Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gjurmët e padukshme në emër të gjakut dhe tokës

Nën 13, 2015

Vlerësohet se gjatë konflikteve luftarake në Kosovë janë dhunuar rreth 20.000 femra – shqiptare, serbe dhe rome. Dhunuesit nuk i janë përmbajtur gjithnjë parimit se sulmojnë vetëm “femra armike”. Megjithatë, për shqiptaret nga rajonet rurale të Kosovës, fakti se janë dhunuar në luftë është një turp i papërballueshëm: fshehin se çfarë u ka ndodhur ose ekskomunikohen.

/Jovana Gligorijević – Vreme/ – Tregimi është i vjetër, tash nja 15 vjet, e madje edhe Guardian-i britanik ka shkruar rreth kësaj. Ishte vjeshta e vitit 1999, njëzetvjeçarja Myrvete e kishte lindur një vogëlush të shëndoshë e të madh. Menjëherë pas lindjes, e mori në gryk dhe e shikoi në sy. E uli dorën nga fyti i foshnjes dhe e ngulfati. Pastaj qetazi ua dha mamive në duar. Myrvetja edhe sot e kësaj dite është në repartin e spitalit psikiatrik në Prishtinë. Vogëlushi kobzi ishte fëmiu i pestë që kishte lindur. I mbarsur kur Myrvetja përjetoi dhunimin grupor të forcave paramilitare serbe në kohën e konfliktit në Kosovë më 1998-1999. Kishte vetëm 20 vjet, nuk dinte as shkrim as lexim. Bashkëshorti e braktisi, e familja e ekskomunikoi meqë mbeti shtatzënë pas dhunimit.

Vjen lufta, kryhet dhe nis paqja. Viktimat numërohen, varrosen, vajtohen, të gjallët vazhdojnë rrugën e tyre si dijnë e munden. Plagët e luftës shërohen, e të gjymtuarit mësohen me jetën me paterica dhe kolica. Jeta ecën tutje. Për disa, për ata me plagë të jashtme. Ekzistojnë edhe atë të tjerë, me plagë që janë shumë më thellë, që nuk u shihen gjurmët, por për ta lufta dhe trauma nuk janë ndërprerë kurrë. Myrvetja është një prej tyre.

FEMËR JE: Sa të tilla ka, vetëm në Kosovë, nuk ka të dhëna të sakta. Sipas të dhënave të Human Rights Watch janë dokumentuar 96 raste të dhunimeve të luftës të shqiptareve të Kosovës. Po kjo organizatë vlerëson se gjatë konflikteve luftarake në Kosovë janë dhunuar rreth 20.000 femra – shqiptare, serbe dhe rome. Dhunimet grupore kanë kryer si pjesëtarë të formacioneve paramilitare serbe, ashtu edhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas të dhënave, dhunuesit nuk i janë përmbajtur aq shumë parimit që t’i sulmojnë vetëm “femrat armike”. Hetimet e HRW dokumentojnë edhe rastet kur serbët etnikë i kanë dhunuar serbet, e shqiptarët shqiptaret.

Shqiptaret nga viset rurale të Kosovës nuk e përdorin fjalën “dhunim”. Për to kjo është thjesht një turp për të cilin vetëm mund të heshtin. A.D. nga fshati Likoshan në Drenicë ka heshtur 17 vjet. Me gazetarët pranon të flasë vetëm me kusht që mos t’i zbulohet emri. Burrit asnjëherë nuk i ka treguar se në vjeshtë të vitit 1999, derisa ai po fshehej nga forcat serbe, është dhunuar brutalisht në dyshemenë e kuzhinës së saj, i është thyer dora derisa u lutej që ta vrisnin.

“Nuk mund t’i them se e kam çnderuar familjen. Ai kujton se ata vetëm kishin hyrë në shtëpi dhe më kishin rrahur. Do të më vriste po të dinte se më ka prekur serbi”, me një zë të paluhatshëm rrëfen A.D. Në pyetjen se a i pengon se gazetarja me të cilën bisedon është serbe, përgjigjet, por kësaj here me zë të dridhur: “Femër je. Kur e përjetova krejt këtë dhe përderisa po iknim, i kam ndihmuar cilësdo femeër që kam mundur. Asnjërën prej tyre nuk e kam pyetur se a i ka ndodhur e njëjta..” Tutje, rrëfen për femrat që i njeh, e të cilat kanë përjetuar të njëjtën gjë si ajo. Shumë prej tyre, pasi është marrë vesh se çfarë kishin përjetuar, u braktisë nga burrat. Njëra ishte dhunuar si vajzë trembëdhjetë vjeçe. Dhjetë vjet më vonë ishte martuar me shqiptarin kosovar me të cilin kishte jetuar shkurt në Gjermani. “Dikush i tregoi se çfarë kishte ndodhur. E përzuni”.

