Build Skills with our trainings

Sign up now!

Lënda zgjedhore në shkolla të përkojë me nevojat e nxënësit

Shk 23, 2022

Bazuar nga raporti i Edutopia, lëndët zgjedhore u japin studentëve mundësi zgjedhjeje dhe mund të funksionojnë si lëndë për standardet bazë të arsimit. Lëndët me zgjedhje kanë potencial të madh në zbatimi e arsimit profesional, i inkurajojnë ata të marrin vendime, analiza të rezultateve, si dhe paraqesin një zgjedhje të qëllimshme që ka të bëjë me profesionin e tyre të ardhshëm.

Sipas analizës të sistemit arsimor në Kosovë, në vitin 2015 vendi për herë të parë kishte hartuar Strategjinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar 2016-2021. Tri shtyllat kryesore të këtij dokumenti ishin: reformimi i procesit të mësimdhënies për një mësimdhënie moderne, ndërtimi i karrierës së mësimdhënësve gjatë gjithë jetës dhe fuqizimi i aspekteve praktike të plan-programeve.

Kush më mirë sesa studentët mund të tregojë se si arsimi duhet ndryshurar? Dymbëdhjetë vite studimi për ta e bënë të lehtë të identifikojnë se çfarë është e mirë dhe keqe në edukimin e tyre. Mungesa e informacionit për drejtimin që dëshirojnë ta studiojnë mund të ndikojë që ata të marrin një hap të gabuar ose të dështojnë në fillim të vitit universitar.

Për çështjen e hulumtimit të kësaj teme janë pyetur edhe nxënësit nga gjimnazi “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë, përmes një ankete fizikisht, mostër e së cilës ishin vetëm nxënësit që janë në vitin e fundit gjimnazor në drejtimin natyror dhe shoqëror.

Anketa ka pasur të ngritura dy tema: cila lëndë përveç matematikës iu duket më e panevojshme dhe se a duhet të ketë lëndë zgjedhore në klasën e 12-të që kanë të bëjnë ose ndërlidhen me studimet që planifikojnë t’i kryejnë.

Përderisa nxënësit kanë të drejtë që vet t’i zgjedhin lëndët zgjedhore, prapë se prapë kjo e drejtë iu mohohet. Sipas Kornizës Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar të Republikës së Kosovës, mësimi me zgjedhje është i detyrueshëm për të gjithë nxënësit dhe ofrohet nga shkolla në bazë të interesimit të nxënësve, nevojave të komunitetit, sugjerimeve që ofron Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisës (MASHT) dhe mundësive të shkollës. Aty përcaktohet se procedurat e organizimit të kësaj kurrikule rregullohen me dokumente të tjera kurrikulare (siç janë Kurrikulat Bërthamë) dhe me akte nënligjore (Udhëzimi Administrativ).

Në lidhje me këtë parim, drejtori gjimnazit “Eqrem Çabej,” Lulzim Bivolaku, tha se sipas kurrikulës lëndët zgjedhore duhen të zgjidhen nga vet nxënësit, mirëpo ata nuk e aplikojnë këtë në praktikë.

“Zakonisht ne i zgjedhim ato dy lëndë që na mungojnë në orë, pra që mos të na mbesin profesorët pa lëndë”, shton drejtori.

E në këtë gjimnaz, sipas Bivolakut, që nga viti 2015 është duke rënë numri i nxënësve, e kjo është arsyeja pse nuk mund të t’ua japin të drejtën nxënësve që t’i zgjedhin lëndët vetë.

Ndërsa, profesori i filozofisë, Selatin Ymeri thotë se nuk është shumë e arsyeshme që për shkak të numrit të vogël të nxënësve atyre të mos iu jepet e drejta e tyre për zgjedhjen e lëndëve.

“Nuk është e nevojshme dhe aspak e duhur ta detyrosh dikë me mësu për një lëndë zgjedhore që nuk planifikon me studiu në të ardhmen rreth saj,” tha ai.

Edhe profesoresha e gjuhës shqipe, Xhevahire Haxhiu konsideron se vetë nxënësit duhet të jenë ata që duhen zgjedhur lëndët zgjedhore.

“E shoh shumë efikase nëse do t’iu propozoheshin nxënësve lëndë që kanë të bëjnë me studimet që planifikojnë t’i kryejnë”, shtoi ajo.

Nga anketa e shkurtër, jopretencioze, e realizuar nga KosovaLive me nxënësit e shkollës “Eqrem Çabej” në Vushtrri, rezulton që lënda më e padëshiruar për drejtimin natyror është Gjuha Frënge, ndërsa në shoqëror, lënda e Historisë.

Lëndët tjera më të padëshiruara për t’u mësuar në klasën e 12-të, maturantët nga drejtimi natyror iu janë përgjigjur anketës për lëndët: Gjeografi, e cila është lënda e dytë që nxënësit nuk e pëlqejnë, e pas saj lëndët më të votuara ishin Astronomia, Fizika, Gjuha Shqipe, Kimia, Teknologjia, Anglishtja, Edukata Fizike dhe Biologjia.

E në drejtimin shoqëror sipas rezultateve lënda më e padëshiruar është Historia, e pas saj menjëherë rënditet Gjuha Frënge, Sociologjia dhe Filozofia.

Në bazë të përgjigjeve që janë dhënë në anketë, përqindja më e madhe e shohin si të panevojshme për ta mësuar Gjuhën Frënge sepse nuk ka të bëjë aspak me drejtimin universitar që synojnë ta regjistrojnë.

Një pjesë e tyre janë përgjigjur se Gjuha Frënge nuk është e domosdoshme, sepse në vend të saj e shohin Gjuhën Angleze. Ndërsa, nxënësit shoqëror kanë shkruar se Historia është lëndë e panevojshme për t’u mësuar në klasën e 12-të sepse është mësuar për të mjaftueshëm dhe “se ka shumë data që duhet mbajtur mend”.

Ajo çka pati konfirmim në masë të madhe nga nxënësit ka të bëjë pikërisht me lëndën zgjedhore  në vitin e fundit të gjimnazit, ku 95% prej nxënësve që kanë treguar se do t’i vazhdojnë studimet universitare, e kanë parë si një veprim shumë të mirë që në vitin e fundit parauniversitar të kenë mundësi të zgjedhin një lëndë që ka të bëjë me drejtimin e tyre të ardhshëm në studime.

Një tjetër raport mbi përzgjedhjen e lëndëve zgjedhore në shkolla, i hartuar nga Save the Children në Kosovë dhe Syri Vizion, potencon shpërfilljen e ligjeve dhe kurrikulave në sistemin arsimor në Kosovë, sidomos në relacion me lëndët zgjedhore. Ky raport pati për bazë edhe lëndët më të shpeshta që priren të jenë lëndë zgjedhore në shkolla.

Kështu, në Komunën e Prishtinës është thënë që në shumicën e shkollave të kësaj komune, lëndët zgjedhore më të shpeshta janë: Etika, Shkathtësitë e shek. XXI, Ekologjia, Aftësi për Jetën e të tjera. Në Komunën e Prizrenit si më të shpeshta janë listuar lëndët: Mirëqenia dhe Shëndeti, Teknologjia, Lëndë të tjera shkencore dhe Gjuhët dhe Komunikimi (kryesisht Gjuha Angleze). Ndërkaq në Komunën e Skenderajt, janë përgjigjur se lëndët zgjedhore më të shpeshta janë TIK dhe Mbrojtja e Mjedisit.

Pra, në tërësi, ekziston tendenca që të përzgjidhen disa lëndë që konsiderohen disi si të përgjithshme.

Kur është parashtruar pyetja se kush i harton planet dhe programet për lëndët e mësimit zgjedhor, të gjitha DKA-të pjesëmarrëse të këtij hulumtimi janë përgjigjur se ato hartohen nga mësimdhënësit përkatës të lëndës të cilën ata e ligjërojnë. Në Komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit kryesisht nga mësimdhënësit e lëndës, por ka raste kur ato hartohen edhe nga aktivi i lëndës/fushës përkatëse, ndërkaq në Komunën e Gjilanit janë përgjigjur se ato kryesisht hartohen nga menaxhmenti i shkollës. Në disa shkolla të Komunës së Skenderajt, planet dhe programet hartohen nga mësimdhënësit dhe një grup i pedagogëve. Pjesa tjetër pohojnë se në këto planifikime duhet të mirren parasysh rekomandimet e MAShTI-t.

Në lidhje me këta të fundit, KosovaLive ka tentuar të intervistojë përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mirëpo, në takimin fizik, nuk kanë thënë asgjë në lidhje me temën dhe email-ave kanë refuzuar t’iu përgjigjen.

Verona Krasniqi

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM