Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mediat dhe gazetarët kërkojnë zgjidhje për të ardhmen pas pandemisë

Maj 29, 2020

Efektet e pandemisë së koronavirusit tashmë po vlerësohen si të rënda dhe afatgjata për gazetarinë dhe mediat. Raporte vijnë nga shumë anë për kufizimet në punën profesionale, si dhe dëmet në funksionimin ekonomik për mediat e ndryshme.

Efektet e COVID-19 në ekonomi dhe biznese kanë goditur rëndë të hyrat nga marektingu i mediave në mbarë botën. Posaçërisht të goditura janë mediat e shtypura. Në Britaninë e Madhe, BBC raportoi se gazetat lokale luftojnë për mbijetesë, ndërsa The Financial Times shkruan se vetëm në Australi është raportuar se do mbyllen më shumë se 100 gazeta të shtypura.

Në Kosovë, gazetat kanë ndërprerë botimet e shtypura, dhe vazhdojnë punën vetëm online, ndërsa të hyrat nga marketingu kanë rënë në mënyrë dramatike. Një menaxher marketingu ka thënë se reklamimet në gazeta dhe televizione kanë rënë shumë, në disa raste edhe deri në 80 për qind.

Qysh në start të pandemisë, të përballur me situatën kur shitja e gazetës së shtypur nuk ka qenë e mundur për shkak të lëvizjes së kufizuar të qytetarëve si dhe mbylljes së pikave të shitjes, gazetat kanë ndërprerë botimin në letër, duke vazhduar punën vetëm me publikimin e lajmeve në internet.

Gazeta kryesore, Koha Ditore, ka dalur me botimin e saj elektronik, të cilin edhe e ka ofruar falas gjatë kohës së pandemisë. Si pasojë e vështiresive ekonomike, në disa mediume janë raportuar ulje pagash, ndërsa sipas një hulumtimi të kryer nga Instituti i Medias i Kosovës (IMK) disa media rrëzikojnë edhe mbylljen.

Në pakon e saj emergjente, të miratuar më 30 mars, Qeveria e Kosovës ka përfshirë të punësuarit në ndërmarrjet tregtare, ku përfshihen edhe ndërmarrjet mediale, duke ua subvencionuar pagat në vlerën prej 170 eurosh për muajt prill dhe maj, si dhe 50 % të qirasë për këta dy muaj. Megjithatë, kjo asistencë nuk është konsideruar e mjaftueshme nga komuniteti medial; Komisioni i Pavarur i Medias (KPM) ka kërkuar që mediat elektronike të lirohen nga taksat për licencë për vitin 2020, derisa IMK ka kërkuar që gazetarët dhe mediat të përfshihen në pakon emergjente të Qeverisë në një kategori me policët dhe mjekët.

Por, edhe me subvencionim afatshkurtër qeveritar, si dhe asistencë që ka nisur të ofrohet nga donatorët ndërkombëtarë, në afat të gjatë funksionimi i mediave në rrethanat e pandemisë është bërë pothuaj se i pamundur, gjë që nxitur shumë media të konsiderojnë nëse në të ardhmen do jetë e mundur të vazhdohet me edicionet e shtypura.

Në anën tjetër, derisa mbijetesa e mediave të shtypura në Kosovë vihet në dyshim, mediat online duket se kanë shumëfishuar audiencën. Shikueshmëria e debateve televizive që rregullisht transmetohen në interenet faqe dhe përmes rrjeteve sociale ka mbërritur numra rekord gjatë pandemisë.

Në botë, disa nga gazetat e etabluara që prej kohësh kanë investuar në edicionet e tyre elektronike me pagesë, tani shohin shpagimin e këtij investimi. Kështu, siç raporton The Financial Times (FT), në kohën kur virusi korona ka goditur shumicën e mediave, botuesit e disa prej tyre po përballen me shumë sukses, në disa raste madje edhe duke punësuar staf shtesë. Modeli i parapagimit online, i zhvilluar në dhjetë vitet e fundit nga gazetat The New York Times (NYT) dhe The Wall Street Journal (WSJ), është tregues për rrugën e mundshme përpara për gazetat.

FT Mark Thompson

“Kam qenë optimist kur kishim gjysmë milion parapagues. Tani kemi dhjetë herë më shumë se kaq, dhe ende jam optimist”, ka thënë për FT Mark Thompson, drejtori ekzektutiv i The New York Times-it.

Nëse kjo rritje do të mjaftojë që të tejkalojnë sfidën e krijuar nga virusi korona, mbetet të shihet, por botuesit e gazetave janë ballafaquar me problemet ekonomike dhe qëndrueshmërinë shumë kohë përpara pandemisë.

“Nëse nuk e ke rregulluar shtëpinë sa ishte moti me diell, tani është pothuajse vonë. Edhe përpara Covid-it kishte një destabilizim që ndikonte industrinë”, tha për FT Will Lewis, ish-drejtor ekzekutiv i Dow Jones, kompanisë botuese të gazetës The Wall Street Journal. “Të gjitha që menduam se do të ndodhin pas pesë apo dhjetë vitesh po ndodhin tani, në pesë apo dhjetë muaj”, thotë ai.

Por, puna e mediave nuk ka ndryshuar vetëm për shkak të efekteve ekonomike. Më shumë se kjo, pandemia ka ndikuar edhe në mënyrën e mbledhjes së informatave, komunikimin dhe raportimin e tyre. Gazetarët janë vënë në situatë të re me masat restriktive të lëvizjes, dhe kjo ka bërë që mënyra të reja të punës të kërkohen, për të arritur deri te informacioni.

Siç tregon në një bisedë telefonike gazetari britanik Tim Judah, koha e pandemisë ka pamundësuar udhëtimet dhe mbledhjen e informacioneve në vendin e ngjarjes, gjë që e bën raportimin jo të plotë, por jo edhe të pamundur.

“Gjatë kësaj kohe, i kam kryer të gjitha punët online, dhe kjo ishte e mundur pa ndodnjë problem”, thotë Judah. Por, ai shton se jo gjithçka është e njejtë. “Është e mundur të bëhet, por nuk është edhe aq e mirë. Në anën tjetër, është shumë më lirë”, thotë ai, duke treguar se kostoja e udhëtimeve reduktohet.

“Por, nuk është aq mirë sepse nuk mund të përcjellësh përshkrimet e vendeve, bisedat me njerëzit në rrugë, përshkrimin e kontekstit në të cilin ndodhin ngjarjet”.

Edhe Michael Martens, korrespondent shumëvjeçar nga Ballkani i gazetës gjermane Frankfurter Allegmeine Zeitung e sheh si mangësi të madhe detyrimin që informatat të mblidhen përmes bisedave telefonike apo me video-lidhje, në vend të takimeve personale me burimet.

“Unë besoj që bisedat telefonike nuk mund ta zëvëendësojnë udhëtinmin”, thotë Martens në një bisedë telefonioke, duke theksuar se shpreson që pasi të ketë kaluar pandemia, do të mund ti kthehet raportimeve prej vendit të ngjarjes.

“Kur udhëtimi të jetë i mundur sërish, do të ushëtoj, meqë as biseda më e mirë telefonike nuk e zëvendëson udhëtimin, për sa i përket mbledhjes së informacioneve. Sepse, udhëtimi nuk ka të bëjë vetëm me takimet zyrtare. Një bisedë me kolegun shoqëeruar nga një birrë në mbrëmje në Sofje, Bukuresht apo Prishtinë mund të jetë nganjëherë po aq apo edhe më shumë informuese se sa një intervistë zyrtare me kryeministrin apo presidentin, dhe të gjitha këto komunikime personale dhe joformale nuk janë të mundura tani”, thotë Martens.

Në Kosovë, gazetarët nuk kanë pasur kufizime në lëvizje, por megjithatë janë ballafaquar me problemet në komunikim për shkak të masave që kanë imponuar mbajtjen e distancës sociale dhe reduktimin e lëvizjes së popullatës në përgjithësi.

Në majën e krizës pandemike, është reduktuar shumë mundësia e intervistave me mysafirë në studiot televizive, duke bërë që shumë programe të përdorin vido-lidhjet me programe moderne kualitative, siç janë skype dhe zoom.

Mbetja e shumicës së qytetarëve të izoluar nëpër shtëpi po ashtu ka shtuar shikueshmërinë e emisioneve televizive si dhe të përmbajtjeve dhe transmetimeve online dhe përmes rrjeteve sociale, të cilat edhe kanë shtyer mediat të mendojnë më seriozisht për ndërtimin e një modeli ekonomik që gjeneron më shumë të hyra nga përmbajtjet elektronike dhe ato online, e më pak nga shtypi tradicional.

Sepse në Kosovë, sikur edhe në gjithë botën, virusi korona e ka ngritur rrëzikun nga një situatë që tashmë ka ekzistuar; shtypi tashmë ishte i rrëzikuar nga teknologjia e re, dhe pandemia vetëm e ka shtuar urgjencën e ballafaqimit me këtë fakt.

Por, ajo që pandemia e ka kthyer në fokus primar te publiku është edhe nevoja për informata të sakta dhe të verifikuara, duke e bërë qenësore edhe inistimin në standardet e gazetarisë profesionale.

Për autorin/en:

Agron Bajrami (lindur më 5 dhjetor 1967 në Prishtinë, Kosovë), është shef i deskut informativ në Grupin Koha dhe kryeredaktor i gazetës Koha Ditore. Ai ushtroi pozita të ndryshme gazetareske dhe redaktuese në gazetë që nga themelimi në 1997 dhe mori përsipër detyrën si kryeredaktor në shtator 2004. Bajrami është gjithashtu anëtar i bordit të Organizatës së Mediave të Evropës Juglindore (SEEMO), anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës  dhe kolumnist i kohëpaskohshëm në disa gazeta rajonale dhe evropiane. Agron Bajrami ka një diplomë në Arte të Bukura nga Universiteti i Prishtinës. Ai flet disa gjuhë, duke përfshirë: shqip, anglisht, serbisht dhe gjermanisht.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM