Build Skills with our trainings

Sign up now!

Biblioteka e Deçanit në përpjekje për t’iu përshtatur zhvillimit të hovshëm të teknologjisë

Maj 16, 2016

Biblioteka publike e Deçanit “Dëshmorët e lirisë” po bën përpjekje për ta ndërruar mënyrën e veprimit në tërheqjen e lexuesve duke iu përshtatur kohës së sotme moderne dhe të zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe internetit, por në këtë drejtim po ka vështirësi pasi renditet te ato biblioteka të Kosovës që ende nuk kanë arritur t’iu përshtaten standardeve moderne të një biblioteke.

Në radhë të parë, hapësira e saj nuk është e mjaftueshme për lexuesit pasi që nuk ka një sallë leximi që do tu ofronte lexuesve qasje të rehatshme për lexim të librave. Edhe numri i librave nuk është i mjaftueshëm dhe një pjesë e tyre nuk iu përshtaten nevojave të lexuesve, pjesa më e madhe e të cilëve janë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.

Punëtorja e kësaj biblioteke, Hyrije Krasniqi,e pranon se biblioteka nuk po arrin t’i përshtatet kohës moderne dhe kushteve që ajo do të duhej t’i ofronte për lexuesit.

 “Të them të drejtën, Biblioteka e Qytetit, në këtë kohë moderne, nuk është ashtu siç do të duhej të ishte. Por, me këto mundësi që i kemi mundohemi t’u dalim në ndihmë të gjitha grupeve të lexuesve”, tha Krasniqi për KosovaLive.

Përveç telefonave me internet, në rënien e numrit të lexuesve në bibliotekë, sipas Hyrije Krasniqit kanë ndikuar edhe mungesa e librave dhe infrastruktura e dobët e bibliotekës.

Këto probleme i pohon edhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin Komunal të Deçanit, Faik Doda. Ai thotë se Biblioteka Komunale e Deçanit ende përballet me probleme, ndër të cilat ai thekson mungesën e librave dhe infrastrukturën e dobët.

Sipas Dodës, problemi i librave është zbutur herë pas here falë donacioneve të ndryshme.

“Donacione ka pasur më së shumti nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e cila ka shpërndarë libra nëpër të gjitha bibliotekat e territorit të Kosovës. Donacione ka pasur edhe nga Ministria e Kulturës”, shpjegon Doda.

Edhe pse falënderues për të gjitha donacionet, Doda tregon se një donacion i fundit janë libra dhe materiale të mjekësisë të cilat nuk janë në interes dhe në ndihmë të lexuesve të bibliotekës.

“Tani së fundi kemi pasur një donacion, i cili ka sjellë një numër të madh të librave, rreth 200 tituj. Por ato janë nga lëmi i mjekësisë dhe nuk futen në shërbim të lexuesve, sepse kryesisht, rreth 95% e lexuesve të bibliotekës janë nxënës të shkollave fillore dhe shkollave të mesme të Komunës së Deçanit, edhe pse nuk kemi një numër të saktë të lexuesve, sepse ai vazhdimisht ndryshon”,shpjegon Doda.

Këtë e pohon edhe punëtorja përgjegjëse e Bibliotekës, Hyrije Krasniqi.

“Kemi pasur donacione por faktikisht ato donacione nuk janë libra te cilat lexuesit na i kërkojnë këtu. Nuk kisha qenë e mendimit që ato libra nga lëmi i mjekësisë, jurisprudencës dhe ekonomisë të sillen këtu. Ato do të ju kishin hyrë në punë më shumë studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Universitare”, shton Krasniqi.

Biblioteka e Deçanit ka përfituar edhe nga vullneti i qytetarëve dhe shkrimtarëve të cilët me vullnetin e tyre kanë dhuruar libra për bibliotekën, si dhe donacione nga Arkivi i Kosovës.

Problemi i infrastrukturës është një sfidë tjetër e Bibliotekës “Dëshmorët e Lirisë”.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Faik Doda, tregon se Pallati i Kulturës në Deçan, ku ndodhet edhe biblioteka, ende ballafaqohet me probleme infrastrukturore dhe vazhdimisht është dashur të investohet në të dhe në hapësirat e tij.

Ai përmend renovimin e kulmit të Pallatit dhe tavanit të bibliotekës, i cili ka qenë problem i vazhdueshëm për bibliotekën sidomos në kohën e shirave.

“Tani i është bërë një renovim i fundit i tavanit të bibliotekës, i cili është ndërruar tërësisht me kërkesën tonë drejtuar Drejtorisë së Urbanizmit dhe me aprovim të kryetarit të komunës”, shpjegon Doda.

Përkundër këtyre renovimeve, problem kryesor mbetet mungesa e sallës për lexim në bibliotekë, e cila tash për tash është vetëm në sallë e improvizuar me disa tavolina dhe karrige.

Bleona Molliqaj, nxënse e klasës së tetë, thotë se vjen shpesh në bibliotekë por do të donte të kishte një sallë leximi.

“Unë këtu vij shpesh me shoqet e mia dhe i marr librat që më nevojiten. Por kisha pasur dëshirë të kemi një sallë këtu për të lexuar në qetësi”, thotë Bleona, nxënse e shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Carrabreg  të Deçanit.

Sipas zyrtarëve komunal në të ardhmen do të ketë investime të reja në Bibliotekën Komunale.

“Salla e tanishme e cila ka 3-4 tavolina nuk i plotëson kushtet e nevojshme për lexuesit. Biblioteka ka hapësira të mjaftueshme për t’u krijuar një sallë. Vullneti i kryetarit të komunës është për renovime dhe investime të mëtutjeshme në bibliotekë”, u shpreh drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në KK të Deçanit.

Biblioteka e Deçanit “Dëshmoret e Lirisë” funksionon nga viti 1999 dhe ajo është e vetmja bibliotekë publike e cila funksionon edhe me një degë të saj në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit, megjithëse kjo komunë sipas regjistrimit të fundit i ka 66 mijë banorë.

/Fatbardha Shabanaj  – Vajzat ngrisin zërin/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM