Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mospërputhja mes arsimit dhe profesionit

Mar 29, 2021

Për vite me radhë flitet se ekziston një korrelacion midis nivelit të arsimit dhe të ardhurave më të larta. E vërteta është se kërkesat aktuale të fuqisë punëtore ekonomike nuk e mbështesin këtë premisë. Tani edukimi qëndron në themel të mospërputhjes midis kërkesave për punë dhe aftësive të fuqisë punëtore.

Sot të rinjtë të diplomuar e gjejnë vetën të pa punë, mirëpo në një ekonomi të tillë është e pamundur të jetosh pa punuar, prandaj ata gjejnë punë alternative për të cilat nuk janë të kualifikuar.

Në Kosovë ekziston një hendek midis nevojave të tregut të punës dhe të kuadrove që dalin nga institucionet arsimore. Prandaj, numri i individëve që përballen me mospërputhshmëri mes arsimit dhe profesionit është mjaft i madh.

Kjo mospërputhje nënkupton situatën kur kualifikimi i marrë nga një shkollë apo universitet nuk i përshtatet kualifikimeve të kërkuara për vendin e punës. Mospërputhja mund të jetë vertikale – ku niveli i arsimit është më i ulët ose më i lartë se sa kërkohet për ta kryer një punë ose horizontale – ku fusha e arsimit nuk ndërlidhet me punën që individët janë duke bërë.

Disa nga faktorët që mund të kenë ndikim në mospërputhjen horizontale janë, mosha, gjinia, vendbanimi, etnia, statusi martesor, fusha dhe niveli i arsimit si dhe vetë industria e profesionit.

Sipas hulumtimit nga Instituti GAP problemi i mospërputhjes rrjedhë si pasojë e dallimeve më thelbësore të industrive profesionale dhe fushave arsimore. Rast i veçantë janë gratë që kanë përfunduar fusha të caktuara arsimi si inxhinieri apo drejtësi apo që punojnë në industri të caktuara si bujqësi, prodhim, dhe tregti të cilat përballen me mospërputhje më të madhe se burrat në ato fusha dhe industri.

Rreth 25% e kompanive të Kosovës argumentojnë se fuqia punëtore ka shkathtësi joadekuate, të cilat nuk përputhen me nevojat e tyre. Nga ana tjetër, më shumë se 85% e investitorëve nënvizojnë cilësinë e krahut të punës si faktorët kryesorë kur mendojnë për investime.

Gramos Buçinca, zv. drejtor i organizatës ORCA, organizatë kjo e shoqërisë civile me bazë në Prishtinë, puna e së cilës përqendrohet parësisht në mbikëqyrjen, analizimin dhe reagimin ndaj proceseve akademike në arsimin e lartë në Kosovë,  thotë se nxënësit nuk duhet të druhen nga aplikimi në arsim profesional.

“Siç vazhdon të dëshmohet, diploma universitare përveç rëndësisë formale në disa institucione publike, nuk ka rëndësi përmbajtësore në punësim. Punësimi në industri, sidomos në industri të shërbimeve si programimi, financat, – bazohet në aftësi reale praktike”, thotë ai për KosovaLive.

Sipas Analizës së Boshllëkut të Shkathtësive përgatitur nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, bizneset në masë të madhe besojnë se kurrikulat arsimore zhvillohen pa marrë në konsideratë kërkesat e tyre për fuqi punëtore.

Suksesi i nxënësve kosovarë në nivelin e arsimit fillor, sipas projektimeve të testit të standardizuar PISA, është më i ulëti në rajon. Pamundësia për të fituar njohuri dhe shkathtësi në nivelet më të ulëta të arsimit ndikon shumë në aftësinë e këtyre nxënësve për të treguar sukses në nivelet më të larta.

Në Kosovë nuk ka sistem për parashikimin e shkathtësive të kërkuara në tregun e punës. Procesi i hartimit të standardeve profesionale të kualifikimit është i ngadalshëm, ashtu sikurse edhe zbatimi i Kornizës Kurrikulare. Niveli i shpenzimeve publike për arsim dhe aftësim profesional është shumë i ulët, ndërkohë që të paktën çereku i shkollave profesionale nuk ofrojnë mundësi të punës praktike në shkollë apo jashtë saj. Ndërmarrjet nuk kanë stimuj për të marrë në punë praktikantë. Shkollat nuk ofrojnë orientim në karrierë e as mundësi për ndërlidhje me ndërmarrjet përmes hulumtimeve dhe zhvillimeve të produkteve.

Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit konsideron se programet e arsimit profesional ato të arsimit të lartë duhet të jenë në përputhje me kërkesat e tregut të punës sepse përgatisin njerëz që do të ushtrojnë një profesion të caktuar.  Ushtrimi i suksesshëm i profesionit, në masë të madhe varet nga aftësia e profesionistit që t’i përshtatet kërkesave të reja që shtrohen para tij, si rezultat i avancimeve në shkencë dhe teknologji. Sipas tij, shkolla duhet t’i përgatisë profesionistët e ardhshëm që të mësojnë gjatë gjithë jetës, sepse vetëm kështu mund t’i zotërojnë teknologjitë e reja dhe metodat e reja të punës që paraqiten me kohë.

“Shteti duhet të iniciojë dhe mbështetë zhvillimin e standardeve të profesioneve, të sigurojë akreditimin e besueshëm të programeve mësimore dhe të kujdeset që ato ofrojnë cilësi. Në sektorin publik ndihma e shtetit nevojitet në sigurimin e kushteve për punë praktike, sepse pa punë praktike nuk ka përgatitje të mirëfilltë për profesion”, tha ai për KosovaLive.

Ai e konsideron problematike edhe faktin që shumë studentë vijojnë studimet pa dëshirë e pa prirje për atë çfarë po studiojnë.

Ndërsa, Tahir Hoxha, trajnues i zhvillimit të Web aplikacioneve në Innovation Centre Kosovo thotë se “është fakt i ditur që ekziston një mospërputhshmëri e madhe ndërmjet asaj që mësohet nëpër shkolla dhe asaj çka kërkohet në tregun e punës.”

ICK funksionon në Kosovë nga viti 2012 duke ofruar kurse dhe praktika të ndryshme për mijëra nxënës dhe studentë të cilët pastaj e kanë më të lehtë për të gjetur punë në kompani të ndryshme softuerike si në Kosovë ashtu edhe jashtë

ICK funksionon në Kosovë nga viti 2012 duke ofruar kurse dhe praktika të ndryshme për mijëra nxënës dhe studentë të cilët pastaj e kanë më të lehtë për të gjetur punë në kompani të ndryshme softuerike si në Kosovë ashtu edhe jashtë.

“Në veçanti shkollat e mesme janë shumë mbrapa me përditësimin e planprogrameve për t’iu përshtatur nevojave të kohës. Kolegjet qëndrojnë më mirë në këtë aspekt, mirëpo më tepër janë të fokusuara në anën teorike e shumë më pak në atë praktike.”

Ai konsideron se shteti mund të ndihmojë në shumë aspekte në zvogëlimin e hendekut në mospërputhjen e arsimit dhe profesionit, duke filluar nga rritja e cilësisë së mësimeve që merren në shkollë, përditësimin e planprogrameve, ofrimin e resurseve të punës praktike të nxënësve dhe studentëve etj.

Defrim Rifaj, drejtor i Departamentit të Punës dhe Punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale konsideron se harmonizimi mes sistemit formal të edukimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës është shumë i rëndësishëm për rritjen e nivelit të punësimit. Sipas tij, sistemi formal i edukimit dhe aftësimit profesional duhet të bazohet në nevojat e tregut të punës. Nxënësit dhe studentët duhet të informohen lidhur me profesionet të cilat i kërkon tregu i punës, të këshillohen dhe të orientohen në drejtim të atyre profesioneve me të cilat mund të vijnë më lehtë deri te vendet e punës.

Faktori i parë dhe kryesor, sipas tij është mosharmonizimi i sistemit të edukimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës.

“Faktorë tjerë me rëndësi që ndikojnë në këtë mospërputhje janë: mungesa e orientimeve, këshillimeve dhe informimit të nxënësve dhe studentëve lidhur me profesionet e kërkuara nga tregu i punës dhe karrierës; vende pune jo të qëndrueshme në sektorin privat etj.” shton më tutje ai.

Sipas Valbona Fetiu-Mjekut nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thotë se siç duket çështja e studimeve është keqkuptuar tek ne.

“Te ne është një traditë që i riu e ka obligim që të vazhdojë studimet, dhe ne kemi një numër të madh të rinjve që në moshën 23/24 vjet përfundojnë edhe masterin por pa praktikë,  pa punuar, pa parë realitetin e jetës së punës dhe mandej hasin në vështirësi sepse jo të gjitha janë të shkruara në libra”,  thotë ajo për KosovaLive.

Sterotipet gjinore dhe ndikimi i tyre në zgjedhjen e edukimit e punësimit

Gjinia përcakton një probabilitet më të ulët për mospërputhje në mes të fushës së arsimit dhe profesionit në raste kur individi është grua. Kjo nënkupton që gratë kryesisht punojnë punë të cilat iu përshtaten fushës së arsimimit të tyre më shumë se sa burrat. Mirëpo, edhe pse gratë vuajnë më pak nga mospërputhja mes arsimit dhe profesionit, në industri të caktuara hasin më shumë probleme se ata.

Zbatimi i ligjeve dhe politikave për barazinë gjinore vazhdon të mbetet sfidë në Kosovë, kryesisht për shkak të normave tradicionale gjinore dhe stereotipave, të cilat vijnë si pasojë e një mentaliteti të gjatë patriarkal, duke i vendosur kështu gratë në një pozitë të pafavorshme në shoqërinë kosovare. Një shqetësim i veçantë është pjesëmarrja shumë e ulët e grave në tregun e punës që është më e ulëta në rajon dhe një ndër më të ulëtat në botë.

Vetëm 13% e grave në Kosovë punojnë, ndërsa 78% të grave as nuk janë duke kërkuar punë.

Gratë janë të përfaqësuara mirë në nivelin universitar, ndërsa zgjedhjet e tyre të studimit dhe rrugët e mëvonshme të karrierës shpesh i takojnë disa fushave të caktuara të cilat në shumicën e rasteve sigurojnë një punësim të qëndrueshëm. Në nivelin universitar, gratë janë të përqendruara në filozofi, filologji, mjekësi dhe arsim. Burrat janë të përqendruar në ndërtim, arkitekturë dhe inxhinieri mekanike. Për sa i përket punësimit, 53 %  e grave janë të punësuara në arsim, tregti dhe kujdes shëndetësor, ndërsa 46.3% e burrave janë të punësuar në prodhim, ndërtim dhe tregti.

Tek burrat, fusha më e zakonshme e specializimit në shkollën e mesme është inxhinieria me rreth 4500 te diplomuar në vit, ndërsa në shkenca shoqërore dhe në biznes janë rreth 3000 të diplomuar në vit. Ndërsa për gratë ekziston një trend i shtimit të profesioneve “tradicionale të grave” si shëndetësia dhe arsimi.

Si në universitetet publike ashtu edhe private rreth 87% e studentëve të regjistruar në inxhinieri mekanike janë burra, përderisa 92% e të regjistruarve në drejtimet e edukimit janë gra. Në mjekësi, 74% e studenteve janë gra, ndërkaq në fakultetin e Filozofisë dhe Filologjisë përqindja e grave të regjistruara gjatë viteve akademike 2017/2018 dhe 2018/2019 ishte 71% respektivisht 68%.

Besnik Leka, sociolog thotë se stereotipet i sforcojnë besimet dhe qëndrimet e njerëzve në përgjithësi, mirëpo edhe pse shpesh shumë statistika tregojnë një numër të caktuar të grave në një fushë të caktuar ato nuk mund të determinojnë dëshirën e grave për të qenë në atë drejtim. Mirëpo është tregu i punës ai i cili dominohet nga burrat prandaj në një farë forme është shkaktar i këtij fenomeni.

“Unë besoj që më tepër ndikon presioni se sa dëshira për përcaktimin e profesionit” shprehet ai për KosovaLive.

Familja në përgjithësi, dhe prindërit në veçanti, luajnë një rol të madh në vendimet e studentëve. Disa studentë përjetojnë ndërhyrje direkte në planet e tyre për të ardhmen. Në përgjithësi tek vajzat  ndikimi i familjes është shpesh herë vendimtar për zgjedhjet e tyre në karrierë, dhe se në shumë raste ky ndikim është i njëanshëm gjinor.

Leonida Molliqaj, gazetare dhe hulumtuese, aktualisht drejtoreshë e organizatës “Qika” (Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion) që mbron dhe promovon të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, thotë se rolet dhe identitetet gjinore janë disa nga vlerat e para sociale që familja dhe shoqëria tentojnë t’iu përcaktojnë fëmijëve qysh në moshë të hershme. Mirëpo, këto pritshmëri dallojnë për djemtë e për vajzat. E ky presion i përgatitë vajzat dhe djemtë që t’i përmbushin pritshmëritë që ka shoqëria për secilin prej tyre.

“Të gjitha këto ndikojnë që vajzat dhe djemtë të orientohen në drejtime “të përshtatshme” shkollimi apo të kërkojnë punë të cilat shihen se i takojnë gjinisë të tyre.”, thotë Molliqaj për KosovaLive.

Valbona Fetiu-Mjeku thotë se edhe pse ka vite që punohet në këtë aspekt ende ka shumë për të bërë për të ngritur vetëdijen e vajzave për tu orientuar edhe në drejtime tjera si p.sh ato teknike.

“MASH ka filluar edhe me dhënien e bursave për vajzat në drejtime teknike por prapë interesim nuk ka pasur. Unë nuk besoj se ka të bëjë me kulturën siç thuhet, por me mundësinë e punësimit për vajzat/gratë ne profesione te ashtuquajtura të burrave.”

Ndërsa sipas Leonida Molliqajt, viteve të fundit duket se ka pasur përmirësim në këtë aspekt, shumë vajza tani kanë filluar të orientohen në profesione të cilat deri tani kanë asociuar vetëm me burrat dhe anasjelltas. Megjithatë, gratë vazhdojnë të jenë shumë pak të përfshira në pozita të rëndësishme e njëra prej arsyeve është barra e punëve të shtëpisë.

“Një pjesë kryesore të përgjegjësive brenda shtëpisë janë barrë e grave, çka i shtynë ato çdo herë e më shumë drejt familjes e shtëpisë se sa edukimit e avancimit.”, shtoi ajo

Gentian Gashi, hulumtues në Institutin GAP në një interviste për KosovaLive tha se gratë nuk janë duke u punësuar në industri me produktivitet të lartë, apo që kontribuojnë shumë në bruto produktin vendor. Prandaj, të hyrat e grave të punësuara janë kryesisht më të vogla se sa të burrave në bazë të punësimit të tyre, gjë që thellon varësinë e tyre në forma të tjera financimi. Kjo varësi e vazhdueshme mund të shkaktojë që gratë që punojnë në ato industri mos të kenë mjete financiare apo edhe kohë për përditësim të aftësive tyre në rast se duan të ndryshojnë statusin e tyre profesional.

“Duke u bazuar në faktin që gratë në përgjithësi kanë po të njëjtat aftësi si burrat, gratë në fushat ku nuk punësohen shumë,  dhe ato të papunësuara përfaqësojnë një potencial ekonomik të humbur. Po të punësoheshin ato gra nëpër fusha për të cilat kanë kryer shkollim, pa dyshim se do të mund të rrisnin bruto produktin vendor.“ tha Gashi.

Stereotipet gjinore mbi “paftësinë” e grave për të performuar mirë në profesionet shkencore dhe teknike, bëjnë që gratë te orientohen në studimin e fushave humane.

Sipas Adelina Tërshani, koordinatore e Projektit në Rrjetin e Grave të Kosovës, në këto vendime sigurisht luan rol edhe faktori i barrës së punëve të shtëpisë i cili bën që gratë të zgjedhin profesione që u mundësojnë të arrijnë të kryejnë edhe obligimet tjera të shtëpisë.

Diskriminimi në baza gjinore ndaj grave në tregun e punës është gjithashtu shumë i përhapur në Kosovë. Pyetjet diskriminuese qe ju bëhen grave qysh në intervista pune, ngacmimi seksual, diskriminimi për ngritje në detyrë, shkeljet e të drejtës për pagë të barabartë, për punë të barabartë, shkelja e së drejtës për leje te lehonisë dhe shumë arsye te tjera i lënë gratë pa vende pune ose i orientojnë ato në fushat e caktuara që përmbushin normat gjinore.

Ndërsa Tërshani thotë se gratë kanë tendencë të studiojnë fusha të atilla që të mund të sigurojnë punë në sektorin publik.

“Gratë në sektorin privat privohen nga shumë të drejta dhe më së shumti nga e drejta për leje të lehonisë me pagesë, e cila është më mirë e rregulluar në sektorin publik duke e bërë këtë sektor me stabil për gratë.”

Ajo më tutje shton se edhe ngacmimi seksual është një faktor i cili ndikon në performancën e grave në vendin e punës duke qenë se është një fenomen mjaft i shprehur.

Venera Demukaj profesor asistente në R.I.T dhe autore e hulumtimit “Stereotipet gjinore dhe zgjidhjet në karrierë në Kosovë” thotë se vështirësi kryesore është se gratë nuk konsiderohen si “siguruese të familjes” pasi që historikisht, ky rol i është atribuuar burrave.

“Kjo mendësi e bën të vështirë që gratë të marrin në dorë menaxhimin e të ardhurave financiare. Shto këtu edhe boshllëkun e rrogave, ku burrat edhe ashtu paguhen më mirë, dhe kjo i bën gratë që të kenë fuqi më të dobët negociuese dhe vendimmarrëse në familje“ shton më tutje Demukaj.

Sipas saj ky është problem global nuk është çështje problematike vetëm në Kosovë. Dhe  duhet të investohet dhe të bëhen më të qasshme edhe financiarisht shërbimet për kujdesin e fëmijëve në mënyrë që nënat të kenë mundësi që të angazhohen në tregun e punës.

Pabarazia gjinore shkakton që të kemi një ekonomi me potencial të pa shfrytëzuar. Sipas një studimi të Bankës Botërore theksohet se globalisht vendet humbasin 160 trilion dollar në pasuri për shkak te dallimeve gjinore në të ardhura.

Edona Shala

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM