Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci,b kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Frank Power dhe personalitete të tjera të rëndësishshme vendore dhe ndërkombëtare kanë marrë pjesë në hapjen e punimeve të konferencës “Ndërtimi i Kapaciteteve për Përfshirje në Arsim – INCLUDE ”, projekti i përbashkët ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Nagavci me këtë rast ka thënë se, zbatimi i këtij projekti ka hapur një shteg të ri të arsimit në Kosovë, për çka edhe është shprehur mirënjohëse për kontributin e madh që kanë dhënë Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian në fushën e arsimit në vendin tonë, me projekte të mëdha si ky, me donacione, ndarje të praktikave të mira, këshillime dhe udhëzime.
Nagavci ka thënë se Ministria e Arsimit ka ndërmarrë veprime për përmirësimin e qasjes në arsim cilësor të nxënësve nga grupet e cenueshme, me theks të veçantë: ngritjen e kapaciteteve të institucioneve arsimore për të siguruar gjithëpërfshirje; fuqizimin e mekanizmave për zbatimin e politikave arsimore gjithëpërfshirëse; ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për nxënësit me nevoja të veçanta; sigurimin e pajisjeve për shkollat dhe ofrimin e bursave për nxënësit romë, ashkali dhe egjiptianë.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi se për Qeverinë, por në veçanti për Ministrinë e Arsimit, ky bashkëpunim është tejet i rëndësishëm dhe frytdhënës, sepse në këtë mënyrë jemi gjithmonë më afër praktikave dhe modeleve të mira të integrimit të grupeve të margjinalizuara.
“Çdo hap që hidhet në drejtim të çështjeve që trajtojnë edukimin dhe arsimimin, pengesat apo problemet me të cilat përballen sot shtetet për integrimin e grupeve të margjinalizuara, për shkak të përkatësisë etnike, aftësive dhe aspekteve gjinore, përbën një mundësi reale për të vepruar konkretisht mbi këto problematika”, është shprehur ajo.
Duke folur për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë, Nagavci tha se, korniza ligjore e Kosovës thekson se shkollat dhe institucionet e tjera të trajnimit duhet të respektojnë parimin e arsimit gjithëpërfshirës, duke akomoduar të gjithë nxënësit pa dallim nga kushtet e tyre fizike, intelektuale, sociale, gjuhësore ose të tjera, dhe të ofrojnë mbështetje adekuate bazuar në nevojat individuale të nxënësve, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-it.






