Build Skills with our trainings

Sign up now!

Riciklimi i mbeturinave, një proces i ngadaltë

Qer 27, 2015

Në Prishtinë shumicën e kohës mbeturinat e materialeve të ndryshme hidhen në një vend pa u klasifikuar. Edhe ato shporta që janë të destinuara për klasifikimin e mbeturinave nuk mirëmbahen nga qytetarët. Në këtë rajon sasia e mbeturinave komunale në vitin 2014 ka arritur 0.5 kilogram në ditë për banor, thuhet në raportet e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu-Bejta ka thënë për KosovaLive se komuna në bashkëpunim me GIZ-in ka hartuar planin e veprimit për ndarjen e mbeturinave në lagjen Dardania.

“Për fillimin e realizimit të këtij projekti kemi planifikuar furnizim me kontejnerë 1.1 metër kub si dhe shporta me kapacitet 240 litra, për komplet lagjen Dardania. Kontejnerët janë paraparë për mbeturina të amvisërisë dhe për mbeturina të riciklueshme. Është planifikuar që mbeturinat e ndara të dërgohen për riciklim, kurse mbeturinat e amvisërisë shkojnë në Deponinë Regjionale në Mirash. Në asnjë mënyrë nuk do të ketë përzierje të mbeturinave nga operatori. Për këtë arsye do të ketë kontejnerë adekuat për secilin lloj të mbeturinës si dhe monitorimi do të jetë i vazhdueshëm”, ka shtuar ajo.

Mirëpo, mbeturinat e ndara prapë bashkohen në kamionë kur grumbullohen nga kompania “Pastrimi”.

Arbnore Ademi, zëdhënëse në këtë kompani thotë se nuk kanë marrë asnjë mjet financiar nga komuna për të blerë kamionët përkatës.

“Komuna nuk ka ndihmuar as edhe një cent të vetëm Kompaninë ‘Pastrimi’, as për riciklimin e mbeturinave as për ndonjë veprimtari tjetër.” ka thënë Ademi për KosovaLive.

reciklimi 2

Ligji për Mbeturina i Republikës së Kosovës, ndër të tjera parasheh ndëshkime me gjobë prej 2 mijë deri 50 mijë euro për kompanitë që merren me mirëmbajtjen  e mjedisit edhe në rastet kur nuk bëhet ndarja e mbeturinave. Por, sipas Ademit është e palogjikshme të shqiptohen këto dispozita, përderisa nuk ka ndarje të mbeturinave.

“Për këtë nuk është faji i Kompanisë ‘Pastrimi’, sepse ne si kompani jemi të gatshëm ta implementojmë, mirëpo duhet shumë punë nga Komuna dhe Ministria e Mjedisit, inspeksioni. Po ashtu duhet të bëhet vetëdijesimi i qytetarëve që riciklimi është në favor të të gjithëve,” ka thënë ajo.

Ndërkaq, që nga korriku i vitit të kaluar në 42 shkolla fillore të Prishtinës zbatohet projekti “Prishtina riciklon” i krijuar nga Komuna e Prishtinës dhe organizata Green Art Center, që ka për qëllim ndarjen e mbeturinave në të riciklueshme dhe të tjera.

Themeluesi i GAC, Lorik Muçaj ka thënë që ky projekt po vazhdon të implementohet përkundër sfidave si: mossubvencionimi i këtij projekti nga institucionet, cilësia e ulët e ndarjes së mbeturinave dhe pamundësia për zbatimin e projektit në shkollat e vendeve rurale si pasojë e mungesës së kompanive serioze që i mbledhin mbeturinat.

“Përkundër përkushtimit maksimal të Komunës së Prishtinës, e cila e ka mbështetur projektin dhe ka shpreh interes ta përkrahë këtë proces, nuk ka arritur gjithmonë të kryejë zotimet e saj në kohë. Respektivisht pengesa më e madhe ka qenë vonesa në blerjen e shportave të vogla të destinuara për hapësirat brenda klasave, që është një pjesë e bashkëfinancimit në projekt, e cila mbase institucionalisht cilësohet si problematikë e sistemit të prokurimit publik në Kosovë, por që në projektin ‘Prishtina riciklon’ ka krijuar shumë dëme. Gjithsesi falë bashkëpunimit të komunës, shkollave, kompanisë ‘Pastrimi’, kompanisë ‘SRI’ dhe të gjithë aktereve, procesi ka filluar ne kohe edhe në mungesë të një pjese të infrastrukturës”, ka thënë Muçaj.

Sipas tij, në Kosovë veçmas në Prishtinë ka pasur nisma për praktikumin e ndarjes së mbeturinave por që asnjëra nga to nuk ka funksionuar sepse nuk kanë qenë të planifikuara mirë.

“Çdo investim në projekte të mëparshme, si shumë investime në Kosovë, janë dizajnuar të dështojnë, veçoj këtu projektin për ndarjen e mbeturinave në Breg të Diellit, ku qytetarët shprehën vullnet për ndarje të mbeturinave, por u dorëzuan meqë e gjithë sasia e ndarë përfundonte prapë në deponi”, ka shtuar Muçaj.

Sipas Muçajt projekti “Prishtina riciklon” do të përmbushet deri në tetor të këtij viti dhe planifikohet të zgjerohet.

/Teuta Berisha – Vajzë Dëgjohu/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM