Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mblidhet Nën-komiteti i MSA-së për Inovacion, Shoqëri të Informacionit dhe Politika Sociale

Shk 3, 2022

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe autoriteteve të e Kosovës mbajtën mbledhjen e Nën-komitetit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Inovacion, Shoqëri Informative dhe Politika Sociale. Mbledhja mbuloi një gamë të gjerë temash nga arsimi, rinia, politikat sociale dhe punësimi, shoqëria e informacionit, politikat  për telekomunikacion dhe audio-vizuale, trashëgimia kulturore.

Për arsimin, të dyja palët u dakorduan për nevojën për t’i dhënë përparësi sigurimit të cilësisë në të gjitha nivelet, nga parashkollori në arsimin e lartë, kryesisht duke forcuar organet e sigurimit të cilësisë, si inspektorati arsimor dhe koordinatorët e cilësisë për arsimin parauniversitar, Agjencinë e Akreditimit për arsimin e lartë dhe Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve për arsimin profesional. Marrë parasysh rrethanat me pandeminë COVID 19, u theksua rëndësia e sigurimit që të gjithë fëmijët të kenë aftësinë për qasje në arsimin online, kur e kërkojnë rrethanat. Për sa u përket fëmijëve me nevoja të veçanta, u mirëprit punësimi i 100 mësimdhënësve ndihmës shtesë, sidoqoftë kërkohet progres i mëtejshëm, edhe për identifikimin dhe përfshirjen e këtyre fëmijëve në arsim. 

Komisioni e vlerësoi pozitivisht emërimin përmes konkursit të hapur të Bordit të ri të Agjencisë së Akreditimit, si dhe përgatitjen e Ligjit të ri për Agjencinë. 

Për arsimin dhe aftësimin profesional (AAP), të dyja palët u dakorduan për nevojën për përputhje më të mirë të shkathtësive me nevojat e tregut të punës, duke i shqyrtuar kurrikulat dhe profilet e aftësimit dhe duke e ridizajnuar sistemin e financimit të AAP-së.

Për arsimin, si dhe për shkencën dhe hulumtimin, Komisioni këmbënguli në nevojën për mbledhjen dhe sigurimin e të dhënave të sakta.  

Për sa i përket hulumtimit dhe inovacionit, Komisioni përshëndeti asociimin e plotë me Horizon Europe dhe theksoi rëndësinë e kapaciteteve të mira për hulumtim dhe inovacion për të rritur konkurrueshmërinë, integrimin në Zonën Evropiane të Hulumtimit dhe pjesëmarrjen në Horizon Europe dhe Erasmus+. 

Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Komisioni e inkurajoi Kosovën që të sigurojë përkushtim të vazhdueshëm ndaj Këshillit të Zbatimit dhe Monitorimit dhe punës së tij, si dhe të miratojë Ligjin për Trashëgimi Kulturore. Ai përshëndeti ratifikimin e Marrëveshjes së Asociimit të Creative Europe 2021-2027 dhe e inkurajoi Kosovën që të përgatitet për pjesëmarrjen e saj në Program. 

Për punësimin, Komisioni i inkurajoi autoritetet që të finalizojnë dhe miratojnë legjislacionin që mbulon punësimin, ekuilibrin mes jetës dhe punës, si dhe shëndetin dhe sigurinë në punë, të cilat janë duke u përgatitur prej disa vitesh. Agjencia e Punësimit duhet të rrisë fushëveprimin dhe mbulimin e masave të saj aktive të tregut të punës, për të adresuar shkallët e larta të pasivitetit, veçanërisht tek gratë. Për të adresuar shkallën e lartë të të rinjve që nuk janë në punësim, arsim apo aftësim, autoritetet u inkurajuan të vazhdojnë me zhvillimin e Planit të Zbatimit të Garancive për Rininë dhe të fillojnë zbatimin e tij, siç është dakorduar në takimin ministror të Ballkanit Perëndimor 6 (korrik 2021). Komisioni gjithashtu i inkurajoi autoritetet që të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të partnerëve socialë, veçanërisht sindikatave në sektorin privat, dhe t’i inkurajojnë që të lidhin marrëveshje kolektive duke siguruar që të mbetet e paprekur autonomia e tyre.

Për sa i përket përfshirjes sociale dhe mbrojtjes sociale, autoritetet u inkurajuan të bënin përparim të shpejtë në dy fusha: të ecet përpara me hartimin e Skemës së re të Ndihmës Sociale me testim të mjeteve, duke i zëvendësuar përfitimet sociale sipas kategorisë, dhe të sigurohet financimi për ofrimin e shërbimeve sociale nga komunat. duke i pajisur me burimet e nevojshme financiare. 

Për shoqërinë e informacionit, Komisioni vuri në dukje se është duke u finalizuar Agjenda Digjitale e Kosovës 2030. Komisioni përshëndeti miratimin e Ligjit për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besimit për Transaksionet Elektronike, duke e përafruar kështu legjislacionin e Kosovës me Rregulloren përkatëse të BE-së (eIDAS). Komisioni gjithashtu përgëzoi Kosovën për përafrimin e plotë me Rregulloren për Reduktimin e Kostos për Brez të Gjerë. Kosova u dakordua të rrisë përpjekjet për përafrim dhe zbatim të Direktivës NIS (Siguria e Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit) si dhe për të zbatuar kutinë e mjeteve 5G të BE-së. Zotimet e bëra gjatë Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor 2021 në lidhje me Memorandumet e Mirëkuptimit për Interoperabilitetin dhe Rrjedhën e Lirë të të Dhënave në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, po zbatohen dhe përafrimi i plotë me Kodin e Komunikimeve Elektronike të BE-së do të arrihet në vitin 2023.

Për politikat audio-vizuale, në veçanti kalimin në digjital, ku ende nevojitet përparim, Komisioni e inkurajoi Komisionin e Pavarur për Mediave që të gjejë mënyra për të liruar frekuenca gjatë vitit të ardhshëm. Komisioni gjithashtu e inkurajoi Kosovën që të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme financimi për transmetuesin publik, në përputhje me acquis të BE-së. Komisioni vuri në dukje procesin transparent të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit për transmetuesin publik si dhe ata për Komisionin e Pavarur për Media. Komisioni gjithashtu e inkurajoi Kosovën që të kryejë përafrimin me Direktivën për Shërbimet Audio-Vizuale dhe Mediatike, e cila do t’i lejonte vendit të marrë pjesë në degën MEDIA të Programit Creative Europe.

Takimi u bashkëkryesua nga Zyra e Kryeministrit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga drejtoritë e përgjithshme dhe ministritë e tjera. 

Informata mbi sfondin

  • Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar çështje teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane. 
  • Takimet e Komitetit dhe nën-Komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. 
  • Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Pylltaria, Siguria Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.  
  • Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet të ndihmojë BE-ja në këtë proces. Takimet japin kontribut të drejtpërdrejtë edhe në raportet vjetore të Komisionit Evropian, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM