Build Skills with our trainings

Sign up now!

Edukimi medial shihet si parandalues i ekstremizmit fetar

Pri 1, 2021

Audienca kosovare, sikurse edhe ato në vendet e tjera të botës, ende konsiderohet e rrezikuar nga ajo se çfarë informohet nga mediat rreth ekstremizmin fetar, ndërkohë që të rrezikuar janë edhe gazetarët të cilët në bazë të shkrimeve të tyre mund të shndërrohen në cak të sulmeve fizike gjithëfare.

Gazetari dhe redaktori në gazetën online “Reporteri”, Shkumbin Kajtazi gjatë një interviste për KosovaLive thotë se aktualisht Mitrovicën e sheh më stabile për nga përhapja e ekstremizmit fetar në krahasim siç ka qenë më parë.

Për fat të keq, Mitrovica nuk ka mbulueshmëri të madhe mediale. Janë disa media atje, njërën prej të cilave e menaxhoj unë, mirëpo kompleksiteti i atij qyteti kërkon shumë më shumë. Sidoqoftë, gjendja me ekstremizmin ka nisur të qetësohet. Më herët ka pasur shumë më shumë për t’u raportuar, që nga njerëz që niseshin për Siri e deri tek ata që kërcënonin të tjerët për bindje të tjera fetare”, tha ai.

Kajtazi theks të veçantë i vë qytetit, duke përmendur praninë e organizatave të ndryshme dhe takimet e tyre.

Kam bindjen që është në qytet dhe në lagjet apo fshatrat afër qytetit. Mendoj që kjo ka ndodhur për shkak se, duke ditur që Mitrovica historikisht ka qenë shumë liberale dhe e zhvilluar, vendosja e dogmës ka nisur që në zemër të qytetit. Aty janë vendosur organizata, aty janë organizuar tubime me qëllime indoktrinimi, dhe natyrshëm në atë zonë ka pasur theksim të ekstremizmit”, thekson ai.

Pavarësisht kërcënimeve që ka marrë nga ekstremistët fetar, Kajtazi thotë se është munduar që përmes shkrimit t’a shpreh mendimin e tij rreth zhvillimeve fetare në Mitrovicë, por një gjë e tillë ia ka rrezikuar jetën.

Në fakt, unë kam qenë edhe një lloj viktime e ekstremizmit atje, pasi kam marrë qindra sharje e kërcënime për disa shkrime e qëndrime të mia rreth fesë. Por, sidoqoftë, prapë jam munduar ta mirëkuptoj gjendjen dhe të mundohem të bëjë diçka për ta ndryshuar”, u shpreh ai.

Kajtazi thekson se edhe se ka qenë pjesë e një projekti për strategji kundër ekstremizmit të dhunshëm në Mitrovicë, ku disa organizata humanitare janë shtirur si të tilla deri tek qëllimi i përhapjes së ekstremizmit fetar në popullatë.

Unë, përveç që kam raportuar si gazetar, kam qenë i ftuar në hartimin e një strategjie kundër ekstremizmit të dhunshëm në Mitrovicë dhe rajonin rreth saj. Ai ishte një projekt i disa organizatave të huaja në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës. Aty pata theksuar se është shumë e nevojshme që veprimtaria e organizatave të dyshimta humanitare t’u ndalohet operimi, pasi ato po gjejnë rrugë për të depërtuar tek të rinjtë dhe më pas po e kanë të lehtë indoktrinimin”, ka thënë Kajtazi.

Raportimet nga mediat tona për ekstremizmin fetar në Mitrovicë, që siç thekson ai është një punë e rrezikshme, nuk kanë munguar.

Po, ka pasur plot, por nuk e di sa mund të kenë pasur ndikim tek qytetarët. Unë jam skeptik në këtë pikë. Ndryshe, kam qenë edhe një lloj viktime pas atyre shkrimeve. Nuk po viktimizohem, por e kam fjalën që kam marrë kërcënime të shumta”, përfundon ai.

Sipas raportit vjetor të 2019 dhe 2020 nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), Kosova është renditur në vendin e 75-të në botë sa i përket lirisë së shtypit. Krahasuar me vitin 2018, vendi ynë është ngritur nga vendi i 78-të në atë 75-të.

Zyrtari i lartë për marrëdhënie me publikun nga Komisioni Pavarur i Medieve(KPM), Arsim Dreshaj në njëprononcim për KosovaLive thotë se deri më tani në mediat e Mitrovicës nuk është selektuar ndonjë raportim që ka nxitur përhapjen e ekstremizmit fetar.

Deri me tani KPM nuk ka identifikuar ndonjë rast ose ankesë në raport me ekstremizmin fetar…KPM monitoron përmbajtjet programore që shfaqen nga të licencuarit në gjithë zonat e tyre të mbulueshmërisë, pra pavarësisht zonave (urbane ose rurale) ku transmeton. Në çdo rast kur KPM vëren se ka përdorim të gjuhës së dhunshme ndaj ndonjë komuniteti të caktuar fetar, në pajtim me mandatin ligjor i adreson të gjitha këto çështje”, thekson ai.

Ndryshe, Dreshaj thekson se mediat vendore raportojnë në mënyrë korrekte ndaj fenomenit famëkeq, ekstremizmit fetar dhe sipas tij, nuk shihet nevoja për monitorimin e mediave për atë se çfarë raportojnë rreth ekstremizmit fetar.

Deri me tani KPM nuk ka pasur ndonjë rast i cili ka kërkuar edhe përfshirjen e institucioneve tjera për luftimin e një fenomeni të tillë në media, sepse mediat në përgjithësi kanë raportuar me korrektësi për këtë çështje”,  përfundon Dreshaj.

Sipas Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE), luftimi i ekstremizmit të dhunshëm fetar në Kosovë mund të funksionojë përmes policimit në komunitet, që rrjedhimisht nënkupton se bashkëpunimi i policisë dhe popullatës si dhe autoriteteve të tjera publike si dhe mediat janë  kontributdhënëse ndaj zhdukjes së këtij fenomeni famëkeq edhe në Kosovë .

Në një përgjigje përmes postës elektronike për KosovaLive nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës thuhet se në misionin e PK-së është luftimi i ekstremizmit fetar dhe i kriminaliteteve të tjera në vend.

“Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo religjioni. Policia e Kosovës si Institucion i Sigurisë, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të çdo forme të kriminalitetit dhe veprave tjera penale përfshirë ekstremizmin, bashkëpunon shumë ngushtë me të gjitha institucionet relevante, por edhe shoqërinë civile dhe qytetarët në përgjithësi”, thuhet nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës thekson se bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët dhe institucionet shtetërore i lehtëson atyre misionin, parandalimin e ekstremizmit fetar në  Kosovë.

“Policia e Kosovës, sipas misionit dhe detyrave të saj, në mënyrë të vazhdueshme është e angazhuar në përmbushjen e aktiviteteve dhe objektivave të parapara sipas Strategjisë për parandalimin e përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë Mitrovicën, aktivitetet të cilat janë të inkorporuara edhe në Strategjinë e brendshme të Policimit në Bashkësi”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë  së  Kosovës.

Në Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa,  gjatë viteve 2015-2020 ishte paraparë që qeveria të kishte përgjegjësi koordinimin e aktiviteteve lidhur me hartimin, rishikimin, miratimin, zbatimin dhe monitorimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm në Kosovë .

Sipas policisë së Kosovës aktualisht vendi ynë është i qetë për nga rreziqet që sjellë ekstremizmi fetar, ndonëse incidente të kësaj natyre ka, por janë në menaxhimin e institucioneve kompetente.

Nerimane Ferizi nga organizata “Community Building Mitrovica” thotë se aktualisht ky qytet nuk rrezikohet nga ekstremizmi fetar, por sipas saj, si sfidë mbetet integrimi i të kthyerve nga vendet luftarake islamike.

 “Përgjatë viteve masat që janë marrë nga institucionet tona, kanë bërë që situata të qetësohet dhe vlugu i atyre që synoni të shkonin në luftërat e huaja të ndalej. Sfidë për institucionet mbetet integrimi i të kthyerve nga këto luftëra, marrë parasysh edhe stigmatizimin që iu bëhet këtyre personave. Për momentin gjendja është jashtë rrezikut, por kjo nuk do të thotë që duhet të ndalemi në parandalimin e kësaj dukurie”, tha ajo për KosovaLive.

Sipas Ferizit, deri më tani në Mitrovice afërsisht 43 individë, shumica e tyre nga fshatrat e kësaj komune, kanë qenë pjesëmarrës në luftërat e huaja.

Ferizi nga organizata CBM i numëron aktivitetet që janë mbajtur kundër ekstremizmit fetar, duke thënë se synimi i këtyre projekte ka qenë parandalimi i ekstremizmit fetar në Mitrovicë.

Ne si organizatë kemi implementuar projektin ‘Ndërtimi i një komuniteti të qëndrueshëm në Mitrovicë’, përmes këtij projekti kemi synuar parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që në moshë të hershme. Kemi punuar me shkollat e mesme dhe me institucionet. Njëkohësisht e kemi hartuar ‘Strategjinë për Parandalimin e Veprimeve të Dhunshme’ e cila pastaj veç është votuar në Asamblenë Komunale ne Mitrovicë”, ka thënë ajo.

Ajo thekson se përmes punësimit janë munduar t’i integrojnë të kthyerit kosovarë nga vendet luftarake islamike.

Kemi mbajtur trajnime për ‘Këshillin për Siguri në Bashkësi’, se si t’u qasem këtyre rasteve dhe si të kenë koordinim më të mirë si në mes vete ashtu edhe me institucionet tjera. Po ashtu, i kemi angazhuar në praktikë, punë nëpër institucione e biznese të ndryshme të rinjtë të cilët janë identifikuar si potencial për të qenë të dhunshëm. Ku disa prej tyre kane fituar kontrata pune. Në kuadër të këtij projekti kemi angazhuar edhe lider fetar të cilët kanë ligjëruar për tolerancën fetare”, tha Ferizi.

Ferizi tregon se kohëve të fundit edhe pse nuk ka pasur ndonjë rast të theksuar të të shkuarve kosovarë në vendet luftarake islamike, trajnimet kundër ekstremizmit fetar vazhdimisht ligjërohen në Mitrovicë.

Për momentin meqë nuk ka rrezik të shkuarjes në luftëra të huaja, jemi duke e vazhduar projektin për parandalim ‘Ndërtimi i një komuniteti të qëndrueshëm në Mitrovicë’, ku në kuadër të projektit janë të përfshira edhe fshatrat dhe jemi duke i mbështetë institucionet me saktë Ministrinë e Punëve të Brendshme, në ngritjen e kapaciteteve të tyre dhe të ‘Këshillave për Siguri në Bashkësi’, për t’i integruar te kthyerit nga Siria dhe Iraku të cilët janë të stigmatizuar dhe nuk është bërë shumë në integrimin e tyre”, përfundon Ferizi.

Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Terrorizmin thekson nga viti 2015-16, kishte 250-300 persona nga Kosova që kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar për shtetin islamik të Irakut dhe Levantit, 50 prej të cilëve janë vrarë. Në bazë të  raportit, Policia e Kosovës me 11 korrik 2015 kishte arrestuar 5 shqiptarë të Kosovës të cilët kishin planifikuar ta helmonin burimin kryesor të ujit të Prishtinës, Liqenin e Badovcit. Dy prej të dyshuarve kishin luftuar për ISIL-in në Siri, kurse të pestët u akuzuan për vepra terroriste.

Sociologu, Rejhan Fejza e jep një vlerësim të tij rreth nocionit të “ekstremizmit fetar”.

Ekstremizmi fetar në esencën e tij ka gabime logjike. Si sociolog mendoj që duhet të ndahen ndryshe këto terme. Ekstremizmi fetar në vetvete nuk përmban asgjë më shumë se thirrje ekstreme nga prijësit fetar dhe pikërisht këtu është ‘huqja’ e madhe se si trajtohet ky fenomen. Ekstremizmi nga persona të caktuar në emër të fesë mund të jetë i rrezikshëm, por ky fenomen nuk është fetar. Në Mitrovice s’ka pasur kurrë probleme të llojit të tillë, përveç ‘ekstremizmit matan urës’ i cili është ekstremizëm fetar, i pagëzuar nga ‘Kisha Ortodokse’. Në jugun e qytetit ky fenomen është inekzistent”, tha Fejza për KosovaLive.

Sipas tij, institucionet shtetërore e as organizatat nuk kanë bërë mjaftueshme për ekstremizmin fetar në veriun e qytetit.

Fejza shprehet se ekstremizmi fetar në shoqërinë e Mitrovicës mund të zhduket përmes leximit dhe ligjërimit nga ligjërues adekuat për këtë temë, ndërkohë që kritikon institucionet shtetërore për keq menaxhimin e situatës në lidhje me këtë fenomen famëkeq.

 “Mendoj që leximi dhe diskutimet, prezantimet dhe ligjërimet e strukturuara sjellin bashkëjetesë dhe mirëkuptim. Këto të fundit e zhdukim nevojën për çfarëdo lloj ekstremizmi. Sa për institucionet tona, ato duhet ta lirojnë veten nga ekstremizmi i korrupsionit pastaj të merren më seriozisht për ekstremizmi fetar në vend”, përfundon ai.

Shqipdona Gashi 

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM