Build Skills with our trainings

Sign up now!

Edukimi seksual nuk futet si lëndë në shkolla, fëmijët të papërgatitur

Shk 24, 2022

“Çfarë është duke ndodh me trupin tim?, Si jam duke u zhvilluar unë? Çfarë janë këto faza me të cilat jam duke u përballur? Këto janë vetëm disa nga pyetjet të cilat sillen në kokën e të rinjve, përgjigjet e të cilave nuk dinë se ku t’i kërkojnë.

Prindërit janë ata që shpesh herë ua shpjegojnë me vonesë, derisa as në shkolla nuk mësojnë për edukimin seksual.

Arta Ibriqi, nënë e tre fëmijëve ka thënë për Kosovalive se është shumë e rëndësishme që fëmijët të mësojnë për edukimin seksual.

Ajo ka thënë se fëmijëve të saj u flet për këtë çështje, megjithëse sipas saj diskutimet që i bënë ajo me fëmijët e saj në shtëpi, nuk janë të mjaftueshme për ta.

Andaj, Ibriqi ka shprehur nevojën që kjo lëndë të përfshihet si e vetme në shkolla, në mënyrë që fëmijët të marrin njohuritë e mjaftueshme për edukimin seksual.

Sigurisht unë si nënë e shoh shumë të nevojshme trajtimin e këtyre temave. Pavarësisht që unë i trajtojë në shtëpi duke ju dhënë informata dhe këshilla fëmijëve të mi, prapë se prapë mendoj që nuk është e mjaftueshme”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, psikologu Vigan Behluli ka thënë se ndryshimet hormonale dhe ndryshimet e rritjes të cilat ndodhin te fëmijët, do të duhej t’i gjenin këta të fundit të përgatitur me informata adekuate.

Sipas tij, fëmijët duhet të jenë të përgatitur me informata të sakta që t’i tejkalojnë të gjitha ato kriza apo faza të transferit të cilat ndodhin në periudha të caktuara të fëmijërisë dhe adoleshencës.

Ndryshimet hormonale dhe ndryshimet e rritjes të cilat ndodhin tek fëmijët, do të ishte mirë t’i gjenin të përgatitur me informata adekuate, se çka është e pritshme dhe se çka po ndodh me trupin e tyre në adoleshencë. në mënyrë që informatat të jenë të sakta”, ka deklaruar ai.

Behluli është shprehur se trajtim i lëndës së edukimit seksual në shkolla dhe komunikimi i duhur me familjen, do të ju ndihmojnë fëmijëve që të mos jetojnë me hamendësimin se çfarë po ndodhë me trupin e tyre.

Nga Policia e Kosovës kanë treguar se vetëm gjatë vitit 2021 në polici janë raportuar 19 ngacmine seksuale dhe 69 dhunime.

Ndërsa, nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) kanë thënë për Kosovalive se nxënësit duhet të njoftohen për dëmin që shkakton mosraportimi i rasteve të ngacmimeve seksuale.

Sipas kësaj Agjencie, djemtë dhe vajzat duhet po ashtu të njoftohen për rëndësinë e përkujdesjes ndaj shëndetit seksual, riprodhues dhe parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.

“Lënda e edukimit seksual të përfshihet në shkolla fillimisht për t’i njoftuar vajzat dhe djemtë e ri me trupin e tyre, dallimet fiziologjike, rëndësinë për përkujdesje ndaj shëndetit seksual, riprodhues dhe parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, për t’i njoftuar ata mbi dëmin që shkaktojnë praktikat e pa raportuar të rasteve të ngacmimeve seksuale”, kanë deklaruar nga ABGJ.

Profesoresha e departamentit të gazetarisë, në Universitetin e Prishtinës, Remzie Shahini-Hoxhaj, ka deklaruar se edukimi seksual është një lëndë shumë e nevojshme për shkak se sipas saj, ende ka paqartësi për jetën seksuale të njerëzve.

Sipas saj, lëndët alternative nuk e mbulojnë në mënyrë të rëndësishme këtë temë.

“Një lëndë e tillë është mëse e nevojshme për shkak se ende ka një numër të madh të paqartësive që ekzistojnë për jetën seksuale të njerëzve. Lëndët si biologjia e sociologjia nuk e mbulojnë këtë sferë shumë rëndësishme”, ka shtuar ajo.

Shahini-Hoxhaj është shprehur se institucionet janë vonuar shumë sa i përket kësaj çështje, derisa ka theksuar se përkundër futjes së një lënde të tillë në shkolla, duhet të krijohet literature adekuate dhe të përmirësohen tekstet e tjera shkollore.

Remzie Shahini-Hoxhaj, gjatë ligjeratës në kuadër të bashkëpunimit të Departamentit të Gazetarisë dhe OAK.

Tash e 4 vite lënda e edukimit seksual veçse ka zënë vend në kurrikulat e arsimit të Kosovës, temë kjo që do të trajtohet në lëndë të ndryshme si, biologji, edukatë fizike, dituri natyre, varësisht nga niveli i shkollimit.

Për të zbatuar këtë kurrikulë, organizata” Kosova Population Foundatin”, (KOPF) është duke trajnuar mësimdhënësit e të gjitha niveleve shkollore në Kosovë dhe deri më tani ka përfunduar trajnimi i 1 mijë e 200 mësimdhënësve në të trija nivelet.

Kjo organizatë gjithashtu ka hartuar doracak të ndryshëm për këtë temë mbi të cilat do të bazohet trajtimi i edukimit seksual në shkollat e Kosovës, doracak këta të cilët përfshijnë ciklet e shkollimit dhe mënyrat se si duhet të trajtohet kjo temë në ato cikle.

Rifat Berisha, drejtor i organizatës KOPF ka thënë për Kosovalive se janë duke punuar në trajnimin e mësimdhënëse dhe se presin që deri në vitin 2023 të përfundoj trajnimi i tyre në të gjitha nivelet e shkollimit.

 “Nëse trajtohet në mënyrë të duhur dhe me kohë ESGJ, në të ardhmen ne do të kemi, më pak shtatzëni tek adoleshentët, më pak aborte, më pak martesa të hershme dhe më pak infeksione seksualisht të transmetueshme”, është shprehur ai.

Berisha më tej ka theksuar se ka ende shumë nevojë të punohet në këtë drejtim dhe se sipas tij, e gjitha përgjegjësia nuk është vetëm e mësimdhënësve, por kjo temë duhet të bisedohet edhe në familje.

Ndërsa, zyrtarë për Informim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) kanë thënë për Kosovallive se këta doracak po i shfrytëzojnë mësimdhënësit si material shtesë për të mundësuar realizimin gjithëpërfshirës të edukimit seksual.

“Doracakët janë të ndarë sipas niveleve të shkollimit (nivelin fillor, i mesëm i ulët dhe i mesëm i lartë). Pastaj për secilën klasë nga klasa e parë deri te klasën e dymbëdhjetë kanë në dispozicion nga një video si material shtesë dhe i dobishëm për nivelin e moshës së nxënsit”, kanë deklaruar nga kjo ministri.

Ata më tej kanë shtuar se për të trajtuar edukimin seksual do të shfrytëzohen disa lëndë si, Njeriu dhe Natyra, Biologji, Shoqëria dhe Mjedisi, Edukatë Fizike dhe Sporti dhe Shëndeti, varësisht prej nivelit të shkollimit.

Gjithashtu nga Ministria e Arsimit kanë thënë që mësimdhënësit po trajnohen intenzivisht për të trajtuar këto tema edhe pse po hasin vështirësi.

“Sipas disa të dhënave paraprake trajnimet kanë rezultuar pozitivish dhe po zbatohen në të gjitha shkollat e Kosovës, mirëpo ka vështirësi në trajnimin e mësimdhënsëve të nivelit fillor pasi që është numri shumë i madh i mësimdhënësve që duhet të marrin këtë trajnim”, kanë thënë ata.

Aktivitet i organizatës KOPF, në kuadër të projektit AQH Project.

Petrit Tahiri, drejtori i Kosova Education Center (KEC), ka thënë që temat që mund të konsiderohen si tabu, duhet të trajtohen në sistemin arsimor.

Ai ka deklaruar se Korniza e Kurrikulës së Kosovës krijon mundësi shumë të mira që kjo tematikë të trajtohet në fusha të ndryshme kurrikulare dhe se u ofron autonomi mësimdhënësve.

“Duke u nisur nga rëndësia e trajtimit të këtyre temave, është shumë e rëndësishme që mësimdhënësit të përkrahen që sa më lehtë të kenë qasje në materiale shtesë dhe të jenë të trajnuar që këto tematika të i trajtojnë si tema kros-kurrikulare në mënyrë që edhe efekti i tyre të jetë më i madh”, është shprehur ai.

Blerim Dvorani, mësimdhënës i biologjisë në komunën e Drenasit ka thënë për Kosovalive se ai është i trajnuar për të trajtuar këto tema, mirëpo ai është shprehur që materialet janë të pakëta.nAi ka theksuar se ende nuk dihet interesimi i nxënësve për këtë temë.

“Ende nuk ka hyrë kjo lëndë në plan program. Vetëm në klasët e shtata kemi pak material në kuadër të lëndës biologji”, ka shtuar ai.

Pro trajtimit të kësaj lënde në shkolla, është edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari.

Jashari ka thënë se është shumë më e drejtë që edukimi seksual të trajtohet në orët e kujdestarisë, ku do të mund të hapeshin diskutime të ndryshme duke qenë prezentë edhe psikologët e shkollave.

Ai ka theksuar se Ministria e Arsimit duhet të ketë kujdes se si do të kuptohet kjo lëndë nga fëmijët, por edhe shoqëria duke pas parasysh vendin në të cilin jetojmë.

“Fillimisht duhet të kthehet ora e kujdestarisë, ku përveç edukimit seksual do të diskutoheshin tema të tjera me nxënësit ku do të merrnin pjesë edhe psikologët e shkollave duke pas kështu një rrumbullaksim të të gjitha temave që i kanë prekur dhe i prekin në vazhdim të rinjtë tanë”, ka thënë ai.

Rrahman Jashari në takim me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ndërsa, Elvanda Gojani, Koordinatore e Koalicionit K10, ka thënë për KosovaLive se ata kanë avokuar në lidhje me ndryshimet ligjore dhe politikat publike nga ana e institucioneve përkatëse në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues.

Ajo është shprehur se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Odën e Mjekëve dhe Odën e Infermierëve po bëjnë ngritjen e kapaciteteve të Kujdesit Parësor Shëndetësor përmes trajnimeve.

Ky bashkëpunim do të ndihmoj në ngritjen e kujdesit nga shëndetit të gruas dhe të rinjve të Kosovës me trajnimet si: Raportimin e dhunës në baza gjinore, Shëndetin e Adoleshentëve, Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme, Planifikimi Familjar dhe  Etika Profesionale dhe të Drejtat e Pacientëve”, ka shtuar ajo.

Kosova ka mbetur prapa shteteve tjera sa i përket futjes së lëndës së edukimit seksual në shkolla. Shqipëria është vendi ynë fqinjë i cili rrugëtimin për edukimin seksual në shkolla e ka filluar në vitin 2005, duke e përditësuar në vitet në vazhdim më programe dhe ligje të cilat do të ndihmonin në këtë proces.

Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin në Shqipëri, ka publikuar një raport në bazë të cilit Shqipëria ka shënuar një progres të vazhdueshëm në trajtimin e edukimit sekusual në shkolla.

Shqipëri është rënditur në vendin e 32-të në mesin e 60 vendeve, në kuadër të vlerësimit të Treguesit të Daljes në Dritë, i cili tregon reagimin e shtetit ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve.

Raporti i ECPAT dhe Treguesit, tregon se ka një sërë faktorësh të cilët kanë ndikuar në këtë rezultat, por prapë se prapë kanë evidentuar zhvillime pozitive në këtë fushë viteve të fundit.

Ndërsa, një raport për gjendjen në Maqedoninë e Veriut thotë se lënda e shëndetit seksual dhe reproduktiv duhet të inkorportohet në kuadër të procesit të rregullt mësimor në klasën e fundit të arsimit fillor ose në fillimin e arsimit të mesëm në mënyrë që të prevenohet në pjesën e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, por edhe të tejkalohet problemi i seksit si tabu-temë.

Në një raport të realizuar për edukimin seksual në Evropë dhe Azinë Qendrore thuhet se ecuria ka qenë e jashtëzakonshme në rajonin Evropian sa i përket hartimit dhe integrimit të programit të edukimit seksual në mjediset formale shkollore. Sipas raportit, në 21 nga 25 vende, aktualisht ka një ligj, politikë ose strategji që ose e parashikon ose e mbështet atë.

Rinesa Qorri

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM