Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, ka uruar të gjithë qytetarët për Ditën Botërore të Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit.
Në këtë urim Guvernatori Mehmeti ka vënë në dukje rolin e sistemit financiar dhe bashkëpunimin me konsumatorin, çka ka ndikuar në përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e besimit të ndërsjellë.
“Duke e pasur parasysh rëndësinë dhe kompleksitetin e mbrojtjes së Konsumatorit, BQK-ja ka organizuar aktivitetet e mbrojtjes së Konsumatorit në dy shtylla kryesore, që përbëhen nga shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve dhe nga edukimi financiar. Përkundër problemeve që shkaktoi pandemia, BQK-ja ka shqyrtuar me kohë ankesat, duke siguruar zbatimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve kontraktuale ndërmjet institucioneve financiare dhe klientëve, në rastet kur klientët konsiderojnë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në vitet e fundit, numri i klientëve të institucioneve financiare që parashtrojnë ankesë në BQK lidhur me zbatimin e të drejtave të tyre kontraktuale është rritur. Ne konsiderojmë se rritja e numrit të ankesave në mënyrë të drejtpërdrejtë reflekton vetëdijesimin më të lartë të klientëve rreth të drejtës dhe mundësisë së tyre për ankesë, gjë e cila po i kontribuon mbrojtjes më të mirë të të drejtave të tyre, por edhe po i kontribuon korrigjimit dhe avancimit të proceseve të brendshme në vetë institucionet financiare në ofrimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të shërbimeve financiare, si dhe evitimit të gabimeve të ndryshme. Ankesat e klientëve paraqesin një burim shumë të rëndësishëm informacioni edhe për BQK-në, e cila shpeshherë i merr ato në konsideratë gjatë aktiviteteve mbikëqyrëse të institucioneve financiare”, thuhet në urimin e Guvernatorit.
Përveç aktiviteteve për adresimin e shkeljeve të mundshme nga institucionet financiare në raport me të drejtat e klientëve, BQK-ja ka punuar vazhdimisht dhe intensivisht në edukimin financiar të publikut, i cili ka për qëllim që të rritë sa më tepër shkallën e njohurive të publikut rreth produkteve financiare dhe të drejtave të tyre në raport me institucionin financiar, thuhet në komunikatën për media e BQK-së.