Build Skills with our trainings

Sign up now!

Monumentet që Vushtrrisë i japin ngjyrën e lashtësisë

Maj 16, 2016

Vushtrria konsiderohet të jetë Viciana antike dhe është një ndër qytetet më të lashta të Kosovës, që në periudhën romake njihej si qendër tregtare me emrin Vicianum, ndërsa për një kohë është njohur me emrin Vuçitërnë. Vushtrria ka përafërsisht 70.000 banorë dhe ndodhet në pjesën veriore të Kosovës.

Vushtrria është e njohur si gërshetim i vlerave moderne dhe antike dhe shquhet më së shumti për lashtësinë e monumenteve që posedon. Mes shumë tjerash, monumentet më të njohura në qytetin e Vushtrrisë janë: Kalaja e Vushtrrisë, Hamami dhe Ura e Gurit.

Informatat rreth monumenteve të prezantuara në librin ‘Vushtrria – Viciana me rrethinë’, monografi e shkruar nga Emin Fejza, Zenun Gjocaj dhe Izet Miftari, tregojnë për lashtësinë e qytetit dhe për rezistencën që ky qytet kaloi gjatë periudhave të ndryshme kohore.

Edhe qytetarët e Vushtrrisë me të cilët biseduam për KosovaLive thonë se këto monumente të trashëgimisë janë vlerë dhe veçanti e këtij qyteti. Prandaj ata, mirëpresin renovimet e restaurimet që po u bëhen atyre objekteve me vlerë nga trashëgimia kulturore. Ata pohojnë se pas kryerjes së punimeve në këto objekte, gjithçka duket më e bukur për sytë e vizitorëve.

Kalaja e Vushtrrisë është një ndër monumentet më të vjetra të qytetit dhe sipas të dhënave është kala iliro-dardane, e rindërtuar në mesjetë. Ndërtimi është bërë nga gurët me formë të çrregullt, ndërsa sipërfaqja e saj është rreth 1.100 metra katrorë. Muret e kalasë janë 10-12 metra të larta,ndërsa trashësia e tyre është 3-4 metra. Në brendësi të saj gjendet një lloj tuneli që sipas legjendës shërbente të dilej në lumin Sitnicë në rast rreziku.

Një qytetar i moshuar tregoi se Kalaja e Vushtrrisë është përdor si kinema, pasi në ambientet e saj në mbrëmje shfaqeshin filma. Pos për filma, kalaja ishte shfrytëzuar edhe për shfaqje cirku.

Në anën perëndimore, në murin e kalasë disa metra mbi bazë, gjenden dy gurë në formë piramide, që sipas legjendës paraqesin bashkimin e princërve iliro-arbëror, gjegjësisht simbolizojnë shqiponjën dykrenare. Kalaja në burimet historike përmendet si Kala e Vjetër. Jo shume larg Kalasë, në anën perëndimore të saj ka rrjedhën lumi Sitnicë.

Sipas Evlia Çelebiut, kalaja në vitin 1389 u shkatërrua pas pushtimit te Sulltan Muratit I.  Gjatë gjurmimeve arkeologjike, brenda kalasë janë gjetur rreth 600 llulla të ndryshme dhe 4 puse.

E rindërtuar disa herë, Kalaja e Vushtrrisë, ka arritur të mbijetojë deri më sot. Herën e fundit Kalaja është renovuar nga organizata ‘DEMI’ që financohet nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Hamami i Vushtrrisë është ndërtuar nga Gazi Ali Beu në fund të shekullit XIV dhe fillim të shekullit XV. Gazi Ali Beu në Vushtrri ka ndërtuar edhe xhaminë që e mban emrin e tij. Hamami shërbente si banjë publike për meshkuj dhe femra, të cilët pastroheshin me radhë në ditë të caktuara. Përveç larjes me orë të tëra, në hamam ka pasur edhe muzikë, është shërbyer çaj dhe gjithandej ka pasur pëllumba.

“Hamamin e mbaj mend si banjë ku shkonin burra e gra. Gratë shkonin me çanta nga shtëpitë e tyre, ndërsa burrat përdornin rrobat që ishin në hamam. Orari ishte i caktuar për të dyja gjinitë. Tri ditë ishin për burra, ndërsa 2 ditë të tjera për gra”, tregon një qytetare e vjetër e Vushtrrisë.

Hamami përbëhej nga një ambient i madh i hyrjes. Brenda hamamit gjendej një sallë e madhe që shërbente për larje, ndërsa pas sallës ishte shatërvani me gurë të mesëm, ku gjatë tërë kohës rridhte uji i ftohtë dhe i nxehtë. Aty ndodheshin edhe dy vaska guri ku shkarkohej uji i nxehtë i ardhur nga depozita.

Banjoja është ndërtuar nga gurët e butë ngjyrë të bardhë të murosur me mjeshtri, kurse pullazi është i ndërtuar në formë kupole. Në këto kupola gjenden vrima të vogla në formë rrethi të mbuluara me qelq, që kanë shërbyer për ndriçimin e lokaleve të brendshme me anë të rrezeve të diellit. Në rrugën pranë banjos janë gjetur gurë të gdhendur me figura njeriu të kohës së vjetër.

Pamja e jashtme e Hamamit është renovuar nga shoqata “Trashëgimia kulturore pa kufij”, që ka përkrahje financiare nga Ambasada amerikane në Prishtinë dhe sipas Shpresa Ramës, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Vushtrrisë, janë disa monumente përfshi këtu edhe hamamin që janë në mbrojtje të përhershme nga shteti.

Ura e Gurit është monument arkitektonik dhe hidroteknik që gjendet në pjesën veriperëndimore të hyrjes së qytetit te Vushtrrisë. Ajo lidhte fshatrat e rreze malit Qyqavicë me Vushtrrinë.

Sot ura e gurit gjendet mbi shtratin e thatë të lumit Sitnicë, uji i te cilit, për shkak të përbërjes pedologjike e ndërroi rrjedhën për disa dhjetëra metra në perëndim. Ura e Gurit është e ndërtuar nga blloqet e gurit, që si duket janë marrë nga kodrina e fshtatit Lumkuq. Gurët janë të gjatë rreth 1 metër e të trashë 30-40 cm, të gdhendur mirë e të murosur me rende paralele.

Gojëdhënat thonë se ura ka pasur 12 harqe, por ato janë mbuluar me dhe në anët anësore. Harqet e fundit kanë qenë aq te larta, sa nëpër to kanë kaluar qerret me sanë. Thuhet se para shumë vitesh, çiftet e sapomartuara i jepnin betimin njëri-tjetrit mbi urën e gurit. Ura e Gurit nuk është renovuar asnjëherë.

Studiuesi Emin Fejza thotë se ura përmendet nga kronikë e udhëpërshkrues të ndryshëm që nga shekulli XVI.

/Rina Krasniqi – Vajzat ngrisin zërin/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM