Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë takuar zëvendës sekretaren e Mbrojtjes për Politika në kuadër të Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sasha Baker. Ata kanë biseduar për progresin e FSK-së, rolin e Republikës së Kosovës në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin e qeverisë në situatën aktuale gjeopolitke, luftën në Ukrainë.
Baker ka shprehur vlerësim të lartë për qasjen dhe kontributin e Republikës së Kosovës, sidomos në evakuimin e refugjatëve afganë dhe gatishmërinë për të trajnuar dhe pranuar refugjatë ukrainas në një situatë aspak të lehtë për Evropën dhe botën në përgjithësi që po përballet me një krizë ekonomike, e shumë më tepër humanitare përballë agresionit të pamëshirshëm rus.
Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se përveç tjerash kanë biseduar edhe për nevojat që FSK ka sa i përket furnizimit me armatime, si dhe gatishmërinë që si shtet e ushtri kemi për të bashkëpunuar në çdo nivel, ngase zhvillimi i brendshëm por edhe stabiliteti i gjithmbarshëm i shteteve varet nga shkalla e bashkëpunimit.
“Si një shtet që para pak vitesh kemi kaluar një periudhë lufte të tmerrshme dhe dhimbjesh të paharrueshme, e kemi të qartë se sa të vështirë e ka një shtet-autor i krimeve të largohet nga skenaret e zhanrit të njejtë, e se si zgjidhja e vetme që historia të mos përsëritet asnjëherë në asnjë shtet është lidhja e kombeve në BE dhe në NATO.
Republika e Kosovës pashkëputshëm është e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me çdo shtet anëtar të NATO-s që beson në vlerat demokratike dhe në lirinë e kombeve”.
Gjithë kjo situatë, qëndrimi i Republikës së Kosovës dhe përparimi që FSK ka arritur me implementimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit por edhe qeverisjes qëndrore në përgjithësi, bëjnë që shteti i Kosovës të perceptohet si një aleatë i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shtet kyq në ruajten e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit.






