Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kryeministri Kurti: Vetëm kur të jemi të lidhur fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar

Gus 12, 2021

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e “100 vjetorit – Hasan Prishtina Kryeministër i Shqipërisë”, në Shkup u mbajt sot tribuna tematike “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë organizim, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti përcolli mesazhin për të qëndruar pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, pasi vetëm kur të jemi të lidhur fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.

Miq të dashur, shkupjanë, shqiptarë nga të gjitha anët e Republikës së Maqedonisë së Veriut,

Të nderuar përfaqësues të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup,

Ju falënderoj për ftesën që më keni bërë, si organizatorë të tribunës me temën “Kauzat shqiptare para dhe pas Hasan Prishtinës”.

Në të njëjtën kohë ju kërkoj falje që nuk munda të marr pjesë sot fizikisht në këtë aktivitet që mbahet me rastin e Vitit të Hasan Prishtinës, në nderim të 100 vjetorit, prej kur kjo figurë markante e historisë sonë, ishte kryeministër i Shqipërisë. Nuk munda të vij për shkak të angazhimeve të shumta e diskutimeve të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, por me zemër do të doja të isha pranë jush. Pas pak ditësh do të jem sigurisht aty, si pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të Bulevardit “Hasan Prishtina” në Shkup.

Po të isha aty, sigurisht do të kishim diskutuar gjatë mbi kontributin e Shkupit e të shqiptarëve të Maqedonisë në çështjen kombëtare. Nga gratë tona nder i Kombit, Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe Gonxhe Bojaxhiu, Nëna Terezë, nga kryengritjet e hershme të Dervish Carës qysh në 1844, e deri te çlirimi i Shkupit nga Hasan Prishtina, Bajram Daklani, Bajram Curri, Isa Boletini, Mehmet Deralla, Idriz Seferi etj. Do të flisnim edhe për zhvillimet e thellimet e mendimit strategjik shqiptar, nga Ukshin Hoti e deri te Arbën Xhaferri. Por këto të gjitha do t’i diskutojmë në raste të tjera.

Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar.

Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin. Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik.

Ju përshëndes të gjithëve dhe uroj punime të mbara në sesionet e tribunës, me respekt të thellë për organizatorët, bashkëpunëtorët shkencorë e gjithë pjesëmarrësit.

Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM