Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi, kryeministri në ardhje, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjen Gruda me rastin e vdekjes së profesor Zejnullah Grudës.
Kurti ka thënë se profesori shquar Zejnullah Gruda ka qenë diplomat me kulturë, profesionist brilant, qytetar i ndershëm, intelektual i angazhuar, njeri fisnik, i cili na la në ditën e mësuesit, i tillë ishte mësues, për të gjithë ne që e njohëm, ka shkruar Kurti në faqen e tij në Facebook.
Profesor i shquar. Diplomat me kulturë. Profesionist brilant. Qytetar i ndershëm. Intelektual i angazhuar. Njeri fisnik. Zejnullah Gruda na la dje në ditën e mësuesit. i tillë ishte: mësues, për të gjithë ne që e njohëm; nuk mund të bisedoje me të a të lexoje nga ai pa mësuar diçka të rëndësishme prej tij.
Nga gjeopolitika botërore te e drejta ndërkombëtare publike, nga historia e Ballkanit e shekullit XX te të drejtat e njeriut në vendin tonë, nga analizat e mprehta politike te mbrojtja e territorit të Kosovës nga ‘demarkacioni’, kontributi i Prof. Zejnullah Grudës rron me ne, librat e tij do të jenë përherë nëpër bibliotekat tona publike e private, kurse kujtimi për të përjetë i pashlyeshëm.
Ngushëllime familjes, studentëve e profesorëve, dhe mbarë popullit tonë.