Build Skills with our trainings

Sign up now!

Bujqësia ende në kërkim të certifikimit si sektor që “punëson e prodhon”

Pri 5, 2021

“Babë e babëgjysh e kanë punuar tokën”, fillon rrëfimin e tij Baftijar Hasani nga Debelldehu i Vitisë, i cili çdo ditë shet produktet e nxjerra nga toka në tezgat e këtij rajoni, tezga këto të cilat ua kanë ndarë Ministria e Bujqësisë dy vite më parë. Hasani thotë se kurrë nuk ka qenë papunëtor, përherë është marrë me zhvillimin e bujqësisë në familjen e tij, kështu duke marrë edhe nga pak përfitime nga puna që bën.

Punën që e bën, e bën me nder. Tokat e tij i konsideron shumë të vlefshme, mirëpo shprehet se gjysma e tokave janë shterpa pasi që njerëzit nuk po i punojnë ato.

“Kemi marrë nganjëherë subvencione nga komuna, mirëpo përveç këtyre subvencioneve mbështetje tjetër nuk kemi pasur.”

Një tjetër zonjë, që produktet e saj i ekspozon në tezgë, Xhevahire Selmani me ndihmën e dy vajzave të saj, konservon e shet kryesisht produkte mjekësore, por jo vetëm.

Selmani thotë se tokat në Viti vende-vende janë shumë kualitative, sidomos në hapësira të rrafshta ku tokat janë të klasit të parë. Sipas saj, kultivimi i këtyre bimëve e zhvillon shumë edhe ekonominë familjare, pasi që qytetarët blejnë shpesh produktet e saj, e kështu fiton të ardhura për vete dhe për familjen.

Më pak e rezervuar se gjatë intervistës, mbase për faktin se nuk është mësuar me to, ajo më pastaj tregon edhe për një moment kur u ndie shumë e vlerësuar, më 2019, kur fitoi çmimin “Fermerja më e mirë”, të Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK).

Me krenari të madhe foli edhe për faktin se si rrjedhimisht ka përfituar nga komuna.

“Falë punës që bëj, tash së fundmi kam përfituar një serrë një ari e gjysmë, e këtu shihet se puna e madhe ka pasë rezultat. Kjo serrë prej komunës më ka ndihmuar shumë për ta zgjeruar edhe më tutje biznesin tim,” shprehet ajo, teksa rregullon tjegullat me produkte brenda tezgës së saj.

Dikur krahinë agrare, në të cilën janë kultivuar gruri e duhani, më vonë edhe me tipare industriale sidomos qendra e këtij regjioni – Gjilani, tash qytet me rreth 80.000 banorë, Vitia, qendër komunale, paraqet një qytezë agrare me industri fillestare metalike, me Banjën e Kllokotit afër.

Edhe Morava e Binçës është e një rëndësie të madhe për sektorin e bujqësisë në Viti, pasi ajo siguron një sasi të konsiderueshme të ujit të domosdoshëm për ujitje të tokës në këtë zonë. Nga ana tjetër, kjo lejon që sektori i bujqësisë në Viti të konsiderohet si një nga sektorët kyç për zhvillimin ekonomik të komunës.

Në mungesë te aktiviteteve alternative te rëndësishme ekonomike, në zonat rurale në periudhën afat mesme, bujqësia është sektor i rëndësishëm i sigurimit të ushqimit të popullatës së Kosovës.

Sektori i bujqësisë luan një rol të rëndësishëm në Kosovë. Është një kontribues kryesor i PBB-së (Produktit të Brendshëm Bruto), i dyti pas tregtisë me shumicë dhe pakicë.

Për nënkryetaren e Shoqatës “Duart e Nënave” të fshatit Skifteraj të Vitisë, që mirren me kultivimin e bimëve aromatike mjekësore që nga viti 2017, Vitia i ka tokat më pjellore në tërë Kosovën.

“Komuna e Vitisë njihet si komunë me tokat më pjellore në vend. Neve edhe kryetari na përkrahë shumë për bujqësi, pra e kemi përkrahjen prej kryetarit dhe po punohet shumë mirë,” thotë Nebahate Misini, nënkryetarja e kësaj shoqate.

Duke qenë se rëndësia e bujqësisë është dominuese, duhet medoemos të ekzistojë buxhet i caktuar i ndarë për këtë sektor, si dhe për njerëzit që i takojnë kategorisë së bujqve e fermerëve.

Një krahasim mes të dhënave të zhvillimit të bujqësisë të vitit 2018 të Raportit të Progresit për Kosovë me ato të vitit 2020 të po të njëjtit raport, tregon se në vitin 2018, buxheti i ndarë për sektorin e bujqësisë ishte 46 milionë euro, përderisa në vitin 2020 ky buxhet është rritur deri në 49.6 milionë.

Raportin e Progresit për Kosovë i vitit 2020 po ashtu theksohet se Kosova ka pasur një farë niveli të përgatitjes për bujqësi dhe zhvillim rural. Sipas këtij raporti, në përgjithësi u bë përparim i kufizuar, veçanërisht në zbatimin e programeve vjetore të zhvillimit agro-rural dhe vlerësimin e tij, por progresi në konsolidimin dhe mbrojtjen e tokës ishte e pamjaftueshme.

“Meqenëse jo të gjitha rekomandimet e vitit 2019 ishin kryer, në vitin e ardhshëm Kosova në veçanti duhet të kryejë një vlerësim cilësor të efektivitetit të masave mbështetëse të parashikuara në programin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, si dhe të marrë masa urgjente dhe efektive për të ndaluar humbjen e tokës bujqësore dhe të zbatojë legjislacionin për planifikimin hapësinor,” citohet në këtë raport.

Sidoqoftë, Misini thotë se Kosova nuk është edhe aq keq me përkrahjen që ua jap punëtorëve të tokave e bujqësisë.

“Me gjithçka na përkrahë. Na përkrahë me serra, me kultivatora, me gjithçka që ne i kërkojmë komunës. Për zhvillim të bujqësisë, komuna është numër një për çkado që i kemi kërku deri tash. Si mos ta kërkosh nuk ta bjen askush.”

Kosova ka një sipërfaqe prej afro 1.1 milion ha, nga e cila 53% është sipërfaqe e punueshme bujqësore, 41% sipërfaqe pyjore dhe 6% sipërfaqe të tjera. Prej sipërfaqes së përgjithshme bujqësore, 88% e tokës bujqësore është në pronësi private dhe 12% është në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore.

Një hulumtim i bërë nga UNDP që prekë pikërisht komunën e Vitisë në aspektin e zhvillimit të bujqësisë, shfrytëzimit të tokave bujqësore dhe aspekte të tjera, vë në pah kulturat më të zhvilluara nga kjo anë. Parësore konsiderohen drithërat (50.3%), dhe kjo për shkak se, normalisht, drithërat janë pjesë përbërëse e ushqimit që ne hamë çdo ditë.

Mirëpo, prej nënsektorëve tjerë që ka pasur rritje gjatë kohëve të fundit në Komunën e Vitisë është edhe nënsektori i perimeve, ku më të kultivuara janë patatet.

Regjistrimi i bujqësisë në Kosovë i kryer në vitin 2014 tregon se në Viti janë rreth nëntë mijë bujq që punojnë tokat e tyre private. Në sipërfaqen e gjithëmbarshme të shfrytëzuar të tokës bujqësore, pjesa më e madhe i përket livadheve dhe kullosave (54.3%), pasuar nga toka e punueshme – arat (43.6%), kulturat shumëvjeçare (1.9%) dhe kopshtet (0.3%).

Bujqësia cilësohet si sektor që edhe punëson edhe prodhon, thotë edhe zyrtari nga komuna e Vitisë, Salih Salihu, i cili ka kryer Fakultetin e Bujqësisë, dhe për të tepër për një kohë relativisht të gjatë ka shërbyer edhe si kryetar i Këshillit të Bujqësisë në Viti.

Ai e sheh bujqësinë edhe si një hap të ndalimit të ikjes së të rinjve jashtë shtetit.

“Mbështetja e bujqve ende është e vogël duke patur parasysh nivelin e rëndësisë së këtij sektori për ekonomitë familjare në vendet rurale, por edhe për ekonominë e vendit në përgjithësi. Ndërhyrja e shpejtë e shtetit në rimëkëmbjen e bujqësisë, krijimi i vendeve të punës në këtë sektor dhe në sektorin e teknologjisë ushqimore do të ndalte ikjen masive të të rinjve nga Kosova”.

Pra, sipas tij, roli i bujqësisë është shumë dimensional, ndaj edhe qeveritë duhet përkrahur më shumë zhillimin e mëtutjeshëm të këtij sektori.

Sipas një studimi të  FAO-s mbi një miliard njerëz në botë  janë të përfshirë në bujqësi, pra një në tre punëtorë në botë mirret me këtë  segment të ekonomisë. Gjithashtu thuhet se në nivel global, gratë janë më aktive në këtë degë sesa burrat, ku gratë përfaqësojnë 38% të kësaj përfshirjeje, në krahasim me 33% të burrave. Mund të thuhet se bujqësia është një prej degëve të pakta që siguron barazi gjinore, një aspekt ky që duhet të vlerësohet e të vëhet në pah.

Një prej këtyre grave që bën pjesë në këtë përqindje dhe që ka rezultuar e suksesshme në punën që bën është Valbona Ajeti, e cila ka filluar të mirret me bujqësi tash e gjashtë vite, kështu duke themeluar ndërmarrjen e saj të titulluar GRASEP (Gratë e Sllatinës së Epërme). Nuk punon e vetme, në ndërmarrjen e saj ka gra të tjera të punësuara, e që prodhojnë perime të prezervuara dhe turshi prej llojeve nga më të ndryshmet.

Në një intervistë për KosovaLive, Ajeti tregon se mirret me këtë punë pasiqë ndikon rritjen ekonomike, sidomos ekonominë familjare. Ka pasur përkrahje nga komuna, i vlerëson shumë edhe trajnimet e ndryshme që janë organizuar në të mirë të individëve që bëjnë të njëjtën punë si ajo, dhe në lidhje me interesimin e qytetarëve për të punuar tokat ajo ka këtë koment.

“Kur flasim për interesimin e qytetarëve për t’u marrë me këtë degë të ekonomisë, mendoj se në qytetin e Vitisë rreth 70% e popullsisë i punojnë, pasi që edhe komuna e Vitisë i përkrahë bujqit. Ndërsa në nivel Kosove nuk besoj se puna në toka është e zhvilluar mjaftueshëm.”

Për njohësin e ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, ekonomia e Kosovës përballet me një shkallë enorme të importit i cili ka ngulfatur prodhimin vendor. Sipas tij, shkak kryesor i kësaj situate është fakti se qeveritë nuk kanë sajuar strategji që do i jepnin hapësirë prodhimit vendor, me theks të veçantë prodhimit bujqësor si një determinues i zhvillimit ekonomik, punësimit, mirëqenies dhe njëherit duke e transformuar tokën nga djerrina në prodhues të kulturave bujqësore.

“Vlerësoj se bujqësia do luante një rol të veçantë në kohën e pandemisë duke siguruar kulturat bujqësore, njëherit edhe pavarësi ekonomike, pra mosvarje nga importi, për faktin se pavarësia ekonomike është determinuese edhe në pavarësi politike”

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë, tregojnë se në vitin 2019 ka pasur një rënie prej 3% në import, ndërkohë që eksporti është rritur për 3.1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Një mendimi të  ngjashëm është edhe zyrtari nga Vitia, Salih Salihu, sipas të cilit bujqësia mund të absorbojë një numër shumë të madh të fuqisë punëtore, duke e ulur kështu papunësinë, ndërsa me prodhim zëvendësojmë importin, dhe rrjedhimisht ndalim rrjedhjen e kapitalit jashtë vendit.

“Është e ditur se vendi ynë çdo vit shpenzon miliona euro për import të produkteve bujqësore dhe ushqimore. Të gjitha këto produkte do të mund të prodhoheshin në Kosovë, por për t’u arritur kjo, shteti duhet ta shpallë bujqësinë si prioritet nacional, dhe për një periudhë 4 vjeçare do të duhej një riorientim i buxhetit,” shprehet Salihu.

Nga ana tjetër, Kadrijaj shprehet negativisht për orientimin e subvencioneve.

“Duhet vlerësuar çdo investim apo subvencion nga ana e qeverive në bujqësi, por nga ajo çfarë shihet në teren, ka pak efekt pozitiv për faktin se gjasat për t’u keqpërdorur janë të mëdha, dhe për fat jo të mirë subvencionet nuk kanë shkuar në vendin e duhur. Si rezultat, bujqësia si një promotor i zhvillmit ekonomik dhe mirëqenies, nuk ka dhënë efektin e vet ekonomik,” përfundoi Kadrijaj.

Tradicionalisht marrja me bujqësisë është asociuar dhe vazhdon të asociohet me një grup të njerëzve që janë më në moshë, të cilët qysh prej fëmijërisë në të kaluarën kanë mbijetuar në një frymë ku puna në toka dhe kujdesi për kafshët kanë qenë prej aktiviteteve kryesore të familjes. Kjo kulturë është përcjellë në vazhdimësi edhe në ditët e sotme/

Kështu edhe kryetarja e Shoqatës së Grave “Agro Skifteraj”, Valdete Sahiti, shprehet e pakënaqur me angazhimin e të rinjve në këtë segment të ekonomisë.

“Për fat të keq, rinia po shkon kah industrializmi dhe po distancohen nga bujqësia, dhe kjo është mjaft shqetësuese. Them se duhet të organizohen më shumë kampanja vetëdijësuese për ta ngritur vetëdijen rreth rëndësisë së aktivitetit të bujqësisë,” shpreh Sahiti.

Ndryshe, Sahiti ka filluar aktivitetin e saj tash e tre vite, dhe prej arsyeve kryesore që ajo liston është se ka parë pasivitetin e grave përkundër punimit të tokës, e aq më tepër duke i ditur benefitet e kësaj pune. Ndonëse përfitimet financiare vijnë vetëm pas përpunimit të perimeve, dhe jo prej granteve, ajo prapëseprapë vazhdon punën, dhe këto përfitime i konsideron të mjaftueshme.

Sektori i bujqësisë i ka ndihmuar gratë të ndihen më të pavarura ekonomikisht nga burrat. Kështu raportohet të ketë ndodhur në Shqipëri, të paktën. Edhe këtu, në sektorin e bujqësisë janë të punësuara më shumë se 54 përqind të grave ekonomikisht aktive.

Megjithatë, jo të gjitha gratë kanë një biznes të tyre bujqësor, pasi që raporti tregon se gratë janë të mbipërfaqësuara në aktivitete bujqësore si punëtore pa pagesë të familjes, dhe përqindja e këtyre grave evidentohet të jetë rreth 87 përqind. Ky rol i grave rrjedhimisht rritë varësinë ndaj burrave të familjes, të cilët shoqëria i percepton si “kryefamiljarë”, e kështu ato privohen edhe nga mbrojtja sociale apo skema e sigurimeve shoqërore.

Elmedina Muja

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM