Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një infrastrukturë për shkencën jo edhe gjithaq miqësore ndaj grave

Kor 26, 2019

Gratë dhe vajzat ende vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të papërfaqësuara në shkencë, sidomos në vendin tonë.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore thotë se analizat statistikore tregojnë se përqindja e grave në nivelin e pjesëmarrjes në institucionet shkencore në literaturë dhe në hulumtime është shumë e ulët.

“Nëse i shikojmë të dhënat nëpër institucionet e rëndësishme shkencore dhe akademike, mund të shohim se në kryesinë e Akademisë së Shkencës dhe Arteve të gjitha pozitat udhëhiqen nga burrat. Po ashtu, shumica e anëtarve në këtë akademi janë burra. Nëse e krahasojmë akademinë dhe institucionet e tjera shkencore me qeverinë dhe sektorët e tjerë që konsiderohen si promotor të ndryshimit të këtyre vlerave shoqërore, shohim se mungesa e grave nëpër këto institucione është më e madhe. Rektorati i Universitetit të Prishtinës udhëhiqet nga burrat; në historinë e rektoratit nuk ka pasur asnjë rektore grua. Nga kjo shihet qartë se gratë studiuese janë në sistemet e ulëta, dhe kjo tregon se infrastruktura për shkencën nuk është miqësore ndaj grave”, thotë ajo.

Demolli thotë se nuk ka asnjë dyshim se statusi i grave në shkencë është i lidhur ngushtë me statusin që gëzon gruaja në shoqëri dhe shtron pyetejn nëse nuk do të duhej të ishin institucionet shkencoret mu ato që duhet t’i promovojnë këto vlera.

Zana Tabaku, bashkëthemeluese e kompanisë Appdec tregon për pjesëmarrjen e grave në sektorin e teknologjisë informative thotë se sipas disa statistikave të fundit, pjesëmarrja e grave në sektorin e teknologjisë informative sillet rreth 20 përqind.

“Kjo shifër mund të mos jetë qind për qind e saktë, marrë parasysh mangësinë e të dhënave statistikore në Kosovë në përgjithësi. Nëse nisem nga njohuritë e mia të sektorit, atëherë bindja ime është se pjesmarrja sillet me 22-23%. Sektori ynë ka qenë një ndër sektorët e rëndësishëm ku stereotipet gjinore janë thyer me po atë shpejtësi me të cilën janë ndërtuar. Mua më bën krenare fakti që përqindja e pjesëmarrjes së grave në sektorin e teknologjisë informative në Kosovë mund të jetë edhe më e lartë se mesatarja botërore”, thotë Tabaku.

Drejtimet shkencore në universitetet tona janë të përfaqësuara nga një numër i konsideruar i gjinisë femërore, por, fatkeqësisht për arsye nga më të ndryshmet, kur bëhet fjalë për gratë dhe për vajzat që zhvillojnë karrierë të qëndrueshme në shkencë, ky numër është shumë i ulët.

Studentja e Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës, Nurije Demalijaj thotë se arsyeja pse kishte zgjedhur këtë drejtim studimi ishte se kjo është një shkencë e aplikueshme dhe me zbatueshmërinë e saj zë vend të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në jetën e njeriut.

“Të qenit grua në shkencë është sfiduese. Si studente e mjekësisë disa qindra herë deri më
tani më është bërë pyetja se si do t’ia dal edhe me punën edhe me familjen. Sepse, sigurisht, në shoqërinë tonë llogaritet që përgjegjësia e familjes do të kalojë mbi mua, sepse jam vajzë/grua. Fatmirësisht, unë iu drejtova shkencës pa e bërë këtë llogaritje, apo për të thënë më mirë, duke e bërë llogaritjen ashtu siç duhet, që përgjegjësia në familje iu takon të dy gjinive njësoj, jo vetëm gruas”, thotë ajo.

Profesoresha e biologjisë në “Loyola Gymnasium” në Prizren, Arbesa Bllaca, konsideron se ne si shoqëri, jo çdoherë vlerësojmë punën dhe përfshirjen e grave apo vajzave në institucione të caktuara.

“Andaj, normalisht, që në fillimet e para nuk mund të vërehet një ndryshim drastik, por me kalimin e kohës, përkushtimi në punën hulumtuese si të dalë ndonjë punim
shkencor apo zbulim shkencor nga ndonjë grua apo vajzë, e cila edhe do ta “thyejë akullin” në aspektin e shkencës. Duke vlerësuar gjërat e vogla, ndërtojmë shkallë përmes të cilave edhe mund të arrijmë majat e suksesit”, thotë Bllaca.

Studimi dhe zhvillimi i karrierës në fusha shkencore është rrugëtim i bukur, por edhe sfidues, sidomos kur bëhet fjalë për gjininë femërore. E këtë e bënë edhe më të vështirë fakti i zhvillimit të një karriere shkencore, në një vend ku shkalla e përfshirjes së grave dhe mbështetja e tyre është e ulët dhe e pamotivuar.

Studentja Demalijaj thotë se të qenit qenit grua që punon në vendin tonë, do të thotë që ti je amvise e punësuar, sepse ke gjithmonë shtëpinë që të pret për t’i përfunduar punët.

“Ky është realiteti ynë që duhet ndryshuar nëse duam t’i shohim gratë në shkencë dhe kudo. Nëse 50% e popullatës janë gra, kjodo të thotë që kudo që mungon përfshirja e grave, në fakt mungon edhe përfshirja e 50% të kapacitetit intelektual të një shoqërie. Prandaj ne duhet ndryshimin ta bëjmë nga familja jonë, duke i rritur si vajzat ashtu edhe djemtë, duke i edukuar që ata janë të barabartë dhe që asnjë profesion nuk ka gjini… Dhe, më e rëndësishmja, të punojmë në emancipimin e një shoqërie, e cila nuk i jep profesionit nuanca gjinore, të kemi njerëz që nuk çuditen nëse si kirurge do të kenë një grua
ndërsa si dado do të angazhojnë një burrë”, thotë kjo kosovare e re.

Kreshnike Bruqi

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM