Build Skills with our trainings

Sign up now!

Spektri i fizioterapisë po zgjerohet e popullarizohet 

Dhj 20, 2021

A.K tregon për gjendjen e tij emocionale gjatë thyerjes së kyçit të këmbës.

“Fillimisht ishte e vështirë, dhimbja ishte shumë e madhe dhe s’mund të ecja. Pas heqjes së gjipsit këmba tashmë kishte shumë humbje të masës muskulare dhe duhej të shkoja te fizioterapisti”, rrëfen ai për KosovaLive.

Ai tregon i duhej kohë që të kthehej përsëri në lojën e hendbollit, por që fizioterapia kishte ndikuar në aspektin pozitiv drejt shërimit të tij.

“Me ushtrime të vazhdueshme dhe ndihmën e fizioterapistit ja dola mbanë ta riktheja forcën fizike në vendin e lënduar. Por e gjitha kjo u bë hap pas hapi dhe me përkushtim e disiplinë”, shprehet ai.

Fizioterapia është një nga profesionet shëndetësore që ofrohet nga terapistët fizikë, me qëllim të rivendosjes së lëvizjeve funksionale përmes ushtrimeve fizike. Fizioterapia mundëson mjekimin e lëndimit ose deformimit përmes ushtrimeve dhe rehabilitimit.

Sipas raportit të punës për vitin 2020 Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka gjithsej 16 mjekë specialistë dhe 63 infermierë në sektorin e fiziatrisë. Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive si pjesë përbërëse e SHSKUK ka kryer 13.825 vizita ku 88% janë sportistë të kategorisë sportive futboll.

Fizioterapistët kanë rëndësi të madhe gjatë lojës sportive. Ata janë përgjegjës për parandalimin dhe menaxhimin e lëndimeve të sportistëve gjatë stërvitjes dhe lojës. Në Londër 2012, fizioterapistët formuan grupin më të madh profesional që punonte në Lojërat Olimpike, ku rëndësi kryesore kishte nërhyrja parandaluese dhe ajo e rikuperimit të lëndimeve.

Për rolin dhe rëndësinë e fizioterapistit te sportistët tregon Argjent Krasniqi, fizioterapeut në ekipin futbollistik Fc.KEK-u

“Gjë e cila ndodh mjaft shpesh është lëndimi i ndonjë sportisti. Kështu fizioterapeuti ka kontakt direkt me të lënduarin dhe roli i tij është në rehabilitimin e sportistit e shpeshherë edhe në diagnostikim, pos kur kemi problem më madhore siç janë thyerjet, me ç’rast pacienti dërgohet tek ortopedi”, thotë ai.

Ai tregon për gatishmërinë e fizioterapeutit gjatë lojës, duke theksuar vigjilencën dhe veprimin e shpejtë e të saktë që ndihmon në reduktimin e lëndimeve fatale.

Duhet bërë dallimi i gjendjes së sportistit se a ka rreziqe për lëndimin e organeve vitale apo kemi lëndime periferike, pra të gjymtyrëve. Kur jemi te lëndimet e rënda sportistit i udhëzohet të ndërpritet loja, kurse kur kemi të bëjmë me lëndime periferike, kontrollojmë a ka ndonjë thyerje, a ka torsion (përdredhje) të shkallës së rëndë apo të lehtë i cili menaxhohet me akullsprey në vendin e lënduar”, rrëfen ai.

Besfort Zekaj, fizioterapeut në ONIX SPA të Istogut, tregon se si vendi frekuentohet nga shumë persona të moshave të ndryshme, por që më shumë dominon mosha mbi 50 vjeçe, duke thënë se ka edhe persona që vijnë vetëm për rekreacion.

Rastet dhe simptomat që më së shumti paraqiten janë problemet degjenerative të cilat përfshijnë sëmundjet reumatike”, thotë ai.

Dy prej terapive që aplikohen më shumë janë kinezioterapia dhe hidroterapia.

Kinezioterapia aplikohet në bashkërendim me disa minuta masazh që përfshin relaksimin e muskujve të trupit dhe relaksimin psikologjik të pacientit. Është e domosdoshme të mbahet terapia e vazhdueshme për 7 deri 10 ditë, në mënyrë që të vërehet efekti. Kjo bëhet duke kombinuar terapinë me hidroterapi, parafinoterapi dhe elektroterapi”, thotë ai.

Terapistët fizikë luajnë një ndikim të madh edhe në ndihmën e efekteve nga Covid-i i gjatë (Long Covid). Ata rekomandojnë aktivitete që mund të bëhen në shtëpi dhe me intensitet të ulët.Covid-i i gjatë përkufizohet si simptoma që zgjasin më shumë se 12 javë. Covid-i i gjatë nganjëherë quhet sindroma Post Covid, e që me anë të fizioterapisë mund të shkojë drejt mënjanimit. 

Vahide Murat, fizioterapeute, tregon se fizioterapia është e shkëlqyeshme për të ndihmuar të sëmurët që ndjejnë efektet e Covid-it të gjatë (Long Covid) të rikuperohen në nivele normale të shëndetit dhe rikthimit të aktiviteteve normale jetësore.

Shumë pacientë me Covid kanë pasur probleme me humbje të forcës, dhimbje shpine dhe muskulare, dhimbje të shpatullave ose nyjeve në përgjithësi. Të gjitha këto mund të zgjasin me javë dhe me muaj dhe janë probleme që trajtohen nga ana e fizioterapeutëve”, thotë ajo.

Ajo shpalos mënyrën se si një fizioterapeut mund të ndihmojë në këto raste.

Një fizioterapeut mund t’ju ndihmojë të planifikoni rikthimin tuaj në aktivitet, të shpjegojë se si të rregulloni ritmin e aktivitetit tuaj dhe t’ju udhëzojë në ushtrime të sigurta për forcë dhe fleksibilitet”, përfundon ajo.

Flutura Sogonjeva

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM