Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë ku kanë dhënë deklaratë duke thënë se kanë marrë me shqetësim informatat për shpërdorim të votave të kandidatëve të të gjitha partive politike, përfshirë dhe atyre të Aleancës.
Kryesia e AAK-së në postimin në Facebook kanë thënë se është e domosdoshme të rinumërohen të gjitha votat, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zbardhen të gjitha pretendimet për manipulim.
Deklaratë
– AAK përshëndet procesin zgjedhor dhe falenderon të gjitha strukturat, vëzhguesit e komisionerët që kanë kontribuar në rregullsinë e këtyre zgjedhjeve.
– AAK njëkohësisht, i ka marrë me shqetësim informatat për shpërdorim të votave të kandidatëve të të gjitha partive politike, përfshirë dhe atyre të Aleancës.
– E konsiderojmë tendencioze përpjekjen që të gjitha parregullsitë në zgjedhje t’i faturohen kryesisht AAK-së.
– Në situatën e krijuar konsiderojmë se është e domosdoshme të rinumërohen të gjitha votat, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zbardhen të gjitha pretendimet për manipulim.
– AAK kërkon nga organet e drejtësisë që të veprojnë në përputhje me ligjin e pa asnjë kompromis ndaj të gjithë atyre që kanë manipuluar me votën e qytetarit të Kosovës.