AJO PËR ÇKA S’KA FJALË: Këto femra nuk janë vetëm viktima të “dhunimit në shërbim të spastrimit etnik” por edhe të shoqërisë patriarkale në të cilin jetojnë. Ato as që e dijnë termin për dhunim, e një decenje e më shumë jetojnë nën barrën e traumës së përjetuar dhe lajthitjes së ato vet janë fajtore. Pse ndodh kështu në Kosovë, shpjegoi qysh më vitin 2000, Helena Smit, gazetarja e Guardian, e cila në detaje i kishte përcjellë dhunimet e luftës në Bosnjë, Kosovë dhe gjetkë nëpër botë. “Kjo nuk është Bosnje. Nuk ka Sarajevë kosmopolite. Qyteti i vetëm i madh është Prishtina. Në fshatrat dhe vendet e largëta ku policia jugosllave dhe paramilitarët serbë silleshin në mënyrë shtazarake, ‘dhunimi’ është fjalë që tek duhet të hyjë në vokabularin e këtushëm arkaik.

Është një fakt zhgënjyes se pos raportit të themeltë që e botoi Human Rights Watch në pranverë të vitit 2000, nuk ekzistojnë asfarë burimesh të qëndrueshme mbi dhunën seksuale gjatë 16 muajve të luftës në Kosovë. Raporti pohon se dhunimet e luftës në Kosovë kanë pasur tri forma kryesore: dhunimet në shtëpitë e viktimave, dhunimet gjatë tentimit të arratisjes dhe dhunimet gjatë mbajtjes rob. Sidoqoftë, prova se kanë ekzistuar të ashtuquajtura “kampe për dhunime” në të cilat femrat janë mbatjur ekskluzivisht që mbi ta seksualisht të shfryhen meshkujt – nuk ka.

Më së shpeshti, pjesëtarët e formacioneve paramilitare hynin nëpër shtëpi dhe i dhunonin femrat para anëtarëve të tjerë të familjes, apo i çonin në dhomën tjetër. Dhunimet gjatë arratisjes kishin gjithmonë skenar të njëjtë: pjesëtarët e ushtrisë, policisë apo forcave paramilitare do ta ndalnin kolonën e njerëzve që ecnin në këmbë apo lëviznin në traktorë. Për t’i lënë të vazhdojnë do t’u kërkonin para. Nëse nuk kishin para, i ndanin femrat e reja, i dhunonin, e pastaj i linin të vazhdojnë.

CIVIL I GJINISË FEMËRORE:  Numrin më të madh të dhunimeve, sipas të dhënave të HRW, i kanë kryer pjesëtarët e forcave paramilitare serbe. Ato pak raste, në të cilat kryesit ishin pjesëtarë të forcave zyrtare ushtarake e policore, paradoksalisht – janë paraqitur. Në qershor të vitit 2014, dy serbë,  Jovica Dejanović dhe Đorđe Bojković u dënuan me nga 10 e 12 vjet burg për dhunimin e kryer në prill të vitit 1999. Ishin liruar në shkallën e parë, por Gjykata e Apelit në Prishtinë, anuloi vendimin për lirim të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe i shpalli dy të akuzuarit fajtor për veprën krim lufte kundër popullatës civile.

Atëbotë EULEX kumtoi se prokurori, i cili fliste në emër të Zyres së Prokurorisë Speciale të Kosovës, ishte plotësisht i kënaqur me aktgjykimin e Gjyqit të Apelit lidhur me këtë rast shumë të ndjeshëm.

“Të akuzuarit kanë kryer krim të rëndë kundër civilit të dëmtuar gjashtëmbëdhjetëvjeçar të gjinisë femërore. Ky rast reflekton vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare që të ndërprejë mosndëshkimin e gjithë atyre që kryejnë vepra të tilla. EULEX-i, për dallim nga të gjithë të tjerët që gjenden pranë viktimave të dhunimeve gjatët luftës, është i vetëdijshëm për traumat nëpër të cilat kalojnë këto femra. Ndërkohë që gjithë dëshmitarëve u është dashur shumë guxim për të dëshmuar, edhe më shumë guxim i është dashur viktimës së mbijetuar të dhunimit.  Identiteti i saj gjatë tërë procedurës ka qenë i mbrojtur dhe i është lejuar të dëshmojë gjatë dëgjimit të mbyllur”, ka informuar prokurori.

Ky është një rast presedence në shumë nivele: së pari, rrallë ndonjë kosovare merr guximin që edhe më të afërmve t’u tregojë se çfarë i ka ndodhur. Por, edhe nëse ia pranon ndonjë të afërmi, gjasat janë shumë të vogla se do ta paraqetë rastin. Aktgjykimi po ashtu është një rast i rrallë meqë në shumicën e proceseve gjyqësore, kryesit lirohen në mungesë të provave, sidomos meqë nga momenti i kryerjes së krimit ka kaluar një decenje e më shumë.

Në rastin konkret habit edhe ndjeshmëria e gjyqit ndaj traumës së viktimës dhe fakti se ajo nuk ka pasur ballafaqim me dhunuesin. Në gjyqësinë serbe, ta zëmë, viktimat nuk janë kursyer nga kjo, kështu që me kryesin takohen me dhjetra herë në gjykatë.

MENDOJMË PËR TY, POR VETËM KAQ: Parlamenti i Kosovës më 2013 e ka hedhur poshtë projektligjin mbi statusin dhe të drejtat e luftëtarëve të vrarë, invalidëve, veteranëve, luftëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre. Një vit më vonë, është miratuar një ligj i ngjashëm, e disa të drejta u janë njohur edhe viktimave të dhunimit gjatë luftës. Ligji, por edhe Strategjia që e përcjellë, e njeh statusin e viktimës vetëm prej 27 shkurt 1998 deri më 20 qershor 1999, që organizatat serbe e shohin si diskriminim dhe shkelje të të drejtave të komuniteteve pakicë, e sidomos asaj serbe, në Kosovë. Strategjinë, respektivisht draft rregulloren mbi përcaktimin e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë vitit 1999, e hartoi Këshilli Nacional të cilin e themeloi më 2013 presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Këshillin e përbëjnë kryesisht përfaqësuesit e sektorit joqeveritar, e në të nuk ka përfaqësues të komuniteteve pakicë, as serbë, romë e as goranë.

Sipas ligjit, viktimat e dhunimeve do të duhej të gëzonin pensionin prej 300 eurosh, e kërkesa për realizimin e të drejtave mund të drejtohet deri më vitin 2019. Me ligj është paraparë që viktimat e luftës të gëzojnë beneficione të veçanta, si ndihmë mjekësore dhe rehabilitim fizik, shërbime shëndetësore pa pagesë në institucionet shëndetësore, shërbime shëndetësore jasht vendit, lirim nga tatimi në pronë dhe zvogëlim i shpenzimeve për energji elektrike. Por është një dallim: për dallim nga kategoritë e tjera që përfshihen me këtë ligj, personat seksualisht të abuzuara nuk do të lirohen nga tatimi dhe dogana për blerjen e mjeteve transportuese për shfrytëzim personal, stazhin e beneficuar dhe nuk do të lirohen nga pagesat administrative në universitetet shtetërore.

Do të ishte ky rast i mirë për të moralizuar mbi atë se athua plagët e luftës e meshkujve janë më të dhimbshme se ato të femrave, por ligji as pas mbi një viti prej kur është sjellë – nuk zbatohet. “Mbaroi puna, e hangër uku”.

Edhe pse de facto nuk mund të marrin kurrfarë kompensimi për krejt atë që kanë përjetuar, femrat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë do të fitojnë – monument. Nën patronatin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, më 12 qershor të këtij viti në stadiumin e qytetit në Prishtinë, është organizuar ekspozita 5000 fustane që janë mbledhur në aksionin “Mendojmë në ty”, në shenjë solidariteti me femrat që janë dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Të gjitha fustanet do të mblidhen, paketohen, e në fund nga ato do të formohet një monument për femrat viktima të dhunimeve gjatë luftës në Kosovë 1998-1999. Të rezimojmë: një numër i pacaktuar i femrave që janë dhunuar dhe torturuar, në një mjedis ku dhunimi është tabu, kanë në dispozicion një ligj që nuk zbatohet dhe një grumbull fustanesh në kujtim të traumave të tyre.

Kjo storje është realizuar në kuadër të projektit Kosovo Serbia: LIVE, implementuar nga NUNS dhe KosovaLive, të cilin e financon Bashkimi Evropian në kuadër të Mbështetjes Shoqërisë Civile 2013. Përmbajtja e kësaj storjeje dhe qëndrimet e paraqitura në të janë përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM