Build Skills with our trainings

Sign up now!

Raportim i shpejtë në kohë pandemie, nga çdo vatër e infeksionit

Maj 26, 2020

Edhe sot po raportojmë nga Klinika Infektive, por në një gjendje emocionale më të mirë. Kjo pasi numri i të konfirmuarve me ‘Covid – 19’ është më i ulët, po ashtu edhe numri i pacientëve të shtrirë në këtë Klinikë është relativisht i ulët”, kështu po e nisë raportimin e 67-të me radhë, drejtpërdrejt nga Klinika Infektive, gazetarja e Radiotelevizionit të Kosovës, Jehona Zhitia.

Jehona Zhitia

Në këtë raportim të datës 19 maj, gazetarja Zhitia, më shumë po identifikohej nga zëri i saj, pasi fytyrën e kishte të mbuluar me maskë. Pikërisht maska, dorëzat dhe distanca fizike më e theksuar se zakonisht me të intervistuarin kanë karakterizuar të gjitha raportimet e saj muajt e fundit. Sigurimi i mjeteve mbrojtëse për raportim nuk ishte i lehtë as për Zhitinë si gazetare, ngjashëm si për të gjithë qytetarët. Megjithatë, kjo nuk e pengoi asnjëherë që të raportonte me kohë dhe në mënyrë profesionale për të gjitha zhvillimet e fundit për pandeminë.

“Në fillim, shumicën e mjeteve mbrojtëse i kemi siguruar vetë. Jam furnizuar në barnatore me maska, dorëza dhe dezinfektues. Ka pasur raste kur brenda ditës më janë dashur 5 maska, një më është siguruar nga puna, ndërsa 4 është dashtë me i ble vetë. Numri i maskave që kam përdorur gjatë këtyre ditëve ka kaluar 100”, thotë Zhitia për ‘KosovaLive’.

Akoma më sfiduese se mungesa e maskave, për Jehonën ishte distancimi nga fëmijët e saj për shkaqe të sigurisë.

“Kur Kosova ishte në ditët më kritike me pandeminë, unë kisha një distancim me fëmijët e mij. Unë e bëja shkaku i kujdesit, ndërsa ata e bënin nga frika se nëna e tyre mund t’i infektojë. Çdo ditë më thonin ta bëja testin, ndërkohë që unë mundohesha që të hyja në botën e tyre shpirtërore dhe t’i bindë se nëna e ka këtë profesion dhe nuk mund të tërhiqem”, rrëfen ajo.

Në Kosovë, testimet e para për ‘Covid – 19’ kishin filluar më 8 shkurt 2020, ndërsa deri më 23 maj 2020, janë konfirmuar 1.032 raste pozitive, me gjithsej 785 të shëruar dhe 29 raste të vdekjes. Pikërisht më 8 shkurt kishin nisur diskutimet për pandeminë edhe në redaksinë ku punonte Zhitia.

“Kam përcjellur sektorin e shëndetësisë për 10 vite dhe në momentin që ka pasur raste të dyshimta, nuk kam pritur nga redaktorët që të më kërkohet të merrem me këtë çështje, por u shpreha vullnetare për shkak se e dija që nuk është korrekte të tërhiqem në këtë kohë ndaj këtij sektori që e kam përcjellur gjatë. E mendoja sikurse në kohë luftë, kur ushtari tërhiqet nga fronti, dorëzohet përballë armikut, ndonëse këtë armik e kishim të padukshëm”, thotë ajo tutje.

Valmir Gallopeni

Për dallim nga Zhitia, gazetari në Radio Televizionin “Dukagjini”, Valmir Gallopeni, nuk ishte i profilizuar në fushën e shëndetësisë. Raportimet e tij nga terreni deri në muajin mars të vitit 2020 karakterizoheshin nga zhvillimet politike në vend. Madje, edhe më 13 mars, në ditën kur u konfirmuan dy rastet e para me ‘Covid – 19’ në Kosovë, ai ndodhej në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke raportuar për një takim që presidenti, Hashim Thaçi po e zhvillonte me kryeministrin tani në detyrë, Albin Kurtin.

“Nga 13 marsi ndërroi komplet edhe sistemi i raportimit për mua. Nga të raportuart për politikë, dalim në raportimin për shëndetësi. Të nesërmen, në televizionin ku unë punoj, kemi nisur një skemë të re programore, ekskluzivisht kushtuar ‘Covid -19’. Ky ndryshim ka qenë sfidues meqë shumica e gazetarëve në Kosovë janë gazetarë universal, jo të profilizuar. Sfidues ka qenë edhe vetë virusi, i cili ka qenë shumë i panjohur për ne”, tregon Gallopeni për ‘KosovaLive’.

Gallopeni nuk e mohon faktin se ai dhe kolegët e tij gazetarë kanë qenë të rrezikuar në terren dhe bartës potencial të virusit tek të tjerët. Megjithatë, përkushtimi ndaj profesionit bëri që ai për më shumë se dy muaj të raportonte thuajse çdo ditë nga zonat më të prekura nga virusi.

“Që nga fillimi i pandemisë, krejt Kosova ka qenë zonë e kuqe, zonë e rrezikshme sa i përket virusit ‘Covid – 19’. Frikë s’kemi pasur, por të rrezikuar kemi qenë për arsye se brenda ditës, kemi vizituar disa komuna për raportim prej secilës prej tyre”, rrëfen tutje Gallopeni.

Në gjithë këtë situatë, Gallopeni tregon sesi qytetarët nuk kishin pas aspak informacione për rrezikun nga ky virus. Ai është i bindur se mediat kanë pasur rolin kryesor në vetëdijësimin e qytetarëve në këtë aspekt.

“Kur kemi dalë në terren për herë të parë, në Komunën e Vitisë, kemi dalë me maska dhe dorëza. Ka pasur qytetarë që kanë ardh me u fotografu me ne, sepse ju ka dokë interesant fakti që i kemi vendosur. Madje, shumë herë kemi pasur kritika se po krijojmë panikë me maska e dorëza. Por, unë mendoj se bartja e maskës në lidhje direkte në edicione të lajmeve do duhej të merrej nga njerëzit si mesazh se si duhet të sillen në ambiente të hapura. Por, në terren problem ka qenë edhe bindja për ekzistencën e virusit, sepse një numër i madh i qytetarëve nuk besojnë në ‘Covid – 19’”.

Nga raportimi në terren, Gallopeni veçon një fakt që e ka habitur atë.

“Ajo që kemi vërenjtur ka qenë bashkëpunimi shumë i ngushtë mes partive politike në nivelin lokal. Ka ndodh që kryetari i një komune ka qenë i një partie, drejtori i shëndetësisë i një partie tjetër, kryesuesi i shtabit emergjent nga një partie tjetër. Por, të gjithë bashkë kanë vepruar si një trup i vetëm në parandalimin e përhapjes së pandemisë”, tregon ai tutje.

Këtë nuk mund ta themi edhe për partitë politike në nivelin qendror. Më 25 mars 2020, me 82 vota pro u rrëzua Qeveria ‘Kurti’, nga një mocion mosbesimi, të cilin e kishte iniciuar partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto zhvillime të papritura politike kishin bërë që edhe në kohë pandemie, mediat të mos e linin anash fushën e politikës. Kjo e bëri akoma më sfidues raportimin për pandeminë, pasi shumë nga mediat në vendin tonë, duke respektuar rekomandimet e institucioneve, tanimë po punonin me staf të reduktuar.

Ideal Gola

Njëjtë kishte vepruar edhe Agjencia e Lajmeve ‘KosovaPress’. Në një rrëfim për ‘KosovaLive’, redaktori përgjegjës në këtë medium, Ideal Gola, tregon se si arritën të balancojnë raportimin për politikën dhe pandeminë.

“Nga data 13 mars e deri më sot është bërë punë e madhe, sepse kemi mbuluar shumë ngjarje si Agjenci. E kemi trajtuar ‘Covid – 19’ në të gjitha fushat, duke filluar nga shëndetësia, e deri te pasojat që pandemia ka me lënë në sektorët tjera, si ekonomia, ku përfshihen gastronomia, turizmi, bizneset e vogla, etj. Po ashtu i kemi trajtuar pakot emergjente, sportin, kulturën, e çdo sektor tjetër që është prekur nga pandemia. Zhvillimet politike të kohëve të fundit na kanë vështirësuar punën, sepse jemi detyruar t’i ndjekim për të treguar se çka do të ndodh tutje”, thotë Gola.

Për qytetarët, shqetësimi kryesor nga këto zhvillime ka qenë se si do të vijojë menaxhimi i situatës në pandemi nga një qeveri në detyrë, me shumë më pak kompetenca ekzekutive. Ndërkohë që komuniteti i gazetarëve, përveç kësaj, kishin edhe shqetësimin, nëse institucionet përgjegjëse për pandeminë do të vazhdonin të ishin bashkëpunuese dhe të qasshme për mediat.

“Institucionet përgjegjëse në lidhje me pandeminë, si Ministria e Shëndetësisë, Qendra e Konvikteve që ishte shndërruar në karantinë, QKUK, kishin një person përgjegjës për media. Personalisht e kam pa si shumë të vështirë që një person të jetë përgjegjës për të gjithë këto instituticione. Megjithatë, bashkëpunimi është i mirë, por ka mundur të jetë edhe më mirë”, deklaron Gola.

Pavarësisht të gjitha këtyre sfidave dhe ndryshimeve gjatë pandemisë, Gola deklaron se mediat kanë arritur të ambientohen shpejtë me momentumin e ri në vend dhe të raportojnë me profesionalizëm të lartë për të gjitha zhvillimet.

“Jo vetëm në gazetari, por asnjë institucion nuk ka pasur përvojën e nevojshme për t’u përballur me pandeminë. Pavarësisht kësaj, raportimi ka qenë profesional, kemi respektuar etikën e gazetarisë, rekomandimet dhe udhëzuesit që kemi pasur për gazetarët në këtë kohë”, thotë Gola tutje.

Të kënaqur me raportimin e mediave dhe mbulimin e zhvillimeve më të rëndësishme për pandeminë janë edhe mjekët, ata që ishin në vijën e parë të fronit në luftën me pandeminë. Specialisti i Infektologjisë në QKUK, Valbon Krasniqi, tha për ‘KosovaLive’ se mediat kanë pasur rol të rëndësishëm me informimin e drejtë dhe në kohë reale për pandeminë.

“Mediat gjatë kësaj kohe kanë provuar të marrin informata të sigurta dhe të sakta, gjithmonë duke u konsultuar me ekspertë të fushës për të gjitha çështjet që kanë pasur të bëjnë me pandeminë ‘Covid – 19’. Nëpër studio televizive ka pasur ekspertë të shumtë të fushës, të cilët kanë dhënë informata dhe rekomandime për pandeminë. E po ashtu, shpesh ka pasur edhe raportime nga vendi i ngjarjes, për shembull nga Klinika Infektive”, shton Krasniqi.

Raportimi nga vendi i ngjarjes për zhvillimet në lidhje me pandeminë ka përbërë rrezik real për gazetarët, të cilët kanë qenë në krye të detyrës gjatë kësaj kohe. Kështu thotë kryetari i Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë, Imer Mushkolaj, sipas të cilit, me kalimin e kohës edhe nëpër media janë përmirësuar kushtet e sigurisë së gazetarëve gjatë raportimit në terren.

Megjithë rrezikun që iu është kanosur, deri më tani nuk ka pasur asnjë rast pozitiv me ‘Covid – 19’ nga gazetarët. Këtë për ‘KosovaLive’ e kanë konfirmuar edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, të cilët disa herë u kanë bërë thirrje gazetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shpërndajnë informacione të pavërteta për pandeminë.
Edhe Mushkolaj ka kritikuar disa nga mediat për publikimin e të dhënave personale gjatë pandemisë.

Për ligjëruesin në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Alban Zeneli, publikimi i këtyre të dhënave të personave të prekur me ‘Covid – 19’, i bënë ata viktima potenciale të stigmës shoqërore.

Meqë raportimet kanë qenë të shumta, ende nuk dihet nëse palët e përfshira në raportim kanë pasur ankesa në drejtim të mediave. Mushkolaj, në cilësinë e kryetarit të KMSHK-së ka bërë të ditur për ‘KosovaLive’ se të gjitha ankesat që kanë arritur gjatë pandemisë, pritet të shqyrtohen në mbledhjen e qershorit. Tutje, ai u ka bërë thirrje mediave që të vazhdojnë të respektojnë kodin etik gjatë raportimit.

“Gazetarët duhet t’i shmangen qasjes sensacionaliste në raportim dhe të ofrojnë informacion të saktë dhe të verifikuar. Raportimi në kohë krize nuk është i lehtë, lajmet e rrejshme dhe informatat e paverifikuara shtohen, ashtu si dhe ndjeshmëria dhe presioni. Andaj edhe kujdesi duhet të jetë shumë më i madh”, tha ai.

Mediat, të cilat vazhdimisht kanë raportuar për krizën, rrezikojnë që edhe vetë të bëhen pjesë e saj. Redaktori përgjegjës në Agjencinë e Lajmeve ‘KosovaPress’, Ideal Gola, uron që të mos ndodh një gjë e tillë, për shkak të ndikimeve të mëdha që mund të ketë pastaj edhe në cilësinë e raportimit.

“Kur një media nuk është aq e pavarur financiarisht, atëherë rrezikon t’i lëshohet një censure dhe rrezikon të rrëshqas nga misioni i vetë. Kam frikë që pas kësaj pandemie, mediat mos bëhen lehtë të kontrollueshme”, deklaron ai.

Edhe sipas ligjëruesit, Zeneli, pas pandemisë, ndoshta as e ardhmja e gazetarisë nuk do të jetë më e njëjta.

“Gjatë pandemisë kemi vërejtur që gazetarëve u janë kërkuar më shumë shkathtësi teknike, pasiqë shumë raportime direkte janë bërë edhe përmes telefonave dhe pajisjeve online. Këto shkathtësi besoj që tashmë do të kërkohen gjithnjë e më shumë nga pronarët e mediave, meqë paraqesin edhe ulje të kostos së punëtorëve për mediumet si biznese dhe lehtësojnë po ashtu investimet në teknologji. Impakt tjetër i rëndësishëm është edhe ndërpreja e versionit të printuar nga shumica e gazetave ditore në Kosovë, të cilat kanë kaluar në formatin online”, thotë ai.

Në lidhje me raportimet për pandeminë, këshillën kryesore, gazetarja, Jehona Zhitia, e cila për 10 vite të plota raportoi për fushën e shëndetësisë, ua drejton gazetarëve të rinj.

“Nuk ka rëndësi a e publikon lajmin 5 minuta më vonë, apo më herët. Rëndësi ka verifikimi i atij lajmi, mos të ngutemi për klikime, sepse mediat mund ta trazojnë një shoqëri të tërë në këto rrethana pandemie”.

Për autorin/en:

Artina Muçiqi ka përfunduar studimet bachelor në Universitetin e Prishtinës, Dega e Gazetarisë, dhe aktualisht është në përfundim të studimeve master në drejtimin ‘Gazetari dhe Kontakte me Publikun’. Aktualisht është gazetare/moderatore në Radio KFOR, ndërsa më parë ka punuar si gazetare në mediume të ndryshme, si Portali “Periskopi” dhe Agjencia e Lajmeve “KosovaPress”. Për disa vite ka qenë e angazhuar edhe në fushën e mjedisit, si zëdhënëse për media në organizatën mjedisore ‘Let’s Do It Kosova’. Kryesisht shkruan për tema që ndërlidhen me çështje politike, sociale dhe të drejtat e njeriut. Gjatë karrierës si gazetare është shpërblyerë me çmime të ndryshme. Më 2019, në ‘Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit’ është shpërblyerë me ‘Çmimin e Gazetarisë për Fuqizimin e Grave’ nga AGK, në partneritet me Zyrën e OKB-së në Kosovë, UN Woman dhe OSCE. Ndërsa, më 2017 e ka fituar çmimin për shkrimin më të mirë online për rolin e gruas në fuqizimin e ekonomisë në Kosovë, ndarë nga AGK dhe PPSE Program Swisscontact.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM