Build Skills with our trainings

Sign up now!

I riu nga Drenica që herët hyri në hullinë e letërsisë

Maj 16, 2016

Krijuesi i ri letrar nga Skenderaj i Drenicës, student i vitit të tretë në Degën e Letërsisë Shqipe në Fakultetin Folologjik të Universitetit të Prishtinës, Azem Deliu, është bartës i çmimit  “Student i dalluar” dhe i çmimit për letërsi “Krijues i ri”.

Ai qysh në moshën 15-16 vjeçare kishe filluar të shkruante poezi dhe ndonjë prozë të shkurtër, ndërsa ishte vetëm 17 vjeçar, kur botoi vëllimin e parë me poezi dhe po punonte në përfundimin edhe të romanit të tij të parë.

Deliu gjatë shkollimit të mesëm, si nxënës shembullor dhe me aftësi mbi nivelin e moshatarëve të tij, u avancua për një vit shkollor, duke kaluar kështu direkt në studime të letërsisë.

I mishëruar me prozë e poezi, Deliu herët hyri në hullinë e letërsisë, siç thotë edhe vetë, i ndikuar shumë nga shkrimtari ynë Ismail Kadare.

Shkrimtarët edhe pëlqehen, por edhe kritikohen. Unë jam pëlqyer, e gjithashtu edhe jam kritikuar, për të njëjtën gjë: influencën e Kadaresë. Natyrisht që një shkrimtar nën të njëzetat nuk do të mund të krijojë model të vetin. por do ta fillojë krijimtarinë si përpjekje për t’i ngjarë një shkrimtari të madh të cilin e merr për model.

Në fillimet e mia ky shkrimtar ishte Ismail Kadareja, pikërisht sepse, janë veprat e këtij autori, që më tërhoqën ngadalë, nën magjepsjen e leximit, drejt letërsisë, më saktë, tentimit për të krijuar letërsi”, thotë ai për KosovaLive.

Më 2013, Deliu kishte promovuar vëllimin me poezi “Funerali i shiut”,  botuar nga shtëpia botuese “Onufri” në Tiranë, vëllim ky që u mirëprit nga audienca për ngërthimin në vete të një numri të madh vlerash letrare.

Me gjithë dëshirën që shkrimtari kishte për të shkruar një roman, ai i gëzohet faktit që libri i tij i parë përmbledh poezitë e tij ndër vite.

Në kohën e botimit të librit të parë ‘Funeralit të shiut’ që po bën tri vjet këtë vit, kam qenë 17 vjeçar. Në përgjithësi, është e vështirë që një i ri ta botojë librin e parë në prozë. Mendoj se proza është më e vështirë se poezia. Është një projekt afatgjatë që kërkon më shumë sesa frymëzim.

Unë isha 16 vjeçar kur kisha dëshirë ta botoja librin e parë, një roman. U bë mirë që s’e botova, sepse, më vonë e mora vesh se atëherë as që e kisha idenë si shkruhet romani, anipse lexues i pasionuar, por lexues i papjekur. Poezia ndërkaq, e duron edhe këtë farë ‘vrulli rinor’ që në prozë mund të të lajthisë”, thotë përKosovaLive 20 vjeçari nga Skenderaj, autor i dy librave, një vëllimi me poezi dhe një romani.

Kur jemi te romani duhet përmendur se ai kontaktin e parë me auditorin e gjerë lexues do ta ketë në Panairin e librit “Prishtina 2016”. Romani mban titullin “Puthësi i paligjshëm”, një fragment i të cilit si tregim i shkurtër është botuar edhe në revistën “Jeta e re”.

“Libri i dytë është një roman, por është roman më i shkurtër se ç’pritet kur quhet roman’. Është me numër dyshifror faqesh. Në botën e madhe të letërsisë has shumë absurde. Në librin tim, personazhi Ivan Shollohov, dënohet sepse e ka puthur të dashurën e vet jashtë orarit të lejuar (imagjinojeni, ekziston një orar të cilin e ka caktuar Partia në të cilin të lejohet të puthësh). Jam munduar të futem më thellë në marrëdhëniet e individit me politikën. Atë që komandon gjithçka, deri edhe identitetin e njerëzve dhe zakonet e tyre. Për më shumë, merreni librin”, shton Deliu në fund duke qeshur.

Pos shkrimeve, Deliut i pëlqen edhe kritika letrare. Ai mendon se mënyra se si një autor e përçon mesazhin ka më shumë rëndësi sesa ajo se çfarë ai mesazh thotë. Ai mendon se letërsia nuk duhet gjykuar si ”çka thotë” por si ”si e thotë”.

“Për mua, nëse autori moralizon bukur, lirisht le të moralizojë. Nëse ai shkruan një poezi ideologjike, por që është e bukur, le ta shkruajë. Për të qenë më i qartë: Në kohën e komunizmit letërsia është gjykuar nga sa është në vijën e Partisë. Sot ndërkaq, gjykohet nga sa është kundër vijës së Partisë së atëhershme.

Kritika shqiptare e ka ende problem ta kuptojë që edhe ky gjykim është thellësisht ideologjik, ka ndërruar vetëm pozicioni. Komunizmi, për mirë a për keq, ka krijuar edhe artin e vet.

Ka autorë të realizmit socialist që janë shumë të mirë (siç është, ta zëmë, Maksim Gorki), por natyrisht ka autorë të dobët të realizmit socialist. Duhet të jemi të hapur ndaj të gjitha modeleve të letërsisë”, thotë Azem Deliu.

 /Gresë Koca – Vajzat ngrisin zërin/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM