Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në paradën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, e organizuar për nder të 23-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.
Para të pranishmëve, Hoti tha se akti i rezistencës së armatosur të Adem Jasharit me familjen dhe Prekazin e tij heroik, i filluar në mëngjesin e hershëm të 5 marsit, 23 vjet më parë, dha frymëzimin e madh për t’i rezistuar një regjimi.
“Këto 3 ditë të rezistencës në Prekaz dhanë kushtrimin për popullin tonë për lirinë dhe pavarësinë, si dhe alarmin për qendrat e vendimmarrjes botërore për të ofruar mbështetje për të vërtetën e Kosovës dhe popullit të saj, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit perëndimor si dhe lirive dhe të drejtave fundamentale njerëzore”, tha kryeministri Hoti.
Kryeministri Hoti, potencoi se Adem Jashari dhe anëtarët e tij të familjes u bënë emblema e vërtetë e Ushtrisë së popullit, që para armëve kishin edhe më të fuqishme vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund misionit për çlirimin e atdheut, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.
“E nderuara Familje Jashari,
Znj, Osmani, ushtruese e detyrës së Presidentit,
Ministër Quni,
Gjeneral Rama, ushtarë, oficerë e nënoficerë të FSK-së
Të nderuar miq,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar të pranishëm,
Ju drejtohem sot në këtë datë unike të historisë tonë më të re; datë që shënon jo vetëm rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe 59 anëtarëve të Familjes Jashari, por edhe fillimin e fundit të robërisë shekullore.
Akti i rezistencës së armatosur të Adem Jasharit me familjen dhe Prekazin e tij heroik, i filluar në mëngjesin e hershëm të 5 marsit, 23 vjet më parë, dha frymëzimin e madh për t’i rezistuar një regjimi.
Këto 3 ditë të rezistencës në Prekaz dhanë kushtrimin për popullin tonë për lirinë dhe pavarësinë, si dhe alarmin për qendrat e vendimmarrjes botërore për të ofruar mbështetje për të vërtetën e Kosovës dhe popullit të saj, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit perëndimor si dhe lirive dhe të drejtave fundamentale njerëzore.
Adem Jashari dhe anëtarët e tij të familjes u bënë emblema e vërtetë e Ushtrisë së popullit, që para armëve kishin edhe më të fuqishme vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund misionit për çlirimin e atdheut.
Të nderuar të pranishëm,
Nga tradita jonë e lashtë, nga e cila na u bartën historitë tona, dëgjuam e lexuam rrëfime të shumta për të bëmat e figurave të shumta historike, por me një vlerësim racional mund të konstatojmë që rezistenca dhe sakrifica e Familjes Jashari mban një vend unik. Kjo rezistencë është unike si nga qëllimi, ashtu edhe nga vlerat, dhe nga mesazhi hyjnor se dinjiteti njerëzor e familjar, si dhe liria kombëtare, janë të shenjta.
Të nderuar ushtarë të Kosovës,
Me besnikërinë ndaj Kushtetutës së Republikës së Kosovës, FSK-së dhe eprorëve tuaj, duke bartur uniformën e FSK-së, ju jeni duke përmbushur një detyrë të lartë, atë të mbrojtjes së atdheut për të cilin sakrifikuam aq shumë si popull.
Ju sot po avanconi, po stërviteni e po operoni në mbrojtje të atdheut, për të mbështetur autoritetet qendrore e lokale. Unë ju them të vazhdoni në këtë formë, të ndihmoni qytetarët pa dallim, si dhe të jeni të gatshëm për të kontribuar fuqishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin kudo në botë.
Ju e dini mirë se sa i lartë është çmimi i lirisë. Realizojeni misionin tuaj, sepse kështu e përmbushni amanetin e mijëra heronjve, dëshmorëve e martirëve të atdheut.
Ju jeni shembulli i shërbimit vetëmohues pa menduar për mirënjohje apo përfitim. Çmimi më i lartë për ju është Nderi i Ushtarakut mbi vlerat e respektit, detyrës, besnikërisë, integritetit dhe guximit personal në gjithçka që bëni.
Duke jetuar dhe vepruar në përputhje me këto, ju më së miri nderoni sakrificën e Jasharajve, Prekazit, të gjithë të rënëve për Liri, Luftën e UÇK-së dhe rezistencën e të gjithë brezave të paraardhësve tanë.
Ju priftë e mbara!