Build Skills with our trainings

Sign up now!

Perceptimi për fakultetin si “rrugëdalje e vetme për punësim” po ndryshon

Jan 24, 2017

Athua shumica e të rinjëve të Kosovës vazhdojnë të shohin fakultetin si rrugën e vetme për punësim. Përderisa Kosova, krahasuar me vendet evropiane, për arsye të ndryshme vazhdon të jetë ndër vendet me më së shumti të rinj që vijojnë studimet, duket se diç po ndërron.

Interesimi i nxënësve për të vijuar mësimin në shkolla profesionale, ndoshta si rrugë paksa më e shpejtë drejt një punësimi “të denjë”, që deri dje konsideronin se mund të arrihej vetëm me fakultet, është në rritje e sipër.

Faik Salihu, drejtor i Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, thotë se sivjet ka qenë viti i parë që numri i paraparë i nxënësve është plotësuar në qershor. Ndryshe, profilet në këtë shkollë janë ato për metalpunues, saldues, kontrollim kompjuterik i automjeteve, tekstil, trafik rrugor e hekurudhor.

Rreth 33.000 maturantë i janë nënshtruar testit të maturës në vitin 2016 në Kosovë, ndërsa në konkursin e hapur po në këtë vit, Universiteti i Prishtinës kishte hapur vende për gjithsej 8,954 studentë në afatin e parë, ndërkohë që rreth 9,300 studentë ishin regjistruar në universitetet tjera publike të Kosovës, e konsiderohet se rreth 20,000 studentë të tjerë regjistrohen në 25 universitetet private që ka Kosova.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin shkollor 2015/16, numri i gjithëmbarshëm i nxënësve në shkollat e mesme profesionale ishte 42,600.

Momentalisht Kosova ka rreth 60 shkolla profesionale që ofrojnë profile të ndryshme.

Njëra prej tyre, SHMLP “Shtjefën Gjeçovi” ka rreth 1,000 nxënës, 300 prej tyre vajza dhe interesimi i tyre kryesor është drejtimi i tekstilit, por ka edhe të tilla që janë të interesuara për transport rrugor.

Ka shumë nxënës të cilët gjatë kryerjes së praktikës profesionale nëpër kompani të ndryshme, mbesin aty si të punësuar.

“Është mirë që tani u ka rënë në mend edhe institucioneve të Kosovës se pa shkolla profesionale nuk bën, pa i nënçmuar gjimnazet apo shkollat tjera”, thotë drejtori Salihu.

Nxënësit e kësaj shkolle, të klasëve të X-ta dhe XI-ta paralelisht ndjekin mësimin dhe kryejnë praktikën në punëtoritë e shkollës, ndërkohë që ata të klasëve të XII-a praktikën e kryejnë nëpër biznese të ndryshme me të cilat shkolla ka marrëveshje.

“Që nga viti 2000, shkolla ka pasur donatorë të ndryshëm dhe tani shkolla ka bashkëpunim me Odën Zejtare të Dortmundit e cila i ka dhuruar shkollës shumë pajisje dhe për momentin është duke trajnuar 25 nxënës të cilët pas trajnimit 18 muajsh do të pajisen me çertifikata të vlefshme nëpër Evropë”, shtoi Salihu.

Shkolla ka bërë një hulumtim me nxënësit të cilët e kanë përfunduar klasën e XII-të në gjeneratën e vitit 2014-2015 dhe nga 135 maturantë të kësaj shkolle, 95 respektivisht rreth 75% e tyre janë punësuar.

Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore ishte 37.8%.Ndërkaq, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, kishte deklaruar se në periudhën janar-tetor të vitit 2015, ishin punësuar mbi 15,000 punëtorë të rinj.

Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Arsim (KEC), thotë se përkundër kërkesave në tregun e punës, për fat të keq shkollat profesionale nuk vlerësohen shumë.

“Ato cilësohen si një vend ku regjistrohen nxënësit të cilët nuk arrijnë të regjistrohen në gjimnaze. Shumica dërrmuese nuk shkojnë në shkollën profesionale me dëshirën e tyre, nuk shkojnë për t`u punësuar”, pohon ai.

Pupovci shton se është detyrë e shkollave profesionale që t`i përgatisin mirë nxënësit për profile si saldues, elektricistë, instalues të ujit, etj.,për të cilat ka kërkesa në treg.

Megjithatë, çështje më veti, sipas tij, është cilësia.

“Ka të tillë që shkojnë në ato drejtime, nuk marrin një cilësi të mësimit dhe nuk janë në gjendje të ushtrojnë profesionin, ose edhe nuk shkojnë fare në ato drejtime”.

Sipas tij, fakti se shumica e nxënësve të shkollave profesionale vazhdojnë studimet, paraqet një divergjim nga roli i shkollës profesionale, sepse roli i tyre është që t`i përgatisin nxënësit për tregun e punës.

Vjollca Sheremetaj, ish nxënëse e shkollës profesionale në Kijevë, tash studente e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës thotë se e ka pasur më të lehtë kyçjen në fakultet, si rezultat i njohurive bazë që i ka marrë në shkollën e mesme.

Ajo thotë se përkundër faktit që shkollat profesionale kanë për qëllim përgatitjen e nxënësve për tregun e punës, prapë gati të gjithë ata që dalin nga to drejtohen për në fakultet dhe thotë se nuk e sheh të domosdoshëm vazhdimin e studimeve nëse nxënësit arrijnë ta përvetësojnë profesionin gjatë shkollës së mesme.

Por, ajo për dallim nga numri në rritje i të rinjve që po shikojnë drejt kyçjes sa më të shpejtë në tregun e punës, është orientuar për studime.

Aktualisht Kosova ka katër institucione shkollore që konsiderohen Qendra të Kompetencës: një në Skenderaj, një në Malishevë, dy në Prizren. Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë dhe Shkolla e Mesme e Lartë Teknike “11 Maji” në Prizren janë po ashtu në rrugë, si pilotprojekte për t`u bërë Qendra të Kompetencës.

Liridona Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM