Përfaqësimi jo i kënaqshëm i gruas dallohet edhe më shumë nëse shohim përbërjen e Kryesive dhe Këshillave të partive politike. Postet e shefit të grupit parlamentar, nënkryetarit të partisë, kryetar dege dhe poste tjera kyçe, janë poste që rrallë iu besohen femrave. Nga 38 degë që ka Lidhja Demokratike e Kosovës asnjë grua nuk është kryetare dege. Ndërsa në listën e anëtarëve të kryesisë së LDK-së, vetëm katër janë femra ndërsa 19 janë meshkuj ose përkthyer në përqindje, vetëm 17.39 për qind janë femra, ndërsa pozita e nënkryetarëve dhe sekretarit u takon meshkujve. 

Nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, nga 25 anëtarë gjithsej sa ka kryesia, shtatë prej janë gra, ndërsa udhëheqëse të departamenteve brenda partisë janë vetëm dy gra. Ndërsa dega e PDK-së në Deçan, në një intervistë për KosovaLive pohon se gruaja është prezente në të gjitha strukturat e degës së kësaj partie, dhe se nënkryetarja e kësaj dege është femër, ndërsa në kryesinë e subjektit ka pesë femra nga 17 anëtar.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, sipas Agnesa Kastratit, koordinatore nga Sekretariati i Gruas Aktiviste të LVV-së, në zgjedhjet e kaluara ka pasur një dyfishim të anëtarësisë dhe një mbështetje të madhe nga gratë dhe vajzat. Në sondazhet e fundit, 55 për qind të votuesive të LV-së i përkasin gjinisë femërore. Por, sipas saj,  përgjithësisht si shoqëri, institucionet duhet bërë edhe më shumë që të drejtat e grave dhe vajzave të përparojnë edhe më shumë e edhe më shpejt.

“Gratë dhe vajzat përbëjnë rreth 25% të anëtarësisë totale në LV. Gratë brenda VETËVENDOSJE!-s janë të pranishme në secilin organ vendimarrës, ku dhe sigurisht që zëri i tyre dëgjohet e vlerësohet, ashtu siç dëgjohet e vlerësohet secili mendim sado divers që të jetë”, tha Agnesa Kastrati, koordinatore nga Sekretariati i Gruas Aktiviste.

Ajo gjithashtu thotë se gratë deputete të LVV-së janë zgjedhur pa kuotë dhe në qeverinë Kurti ka pasur më shumë se të gjitha qeveritë tjera gra në postet të larta.

“Ne si Lëvizje, përveç që të kemi më shumë gra që mbartin përgjegjësi në vendimarrje, angazhohemi sa më shumë që pwrmes politikave konkrete feministe të marrin fund padrejtësitë që u janë bërë grave historikisht në emër të gjinisë”, shtoj koordinatorja Agnesa Kastrati.

Në vetëm në një degë, prej gjithsej 35 sa ka Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryetare është femër ndërsa kryesia e AAK-së ka numrin më të madh të anëtarëve, 78 gjithsej,  nga të cilët femra janë 24, ose 30.7 për qind. 

Partia NISMA Socialdemokrate në kryesinë e saj, nga 48 anëtarë gjithsej dhe prej tyre 4 janë femra.

Në një hulumtim që kishte bërë organizata “Aktiv”, kishte gjetur se asnjë nga tetë komunat serbe nuk kishte pasur asnjëherë një femër në pozitën e kryetarit të komunës, të gjithë i përkasin gjinisë mashkullore. 

Por, e njëjtë është gjendja edhe me komunat tjera të Kosovës ku në 38 komunat e Kosovës, asnjë nuk është kryetare grua. Nga 91 subjekte politike që kandiduan për kryetarë në 38 komuna, vetëm tetë ishin kandidate femra.

Derisa në Parlamentin e Republikë së Kosovës, nga gjithsej 120 deputetë , 39 janë femra, dhe shumica e tyre fituan ulëse pa kuotë gjinore. 

Përqindja e grave në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në Qeveri vitin 2015 kishte qenë  41.8 për qind, ndërkaq në vitin 2016 40,6 për qind. Në Qeverinë Mustafa, të vitit 2014 nuk kishte asnjë grua në pozitën e zëvendëskryeministrit, ndërsa në poste të ministrit u emëruan 18 ministra meshkuj dhe tre ministre femra. Në Qeverinë Haradinaj në vitin 2017, u emëruan 17 ministra meshkuj dhe vetëm dy femra, ndërsa as në këtë qeveri nuk kishte asnjë grua në pozitën e zëvendëskryeministrit, gjë që tregon që përfaqësimi i grave në poste kyçe qeveritare nuk u rrit, mbeti e njëjtë ndër vite. 

Qeveria e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, në përbërjen e saj kishte një grua në postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa tre gra në krye të ministrive.

Sipas një analize të realizuar nga Demokracia Plus, 89.3 për qind e popullatës i shohin gratë me më pak prirje se burrat për korrupsion. E njëjta anketë tregon që 60,6 për qind e popullatës elementin që më së shumti vlerësojnë në një qeverisje është qeverisja pa korrupsion, ndaj kjo është inkurajuese pasi tregon se gratë në Kosovë kanë mundësi të jenë të suksesshme nëse do u jepej rasti.

Sipas po të njëjtit publikim, përfshirja e grave në politikë është e nevojshme për politikat publike dhe për qeverisjen e vendit. Gratë në politikë u japin vëmendje më të madhe politikave që kultivojnë familje më të shëndosha, politikave sociale dhe arritjes së konsensusit politik.

Ndër arsyet kryesore pse grave nuk u ofrohen mundësi të barabarta është besimi që burrat janë udhëheqës më të mirë dhe se gratë nuk kanë përkrahje politike. Këtë e treguan edhe rezultatet e një ankete të bërë në vitin 2017 nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, sipas të cilës më shumë se gjysma (54 për qind) e grave në pozita jo vendimmarrëse kishin pohuar që grave nuk iu ofrohen mundësitë e njëjta si burrave për ngritje në detyrë, ndërsa 46 për qind kishin thënë se mundësitë janë të njëjta pavarësisht gjinisë.

Mentaliteti patriarkal dhe analfabetizmi janë faktorë kryesorë që kanë ndikuar në kufizimin e rolit të grave në vendimmarrje. Përfshirja e grave në politikë ka hapur dyer të reja dhe ka krijuar mundësi të reja për përfaqsimin e grave në nivele të ndryshme, duke përfshirë edhe atë lokal.

Përkundër faktit që kuota gjinore është vendosur për të sjellë barazi gjinore në politikë, nga mënyra se si zbatohet nga partitë, arritja e kësaj kuote bëhet vetëm sa për “shfaqje”, pra, gratë paraqiten si kandidate sepse partitë obligohen, e kjo nuk ndikon në përfshirjen e gruas në politikë.

Klementina Cacaj

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM