IKSHPK lidhur me vlerat e rritura të manganit në ujin e pijes nga Liqeni i Badovcit ka njoftuar se analizat e fundit laboratorike, ndonëse tregojnë për rënie të vlerave referente të manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, ende nuk janë brenda vlerave standarde të parapara në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu.
Me qëllim të informimit të drejtë IKSHPK njofton se nga matjet e fundit laboratorike rezulton se në katër ditët e fundit vlerat e manganit janë si vijon:
- Me datën 7 nëntor: 0.19-0.40 mg/litër
- Me datën: 8 nëntor: 0.19-0.35 mg/l
- Me datën 9 nëntor: 0.17-0.30 mg/l
- Me datën 10 nëntor: 0.058-0.19. mg/l
Ndërsa, vlera e lejuar për përdorim të ujit për pije është: 0.05 mg për litër (uji në rubinetë/çeshme).
Nga këto vlera krahasuese, shihet që përkundër rënies së tyre, ende nuk është arritur standardi i lejuar për përdorim të ujit për pije.
Ndërkohë, uji mund të përdoret për të gjitha veprimtaritë e tjera ditore (higjienë personale dhe mjedisore, përdorim të ushqimit, etj.).
Uji nga resurset e tjera: Liqeni i Batllavës -Fabrika e Ujit në Albanik (Shajkovc) si dhe Liqeni i Ujmanit nëpërmjet kanalit të Mihaliqit, gjegjësisht trajtimi në Fabrikën e Ujit në Shkabaj,) në regjionin e Prishtinës, i plotëson kriteret e parapara për pije dhe këtë e vërtetojmë me rezultatet laboratorike që kryhen në baza ditore dhe monitorimit si aktivitet themelor i Qendrës së ujit brenda IKSHPK-së.
Në IKSHPK testohet edhe uji i ambalazhuar i prodhuesve të ndryshëm, sipas kontratave të operatorëve me Institutin për kryerjen e këtyre testimeve.
IKSHPK i ka 2 laboratorë të akredituara me standarde ndërkombëtare dhe uji i nënshtrohet analizës në të dy këto laboratorë:
- Laboratori i parametrave bazik ku testohet Mangani si parametër indikues bazik; dhe
- Laboratori analitik ku bëhen analizat më të detajuara, ku gjithashtu testohet mangani si metal i rëndë.
Që nga shfaqja e fenomenit të rritjes së vlerave të manganit në ujë, i cili është një fenomen natyror që shfaqet çdo vjet gjatë ndërrimeve sezonale, kryesisht në resurset sipërfaqësore, IKSHPK ka dhënë rekomandime në dy drejtime:
- Rekomandime për qytetarët dhe
- Rekomandime për kompaninë e ujit KRU “Prishtina” se çfarë duhet të bëjnë.
Sa u përket qytetarëve, mbesin në fuqi rekomandimet e deritanishme të cilat janë të publikuara dhe janë komunikuar vazhdimisht, ndërsa kompanisë KRU “Prishtina” i është rekomanduar që në planin afatgjatë të ndërmerren masa si:
- Ndërtimi i kullës së veprës së marrjes për përthithje të ujit në nivele të ndryshme (të liqenit) në përputhshmëri me standardet teknike; dhe
- Funksionalizimi i gypit furnizues të ujit nga kanali Ibër -Lepenc.
Me rekomandimin e IKSHPK-së, sikur ka njoftuar edhe “KRU Prishtina”, sot kjo kompani do të bëjë shpërlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare në zonat që furnizohen nga Liqeni i Badovcit, pra nga zonat e prekura nga niveli i lartë i manganit, me qëllim të përmirësimit të kualitetit të ujit.
IKSHPK rikujton se misioni kryesor i tij është mbrojtja dhe përparimi i shëndetit të popullatës dhe ky qëllim sigurohet përmes aktiviteteve dhe mbështetjes së plotë në ligjet aktuale në fuqi, të cilat janë të përafruara me legjislacionin evropian, thuhet në postimin në Facebook të IKSHPK-së.
Mbesin në fuqi rekomandimet si më parë:
IKSHPK apelon qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit se:
Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera;
Uji në rajonet që furnizohen nga liqenjt akumulues Batllava dhe Ujmani mund tē pēdoren pēr pije pa pẽrkufizim.
Shpërlarja e rezervoareve të ujit në shtëpi dhe ndërtesat e banimit të përbashkët me qëllim pastrimi të Manganit të shtresuar (përgjegjësi e amvisërive dhe këshillave të banimit)
Zonat të cilat mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga Fabrika e ujit në Badovc janë të njëjtat:
Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanices qe furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Hajvalia komplet, lagjet Veterniku, Lagjet 038 dhe të gjitha të tjerat që gravitojnë në brezin Graçanicë – Prishtinë, pastaj Lagjet Qëndresa, Qëndresa Home, Sëiss Village, fsh. Preoc, Çagllavicë, Rruga Behar Begolli, Richard Holbrooke, Qendra Albi Mall, Rruga Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, objektet individuale nga rruga Malush Kosova, deri te “kisha në Matiçan”, zonat në drejtim të zonës industriale drejtimi për Lipjan, Lagja Qershia, Lagja NIC, zona afër Xhamisë në Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza me të gjitha rrugicat drejtimi deri te QKUK, rruga Enver Maloku, objektet në lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, objektet e Standardit (Sociale) dhe objektet e kyçura direkt në linjat magjistrale Badovc Prishtinë, rruga Ferat Dragaj, Hajrullah Abdullahu, Hilmi Rakovica, Vllezërit Gërvalla, Afrim Zhitija, Armend Daci, Dervish Rozhaja, Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, rruga Sali Nivica, Norbert Jokl, Thimi Mitko, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat e tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala.
Bashkëveprimi i IKShPK/QU dhe KRU-ve me institucionet shtetërore është në kontinuitet deri në qetësimin e situatës.




