Build Skills with our trainings

Sign up now!

Inovacioni bëhet faktor i aktivizimit të gruas në jetën e punës dhe në treg

Mar 1, 2021

Jetmira Morina, punëtore sociale dhe këshilltare personale për të rinjtë në organizatën joqeveritare “AKTI”, thotë se procesi i qasjes së grave në inovacion ka pasur ndryshim pozitiv në Drenas dhe në tërë Kosovën. Mirëpo, mbetet prapë shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

Shkollimi dhe edukimi i grave për një arsim të mirëfilltë ka ndikuar që të ketë përmirësim të dukshëm në këtë drejtim por gjithsesi mbetet shumë punë për t’u bërë pasi që ndikimi i patriakalitetit është i dukshëm edhe sot. Gjithashtu në sektorin publik është bërë një progres i madh në këtë proces”, tregon Morina për KosovaLive.

Komuna e Drenasit në bashkëpunim me organizatën gjermane “Help” kanë nënshkruar marrëvëshje në kuadër të projektit “Mbështetje e stabilitetit socio-ekonomik në Kosovë” ku parashihet zbatimi i strategjive relevante në komunën e Drenasit në mbështetje të punësimit, zhvillimit të ndërmarrësisë, veçanërisht krijimin e vendeve të reja të punës dhe arsimimin profesional në vend.

Nga ajo se çfarë ka parë që po zhvillohet në komunën e Drenasit, Jetmira tregon se në këtë projekt, përfituese të granteve kanë qenë një numër i konsiderueshëm i grave.

  “Kam parë që një numër i konsiderueshëm i grave kanë qenë përfituese të këtij projekti por, nuk mund të specifikoj diçka pasiqë unë jam e angazhuar me punë diku tjetër. Gjithashtu duke qenë pjesë e shoqërisë civile kam qenë dëshmitare e mundësive të cilat i ofron Komuna e Drenasit për gratë brenda kapaciteteve të saj”, u shpreh ajo.

 Komuna e Drenasit sipas INDP cilësohet një ndër tri komunat si histori suksesi për barazinë gjinore në pozitat e vendimmarrjes por problemet të cilat i hasin gratë në këto procese janë stereotipet shoqërore, paragjykimet, sfidat politike, ligjore etj.

M.N punonjëse në një librari në komunën e Drenasit tash e njëzet vjet, ka biznesin e saj familjar por nuk mendon të ndryshojë fushën e saj biznesore.

Afër 20 vjet e punoj këtë punë dhe nuk mendoj që ta ndërroj, e  filloj herët në mëngjes  punën ndërsa nuk kam kohë për punët e shtëpisë “, tha ajo.

Këtë vit kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka nënshkruar momerandum mirëkuptimi  me organizatën joqeveritare “Woman 4 Woman” që ka qëllimin kryesor të paraqes mundësitë e përmirësuara të punësimit dhe vetëpunësimit, përmirësimin e pozitës së gruas në ekonomi dhe tregun e punës përmes projektit të quajtur “I SEE”.

Në Komunën e Drenasit si dhe në komunat përreth mbahen trajnime për gratë në procesin e vetëdijesimit, barazisë gjinore, dhunës seksuale dhe fizike etj.

Sa i përket trajnimeve pronarja e librarisë asnjëherë nuk ka marrë pjesë në ndonjë event të tillë.

“Unë punoj nga orët e hershme të mëngjesit deri vonë në mbrëmje dhe nuk kam kohë për gjëra të tjera. Nuk kam marrë pjesë asnjëherë në ndonjë trajnim”, tregoi ajo.

Sipas vlerësimit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, Kosova po zhvillohet politikisht sa i përket fushës së inovacionit, por gjithsesi kapaciteti administrativ nuk është favorizues. Gjithashtu thekson se Kosova ka mungesë të pajisjeve dhe burimeve adekuate për hulumtim dhe zhvillim.

Qasja e gruas në hapësirat inovative në Kosovë ka qenë dukshëm e zbehtë meqë procesi i vendimmarrjes, krijimit të ideve si dhe përhapja e tyre në tregun e punës ka lënë gjithmonë një vend të zbrazët në një vend demokratik.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, shprehet se për aktivizimin e gruas në tregun e punës po punohet shumë pak.

Koncentrimi më i madh kohëve të fundit të lëvizjeve të grave ka qenë që ato t’i pushtojnë hapësirat private dhe nuk është mendu faktikisht që duhet të punohet që gruaja të qaset në hapësirat publike. Nuk ka shumë projekte për aktivizimin e gruas në jetën e punës. Ka projekte të vogla por nuk ka projekte që i japin shtytje asaj në treg”, thotë ajo.

Në projektin e Këshillit Europian “Forcimi i luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në Kosovë” thuhet se në Kosovë, zakonet patriakale, qëndrimet tradicionale si dhe rolet gjinore kanë kufizuar që gratë të jenë pjesë e kontribueseve në politikë, ekonomi dhe jetën sociale.

Jetmira Morina thotë se ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në numrin e ulët të grave në tregun e punës është mungesa e tregut për gratë si dhe kushtet në të cilat jetojnë gratë në vendet rurale.

“Në zonat rurale edhe sot për shkak të kujdesit të grave ndaj fëmijëve, obligime të kujdesit ndaj të moshuarve, pasuar nga mungesa e kohës për të punuar për shkak të punëve shtëpiake dhe mungesa e mbështetjes për punë nga partneri janë faktorë edhe sot për këtë numër të ulët”, shtoi Morina.

Demolli, nga ana tjetër thotë se njëri ndër faktorët të cilët ka ndikuar që gratë të mos jenë pjesë e hapësirave inovative si dhe tregut të punës është patriakaliteti. Gjithashtu, grave iu kërkohet të jenë më inovative se burrat dhe të jenë solidare mes vete gjë të cilën nuk e kanë.

“Gratë hyjnë vonë në treg sepse fillimisht iu duhet të kursejnë para pastaj, faktor tjetër është patriakaliteti në vendin tonë. Kjo e bënë me qenë shumë stabil dhe nuk punojnë me risk të madh”.

Raportin mbi hulumtimin “Gratë në procesin e punës dhe vendimmarrjes në Kosovë” nga Agjencia për Barazi Gjinore, thuhet se sigurohen ligje të cilat rregullojnë pozitën e gruas në procesin e vendimarrjes dhe punës. Por, kjo agjenci nuk ka ndonjë projekt ose aktivitet të realizuar në kuadër të qasjes së grave në hapësirat inovative.

Në raport thuhet se Qeveria e Kosovës ka krijuar mekanizma të tjerë në kuadër të ekzekutivit të cilat rregullojnë barazinë gjinore kështu, duke fuqizuar gratë por ende numri i grave të punësuara nuk është propocional me numrin e popullsisë në vend.

Sipas raportit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, nënat të cilat kanë fëmijë të vegjël kanë shanse më të vogëla në të qenurit në pozitat menaxheriale ose të tregut të punës se sa burrat. Numri i burrave të cilët kanë fëmijë të vegjël është më i lartë në këto pozita.

Demolli thotë se ky numër i vogël i grave në biznese është për arsye të pagave të vogla që ofrohen për gratë dhe që të rritet ky numër duhet që te rritet paga mesatare prej 190 euro që marrin gratë, bërja e pushimit prindëror si dhe hapjen e çerdheve të reja.

“Shteti duhet të krijojë politika për pozitën e gruas në tregun e punës si dhe, hapja e çerdheve të reja ku fëmijëve të iu bëhët obligative qasja në çerdhe nga mosha tre vjeçare”, tha ajo.

Ndërsa, në anketën e realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës gjatë kohës së pandemisë 2/3 e popullsisë janë popullsi me të drejtë pune – nga kjo vetëm 14.1% janë gra/vajza të punësuara kurse numri i burrave të punësuar është shumë më i lartë dhe arrinë shifrën 40.0%.

Demolli thotë se vetëm 13% e grave janë zyrtarisht në udhëheqjen e bizneseve dhe ky numër është shumë i vogël.

Në një hulumtim të realizuar nga Instituti për politika zhvillimore- INDEP, tregohet se imazhi i grave në pozitat vendimmarrëse nuk është i mirë dhe i kënaqshëm për shkak të performancave të dobëta në të kaluarën ose, nga presioni i mediave që i bëhen grave në pozitat profesionale në të cilat janë. Gjithashtu, gratë shihen në pozita si: infermiere, kujdestare, mësuese etj.

Gërshetimi i teknologjisë dhe artit të modës, krijimtari në zhvillim

Duke u bazuar në punën e prishtinases, Hana Zeqa duket se gratë në fushën e inovacionit specifikisht në atë të teknologjisë janë mjaft kreative. 

Hana është dizajnere e kostumeve dhe modës, themeluese e brendit “Fight or Flight”, dhe ligjëruese e Historisë së Kostumeve dhe Modës për studentet e Fashion Design.

Ajo ka dizajnuar koleksionin e veshjeve me përmbajtje teknologjike gjatë kohës së studimeve në Londër. Fakulteti në të cilin ka vijuar studimet iu ka dhënë qasje në laboratorët teknologjikë duke i dhënë  gjithashtu mundësinë për gërshetimin e dizajnit dhe teknologjisë. Këto veshje ende nuk janë në shitje sepse po pritet që të avancohen më tepër dhe gradualisht të hyjnë në treg.

Hana Zeqa, ka treguar mënyrën se si funksionojnë këto veshje.

Veshjet funksionojnë përmes programimit të moto-sensorëve për funksion të caktuar të cilat pastaj vendosen apo lidhen me tekstilin për ta manifestuar atë funksion. Këto funskione pastaj mund të kontrollohen përmes bluetooth apo aplikacioneve të telefonit”, tregoi ajo.

 Dizajnerja kosovare tregon rrugëtimin e saj në këtë drejtim. Ajo ka studiuar skenografi në Universitetin e Prishtinës, pastaj ka vazhduar rrugëtimin e saj në studimet postdiplomike në Londër në “UAL: London College of Fashion” ku edhe është përcaktuar puna e saj që bënë tani.

Fillimisht rrugëtimi ka filluar nga muzika, angazhimi im në muzikë më ka dhënë inspirim për anën vizuale të paraqitjes. Pas disa përvojave të punës në mediume të ndryshme, kam vendos t’i ndërthur interesimet e mia në dizajn të kostumeve apo kostumografi, për çka kam vazhduar studimet në Londër”, u shpreh Zeqa.

Tani për tani synimi i saj është që brendi “Fight or Flight” të zhvillohet në një platformë inovative të dizajnit që jep mundësi të shumta të hulumtimit të kësaj fushe ku do ta bashkojë Kosovën në tregun e modës inovative të së ardhmes. Gjithsesi, ky brend punon edhe veshje të përditshme dhe të gatshme që nuk përmbajnë teknologji të cilat shiten si produkte komerciale. Ndërsa, në vazhdimësi ajo tregon diçka nga projekti i saj i cili është ende në proces.

“Veshjet me teknologji që janë duke u punuar në partneritet më kompani jashtë vendit, janë të fokusuara në zhvillimin e tekstilit inovativ”, përfundon kjo dizajnere 32 vjeçare.

Arta Rudaku nga Gjilani, themeluese e biznesit “ACHAOS SHPK” në Prishtinë, tregon se biznesin e saj e filloi menjëherë pas përfundimeve të studimeve në Universitetin e Prishtinës në degën e Artit Konceptual dhe Mediet e Reja. Pjesëmarrja e saj në projekte dhe trajnime për zhvillimin e idesë dhe biznesit i nxiti asaj dëshirën dhe vullnetin për të krijuar diçka ndryshe.

“Si një artiste e sapo diplomuar kisha frikë se për artista, nuk do ketë ndonjë  punë të mirëfilltë artistike e cila do na ndihmojë të kemi një jetë standarde por kjo frikë për fat të mirë nuk zgjati edhe shumë gjatë. Kështu, vendosa të bëhem mbështetje dhe krah për vetën time“, tha Rudaku.

Ajo tregon se “Achaos” është në përpunimin e sipër të realizimit të një koleksioni duke u bazuar në “Nuditetin Njerëzor” si dhe ka në plan sjelljen e produkteve të skicuara dhe të ideuara për botën e gastronomisë.  

“Kjo temë ngjallë akoma një kurreshtje në bazë të asaj se si mund të trajtohet në një produkt siç është çanta. Ky koleksion në fund do realizohet në një formë të ekspozitës për të gjithë dashamirësit e artit“, u shpreh ajo për KosovaLive.

 “Achaos sh.p.k”, prodhon produkte kryesisht punëdore të cilat njihen si vepra arti. Produktet si: çanta, kuletë, rrypë dhe aksesorë janë të punuara nga lëkura e cila është pa baza kimikale. Ajo përvec që është themeluese e biznesit, njëkohësisht merret edhe më të gjitha punët menaxheriale dhe teknike të përpunimit të produkteve, menaxhimit të cilësisë dhe dizajnimit apo skicimit të ideve.  

Ndryshime edhe në fuqizimin e grave nga komunitetet

“The Ideas Partnership” është organizatë joqeveritare me dy qendra mësimi në Fushë Kosovë dhe Janjevë e cila përkrahë familjet në nevojë nëpërmjet të edukimit, shëndetësisë dhe punës sociale me fokus tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në veçanti fuqizimin e grave nga grupet e margjinalizuara.

TIP mban ligjërata mbi shëndetin produktiv dhe planifikimin familjar ku zakonisht marrin pjesë afër 60 gra si dhe organizohen kontrolla të rregullta për gratë shtatëzëna.

Sipas Ligjit  për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, Republika e Kosovës siguron barazi mes burrave dhe grave në punësim, mundësi ekonomike dhe shoqërore si dhe nëse gratë/vajzat janë në rrezik të diskriminimit të dyfishtë si rrjedhojë e gjinisë apo përkatësisë së ndonjë komuniteti të veçantë atëherë qeveria merr masa të veçanta kundër këtij diskriminimi.

Anita Plakolli, konsulente ne organizatën “The Ideas Partnership” tregon se grave nuk iu jepet shumë qasje në shumë fusha të jetës pasi që ekziston diskriminimi, por tek gratë e komuniteteve ky diskriminim është më i madh.

Në përgjithësi, në shoqërinë tonë grave nuk i jepet shumë qasje në këto hapësira sepse fatkeqësisht në Kosovë ende ekziston diskriminimi gjinor si në vendet e punës, pjesëmarrje në vendimmarrje dhe shumë fusha të tjera, ndërsa për gratë që vijnë nga komunitetet mund të them se ato janë dyfish të diskriminuara, për shkak të stigmës dhe pargjykimeve të shoqërisë ndaj tyre”, shprehet Plakolli.

Sipas saj vitet e fundit kanë sjellë ndryshim por duhet të punohet ende në këtë drejtim.

“Edhe pse vitet e fundit kanë shënuar sukses gradual në këtë drejtim, mendoj se ka ende shumë punë për të bërë, në mënyrë që të krijohen kushtet e duhura që gratë të kenë hapësirë dhe kushte të barabarta për të shprehur dhe zhvilluar talentet dhe idetë e tyre të biznesit. Paralel me këtë çështje do të duhej të përmirësohej edhe pozita në familje”, shtoi ajo.

Gratë në organizatën joqeveritare, “The Ideas Partnership” kanë gjetur mbështetje dhe kanë filluar bizneset e tyre nga të cilat mbajnë familjen.

“Gratë janë gjithmonë inovative dhe vijnë me ide të reja. Njëra nga ish-punëtoret tona nga radhët e komuniteteve pakicë ka hapur biznesin e saj, një sallon bukurie, pesë gra të tjera në Fushë Kosovë dhe Janjevë kanë startuar mini kopshtet e tyre pra e kanë filluar një mini agrobiznes dhe me të ardhurat e këtij biznesi mbajnë familjen”, përfundon Plakolli.

Arlinda Murtezi, është njëra ndër gratë e cila ka filluar minibiznesin e saj me ndihmën e organizatës e në veçanti të themeluesës së TIP, Elizabeth Gowing.

“Kam dhjetë vite që punoj veshje tradicionale dhe gjëra të tjera punë dore, kam shkuar te Elizabeta dhe ajo më ka ndihmur për të filluar këtë biznes që kam” , tregoi Murtezi për KosovaLive.

Ajo është nënë vetëushqyese dhe më këtë biznes e mban familjen.

“Unë kam pesë fëmijë dhe puna që bëj më ndihmon ta mbaj familjen. Të ardhura tjera mujore nuk kam sepse edhe burri para gjashtë muajsh më ka vdekur”, u shpreh ajo

Në kuadër të organizatës “The Ideas Partnership” është ndërmarrja “Sa Punë” e cila është e regjistruar si biznes që nga viti 2012. Aktualisht të punësuara në këtë biznes janë 13 gra që i përkasin komuniteteve të ndryshme duke u nisur nga rom, ashkali, egjiptian etj. 

“Sa punë” fillimisht është marrë me përgatitjen e sapuneve te ndryshme e më vonë është zgjeruar deri tek punimi i aksesoreve të ndryshme si: çanta, vathë, byzylykë, varëse, kartolina të ndryshme etj.

Arjeta Islami kordinatore e projekteve në “Sa Punë” thotë se qëllimi i kësaj ndërmarrje është dhe shtyrja e grave që të punojnë sa më shumë në mënyrë që ato të jenë të pavarura në punë dhe jetë.

“Për gratë nuk mendoj që ka shumë hapësira inovative por gjithsesi grave po iu ofrohet më shumë mundësi se sa viteve të kaluara për ta treguar vetën e tyre”, tha Islami.

 Ajo thotë se gratë e komuniteteve me njëfarë forme janë të “shtypura” duke u bazuar se këto gra janë në numër të vogël të shkolluara, ndonëse kjo ka filluar të ndryshojë.

“Organizata TIP gruas i jep një mbështetje të madhe që ajo të vetëdijesohet dhe zhvillohet. Në disa komuna ku është edhe organizata gratë kanë filluar që të ngritin zërin për vetën dhe të drejtën e tyre”, u shpreh ajo.

Njëra ndër gratë të punësuar në “Sa Punë” (e cila ka dashur te mbetet anonime) ka treguar që në këtë ndërmarrje punon afër 10 vitesh. Përveç punës që bënë ajo ka deshirë të punojë edhe si rrobaqepëse.

“Kur kam filluar punën këtu unë kam punuar sapunë të ndryshëm me vajra ndërsa, më vonë edhe çantë e stoli të ndryshme. Më këtë punë që bëj unë e mbaj familjen time” tha ajo për KosovaLive.

Ndër faktorët të cilët ndikojnë në qasjen e grave të pakicave në hapësira të ndryshme, Arjeta Islami thekson pikësëpari rrethin shoqëror, pastaj mosshkollimin ose braktisjen e shkollës, gjendjen ekonomike etj.

Në një raport nga “Ebiquity” për hulumtimin e Grave në Inovacion në Britaninë e Madhe, 31% e grave ndërmarrëse mendojnë se të qenurit grua në një industri të mbizotëruar nga meshkujt ndikon negativisht.

Statistika nga “ Departamenti i Kërkimeve Statisa” për punësimin, Bashkimi Evropian kishte  regjistruar gjithsej 65.6 % të punësuar të popullsisë së Evropës . Gjermania kishte numrin më të lartë të grave/vajzave të punësuara në Evropë me 17.9 milion punëtorë, pasuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Duke e ditur edhe përqindjen e të punësuarave gra, shkalla e inovacionit është më e lartë në këto vende.

Sipas disa studimeve të përmendura në raportin nga Banka Botërore thuhet se ndërmarrjet fillestare të udhëhequr nga gratë sipërmarrëse priren të përformojnë më mirë. Firmat e teknologjisë së lartë të krijuara nga gratë krijuan të ardhura më të larta dhe kishin norma më të larta mbijetese.

Blendina Veliqi

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM