Build Skills with our trainings

Sign up now!

Përmes platformës ndëretnike të rinjtë formësojnë të ardhmen

Maj 23, 2019

Sipas një hulumtimi të organizatës joqeveritare Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, i publikuar në  dhjetor të  vitit 2015 – “Sa e njohin të rinjtë shqiptar dhe serb njëri-tjetrin”, 60.64% e të rinjve shqiptarë kanë deklaruar se kurrë nuk kanë takuar pjesëtarë të komunitetit serb, ndërsa 29.19% e serbëve nuk kishin takuar shqiptarë. Po ky raport thekson se arsyet pse të rinjtë shqiptarë dhe serbë nuk takohen janë pengesat etnike, gjuhësore dhe gjeografike.

Hulumtimi, në mos diçka tjetër, dëshmon se te të rinjtë e Kosovës ende ekzistojnë barriera, sidomos ndërmjet atyre të etnicitetit shqiptar dhe serb. Për këtë arsye në Kosovë është e nevojshme të krijohen programe dhe platforma të cilat i bëjnë bashkë të rinjtë  e të gjitha etniciteteve. Një platformë e tillë është edhe Asambleja e të Rinjve të Kosovës.

Në  qeshor të vitit 2017 me mbështetjen e organizatave të Kombeve te Bashkuara u mbajt Asambleja e të Rinjve të Kosovës. Kjo ngjarje kishte mbledhur 140 të rinj të moshave 15–29 vjeç  nga e gjithë Kosova për të ndarë idetë, shqetësimet dhe për të zhvilluar një platformë të përbashkët për rininë, paqen dhe sigurinë në Kosovë.

Kur Jana Minochkina, koordinatore e Programit për Rini, Paqe dhe Siguri në Misionin e OKB-së në Kosovë u kthye nga Asambleja Globale e OKB-së në Nju Jork në gusht 2016, ajo u bë e pasionuar me idenë për t’i sjellë këto mundësi për rininë kosovare. Një vit më vonë, në qershor 2017, ajo organizoi Asamblenë e parë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – së bashku me Misionin e OKB-së në Kosovë, UNDP, UNICEF dhe një ekip rinor multietnik që më vonë u bë UN Youth Task Force.

Sipas saj, Asambleja e Kombeve të Bashkuara në Kosovë u bë një platformë e mundësive për të rinjtë e Kosovës dhe një dëshmi se ëndrrat mund të realizohen.“Vetë ngjarja ishte një ëndërr”, thotë ajo.

“Pa marrë parasysh se cilit komunitet i takojnë, të rinjtë në Kosovë përballen me probleme të ngjashme – papunësi, përjashtim nga proceset vendim-marrëse, mungesë të arsimit cilësor dhe shumë të tjera. Në të njëjtën kohë, mbesin të ndarë – për shkak të gjuhës së ndryshme, narracionit historik, paragjykimeve dhe diskursit politik. Si pjesë më e madhe e popullatës, me aq shumë individë të ngritur, rinia kosovare ka potencial të fuqishëm të formësojë të ardhmen e vet dhe këtë do ta bëjnë më mirë nëse sfidave u qasen bashkërisht. Kjo porosi është në thelbin e Asamblesë Rinore të KB-së, që do të duhej të shikohej si platformë e mundësive për rininë e Kosovës – të zhvillohen personalisht dhe së bashku”, thotë Minochkina.

Hana Sahatqija, drejtuese e Programit për Zhvillim të Adoleshentëve në UNICEF thekson se qëllimi kryesor i organizimit të asamblesë rinore të Kosovës është që të reflektojë mbi progresin e implementimit të rrugëtimit të Kosovës drejt paqes dhe sigurisë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen të rinjtë e Kosovës.

“Qëllim tjetër është të ofrojë platformë më të madhe për të rinjtë e të gjitha komuniteteve të Kosovës, ku do të kenë mundësi të ndajnë eksperiencat, sfidat dhe të zhvillojnë zgjidhje të përbashkëta ndërmjet të rinjëve të të gjitha komuniteteve/religjioneve që jetojnë në Kosovë”, tha Sahatqija në një prononcim për KosovaLive.

Njëra nga pjesëmarrëset në këtë ngjarje, Dafina Krasniqi, nga komuna e Vushtrrisë, studente në Universitetin e Prishtinës, e shikon asamblenë e vitit të kaluar, ku mori pjesë për të parën herë, si një ngjarje unike sa i përket organizimeve për të rinjtë në vendin tonë.

“E veçanta e asamblesë është që takon të rinj nga komunitetet e ndryshme të Kosovës, të ofron mundësinë të propozosh ide dhe projekte që ne si të rinj të nacionaliteteve të ndryshme mund t’i realizojmë bashkë. Gjithashtu, kemi rast t’i ngrisim shqetësimet tona tek vendimarrësit vendor dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja në Asamble më ka dhënë mundësi të njoh të rinj të nacionaliteteve tjera dhe ka ndikuar që unë t’i largoj disa stereotipe dhe paragjykime që i kam pasur për minoritetet në Kosovë”, thotë Krasniqi.

Pjesëmarrësit në këto aktivitete, në dy edicionet e kaluara kanë pasur mundësinë të aplikojnë për grante të vogla të mbështetura nga UNMIK për të implementuar një ide të tyre në komunitet, e në projekte është kërkuar që të përfshihen pjesëmarrës të të gjitha etnive.

Njëra nga përfitueset e grantit ka qenë edhe Vesna Sekulić nga komuna e Leposaviqit, e cila bashkë me ekipin e saj realizoi projektin “No means No” në komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Leposaviqit.

“Nuk prisja ndonjë gjë të veçantë, e njihja një person dhe dëshiroja të njihja më shumë njerëz për të ndarë ide dhe për të biseduar. Ideja për të cilën biseduam në kafe, shkëmbimi i përvojave doli të ishte një përvojë e veçantë dhe ky projekt ishte i pëlqyer për organizatorët dhe kishim mundësinë ta paraqisnim atë edhe te publiku. Sa i përket organizimit, ishte gjithçka në rendin më të mirë. Ngjarje të tilla u japin mundësi  të rinjve për të qenë më aktivë në komunitetin e tyre. Është thjesht një mënyrë e shkëlqyer për t’u njohur me njerëz nga vende dhe religjione të ndryshme, por është një rekomandim që të gjithë të jenë mendje hapur,” shprehet ajo.

Kjo ngjarje që po mbahet për herë të tretë, sivjet organizohet më 24 dhe 25 prill dhe do të përmbajë debat me vendimarrës, ndarjen e përvojave të fitueseve të granteve të vitit të kaluar, disa punëtori simultane, panele interaktive me vendim-marrësit. Ngjarjen do ta nderojë me pjesëmarrjen e saj edhe e dërguara e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Rini, Jayathma Wickramanayakegjatë vizitës së saj të parë në rajonin e Ballkanit.

Ky edicion do të mbledhë më shumë se 200 të rinj dhe të reja, që do të kenë mundësinë që drejtpërdrejtë të ballafaqohen dhe të lobojnë me vendim-marrësit dhe zyrtarët publik të nivelit qendror dhe lokal.

Donjeta Jashari

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM