U.d. e presidentes, Vjosa Osmani me rastin e 40 vjetorit të demonstratave të ’81 ka kujtuar atë ditë ku studentët e Kosovës kanë shënuar fillimin e domonstratave të cilat ishin kthesë historike për Kosovën edhe më gjerë.
Refuzimi i pjatave në Mensën e Universitetit të Prishtinës nga studentët dhe thirrja për Republikë u shndërrua në kauzë jo vetëm për përmirësimin e pozitës politike të shqiptarëve, por edhe për shtetin, të cilin sot e gëzojmë, ka thënë ajo në postimin e saj në Facebook.
40- vjet më parë, më 11 mars 1981, refuzimi i pjatave në Mensën e Universitetit të Prishtinës nga rinia studentore e Kosovës, shënoi fillimin e demonstratave, të cilat ishin kthesë historike jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë.
Kjo revoltë “e bukës”, u shndërrua gradualisht në lëvizje rezistence për të drejta përmbajtësore politike për shqiptarët dhe shënoi fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Prej këtu, thirrja për Republikë u shndërrua në kauzë jo vetëm për përmirësimin e pozitës politike të shqiptarëve, por edhe për shtetin, të cilin sot e gëzojmë.
Ky shpirt studentor, mbajti gjallë përpjekjen për liri e pavarësi, për Republikën, të cilën e bëmë realitet dhe të cilën duhet ta forcojmë edhe më tej.
Si çdoherë studentët i kanë paraprirë ndryshimeve në Kosovë. Ky ndryshim tashmë është realitet, ndaj sikur dikur kur ishin studentët që na unifikuan në kërkesën tonë për shtet, sot kemi nevojë sërish për një unitet të tillë që ta forcojmë shtetin e Kosovës, ta lartësojmë imazhin e tij dhe ta bëjmë një vend perspektive për rininë tonë!