Build Skills with our trainings

Sign up now!

Barrierat për punësim nuk përfundojnë me hapjen e vendit të punës

Kor 30, 2019

Dafina Aliu, studente e vitit të parë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin AAB, shprehet e kënaqur me përzgjedhjen e saj dhe me entuziazëm pret vitin e ardhshëm, kur do të ketë edhe praktikë në kuadër të këtij programi të studimit.

“Pas përfundimit të studimeve do të konkurroj, pasi do të jem e përgatitur për të dalë në treg të punës, sepse nga praktika do të fitoj shumë përvojë për të ardhmen”, shprehet e bindur dhe optimiste Aliu.

Gjetja e një vendi pune vazhdon të jetë një sfidë e madhe për të rinjtë kosovarë.

Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), flasin se rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Shkalla zyrtare e papunësisë në vend arrin 30.9 për qind, shifër që kontestohet nga shumë organizata joqeveritare të cilat nivelin e përgjithshëm të papunësisë e shohin diku rreth 50 për qind.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gati gjysma e të rinjve të aftë për punë nuk kanë vend pune, meqë te të rinjtë e kategorisë moshore 15-24, shkalla e papunësisë arrin madje 55.3 për qind.

Problem më vete është diskrepanca që vazhdon mes nevojave të vërteta të tregut dhe aftësimit të kuadrove të ardhshme që do të punojnë në të. Studimet shpesh nuk përkasin me tregun e punës, e për këtë, mes të tjerash mund të fajësohet edhe mosorientimi në karrierë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Planin Strategjik për Arsimin në Kosovë (PSAK 2017/2021), i cili në shumë aspekte ndërlidhet drejtpërdrejt me agjendën e Arsimit, Aftësimit dhe Punësimit në Kosovë, ku edukimi, këshillimi dhe orientimi në karrierë kanë rëndësi në vendimmarrje për punë dhe për jetë.

Orientimi në karrierë nënkupton shërbime që synojnë të ndihmojnë njerëzit të çdo moshe dhe në çdo çast gjatë gjithë jetës së tyre për të bërë përzgjedhjen e profesionit, shkollimin dhe për ta menaxhuar karrierën e tyre.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) pohon se një fokus i veçantë në planin e saj për periudhën 2017/2021 është në fushën e arsimit profesional e konkretisht, në tregun e punës, gjë që në Kosovë nuk është e lehtë shkaku i mungesës së një ekonomie të qëndrueshme.

 “Bazuar në standardin profesional, është hartuar programi i shkollimit për profesionin këshilltar i karrierës, në nivelin e pestë të kualifikimeve sipas diplomës së njohur ndërkombëtarisht në 72 vende të botës, dhe tashmë grupi i parë i studentëve në Prishtinë dhe në Prizren është në përfundim të shkollimit”, thotë drejtoresha e Departamentit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në MASHT, Valbona Mjeku.

Busulla.com, platformë zyrtare e MASHT-it, promovohet si instrument për këshillim në karrierë dhe në tregun e punës, që korrespondon me platformën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) për hulumtimin e tregut të punës dhe është pjesë e digjitalizimit të proceseve.

Qendra e Inovacionit në Kosovë (ICK) përmes uebfaqes së saj i fton të rinjtë të aplikojnë në programet e saj që nxisin punësimin e të rinjve.

“Prej themelimit të Qendrës së Inovacionit në Kosovë (ICK) në vitin 2012 e deri më sot, kemi përkrahur 200 ndërmarrje fillestare dhe vazhdimisht ofrojmë trajnime për të rinjtë në vend. Është shumë e vështirë ta gjesh veten në treg të punës sepse vendet për punësim janë të limituara”, shprehet zyrtarja e programit të START-UP, Arta Ahmetaj.

Diskrepanca mes studimeve dhe nevojave të tregut, mosorientimi në karrierë nuk janë të vetmet barriera në gjurmimin e vendit të punës, aty ku ofrohet. Të sapodiplomuarit konsiderojnë se edhe kriteret e punësimit shpesh janë diskriminuese edhe nga fakti se për shumicën e vendeve të lira të punës kërkohet përvoja në punë.

Egzon Gashi, student i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë se atij iu dha mundësia e praktikës disa muajshe në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ku tash qe dy vjet edhe punon.

Sigurimi i përvojës paraprake dhe praktikës, që shpesh është kriter determinues për punësim, nuk është i lehtë për shumicën e të diplomuarve.

Studentëve të drejtësisë, para punësimit, u kërkohet ta përfundojnë një punë praktike njëvjeçare dhe të përgatiten për provimin e jurisprudencës.

“Është problem i madh. Përvojë pune në institucione mund të kryesh vetëm nëse ke ndonjë familjar të afërt. Pas përfundimit të studimeve do të konkurroj, por ne nuk jemi të përgatitur për të dalë në treg të punës”, tregon Shkurta Hodolli, studentja e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” .

Magbule Gashi

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM