Edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë, \”Dokufest\”, i cili u zhvillua gjatë 6-14 gusht, u përmbyll të shtunën me filmin \”David Byrne’s American Utopia\”, nga programi special Muzika në Film.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, zëvendësministrja e MKRS Daulina Osmani, këshilltarja e ministrit Çeku, Nora Arapi Krasniqi dhe zyrtarë të tjerë.
Ceremonia përmbyllëse dhe ndarja e çmimeve fituese u mbajt në oborrin e Kinemasë Lumbardhi. Në kategorinë kombëtare, Valter Lucaj është shpërblyer me dy çmime, atë të distribuimit dhe të publikut për filmin “Vozitësi”, kurse me special mention është shpërblyer Flaka Kokolli për filmin “Mardhë. Ndërsa filmi më i mirë i kësaj kategorie u zgjodh filmi “Një fëmijë” nga Bekim Guri.
Gjatë këtij edicioni u shfaqën gjithsej 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës, në tetë kinema, gjashtë prej tyre në ambient të hapur, dhe dy të tjera në ambient të mbyllur, thuhet në faqen zyrtare të MKRS-së.