Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kapërcimi i mendësisë se i vetmi aktivitetet jashtëshkollor mbetet kafeneja

Pri 5, 2021

Aktivitetet jashtëshkollore janë mundësia më e mirë për të rinjtë që, në një mënyrë jo formale, të kenë mundësi të zhvillojnë pjesë të personalitetit të tyre si dhe të aftësohen në fusha që ata zgjedhin. Përherë na është thënë se shkolla formëson njeriun, mirëpo ekziston edhe pikëpamja që disa gjëra nuk t’i mëson shkolla. Ndaj, për të plotësuar këtë boshllëk, pjesëmarrja në aktivitete jashtëshkollore duket të jetë e vetmja zgjidhje.

Një prej të rinjve të paktë që vlerësojnë këto aktivitete është Jehon Aliçkaj, 18 vjeçar nga komuna e Deçanit, një i ri ekstrovert e i shoqërueshëm.  Qysh prej fillimit të gjimnazit është interesuar për të qenë më aktiv në shoqëri, pasi edhe vet është i ri që i pëlqen të mirret me diçka tjetër pos shkollës, ta sfidojë vetën edhe në fusha të tjera në të cilat jo medoemos ndihet rehat. Tash ai studion gazetari në Universitetin e Prishtinës, një profesion që e ka pëlqyer përherë.

Aliçkaj, me plotë pozitivitet, tregon për KosovaLive se pse e konsideron të rëndësishme pjesëmarrjen e tij në aktivitete të tilla.

“Aktivitetet jashtëshkollore janë shumë të rëndësishme pasiqë bëjnë shumë të rinj bashkë për aktivitete të ndryshme dhe kauza për të mirën e shoqërisë. Ato po ashtu ndihmojnë edhe në socializimin e të rinjëve”.

Por, në momentin kur ke dëshirë e potencial për të qenë pjesë aktive e shoqërisë, e rëndësishme është edhe të kesh hapësira ku ta ushtrosh këtë “profesion” të zgjedhur. Ai bën të ditur se sa e vështirë është mbajtja e aktiviteteve rinore në këtë komunë si pasojë e mungesës së infrastrukturës së përshtatshme.

“Është jashtë më se e vështirë. Kemi hasur në probleme për mbajtjen e trajnimeve sepse salla e ndarë për këto aktivitete ka qenë e zënë për shkak të mbledhjeve të ndryshme që ka organizuar kryetari i komunës. Bile shpesh trajnimet janë mbajtur me vonesë ose nuk janë mbajtur fare,” thotë Jehoni, përderisa përmes gjuhës së trupit shpreh edhe pakënaqësinë e tij.

Një tjetër e re që nuk e lë edukimin jo-formal pas dore është Lorenta Kadriu nga Fushë Kosova. Lorenta është një vajzë shumë optimiste dhe e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë. Ajo ka filluar me angazhimin e saj qysh prej vitit 2013 si pjesë e një grupi jo-formal “Respect our Rights” ku ka bërë monitorimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, e pastaj për të vazhduar me angazhime tjera, si në organizatën Balkan Sunflowers Kosova, SOS Fshati i Fëmijëve në Fushë Kosovë, Akademia e Veprimit Social, Partners Kosova, Qendra për Menaxhimin e Konflikteve dhe shumë grupe jo-formale dhe organizata qe promovojnë të drejtat e njeriut.

Kadriu ndjen keqardhje për pjesën më të madhe të të rinjve entuziastë që, edhe pse dëshirojnë të krijojnë një ambient pozitiv për njëri-tjetrin, pak prej tyre gjejnë rrugën e duhur për ta realizuar këtë qëllim. Ajo rrëfen për një rast nga ku ka parë vetë problemet e të rinjve.

“Mbaj mend gjatë një takimi me të rinj nga komuna e Ferizaj, duke shtjelluar temën e vullnetarizmit në Kosovë, shumë të rinj u shprehën se kanë dëshirë të bëjnë punë vullentare, të bëhen pjesë e një ndryshimi në komunitetin e tyre, mirëpo nuk kanë njohuri se ku të drejtohen dhe ndihen të ndrojtur për të kërkuar nga ndonjë organizatë apo grup jo-formal që të i bashkangjiten.”

Si sfidë të madhe Kadriu thekson faktin se ka shumë të rinj që jetojnë në zona rurale dhe si pasojë e mungesës së transportit nuk arrijnë të përfshihen në aktivitete rinore që organizohen në komuna të mëdha. Këta të rinj, sipas saj, nuk janë fokus i institucioneve qeveritare.

Ndërkohë nuk la pa përmendur edhe mungesën e Qendrave Rinore në Kosovë, e që ajo tregon se janë të rralla, dhe se si pasojë e kësaj mungeseje të rinjtë frekuentojnë kafenetë më tepër.

“Ndjej keqardhje se si të rinjve u mungon “shtëpia” e tyre ku ata mund të mblidhen, socializohen dhe zhvillojnë aktivitete shumë të mira së bashku në dobi të komunitetit ku ata jetojnë si dhe më gjërë,” përfundon rrëfimin Lorenta.

Gjysma e komunave pa Qendra Rinore

Qendrat Rinore janë hapësira ku të rinjtë mblidhen dhe diskutojnë, shoqërohen e organizojnë aktivitete rinore si dhe mbajnë trajnime relevante në lidhje me tema që i “prekin” vetë ata. Ligji për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë obligon çdo komunë që të sigurojë të paktën një Qendër Rinore në mënyrë që të rinjtë të udhëheqin dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre rinore, mirëpo të dhënat e fundit të Strategjisë për Rini të vitit 2017 tregojnë se në Kosovë ekzistojnë vetëm 19 qendra të tilla në 17 komuna, pra vetëm 51% e komunave kanë Qendër Rinore.

Një nga objektivat kryesore të listuara në Strategjinë për Rininë për vitin 2019-2023 është mbështetja e projekteve ose nismave për aktivizmin rinor në komunitet, ku thuhet se Departamenti i Rinisë ka planifikuar që t’i mbështesë me grante nismat e organizatave rinore të cilat rrisin edhe aktivizmin rinor në të gjithë vendin.

Mirëpo, zhvillimi i mirëfilltë fizik dhe social rinor në vend nuk mund të paramendohet pa infrastrukturën adekuate sikurse që janë Qendrat Rinore dhe terrenet rekreative dhe sportive, ndaj një nga synimet tjera të Departamentit të Rinisë është edhe ndihma financiare për ndërtimin e këtyre qendrave në komunat që nuk kanë mundësi financiare për të ndërtuar një të tillë.

Në Deçan ekziston një objekt i Qendrës Rinore që dikur ishte vend rekreativ i shumë të rinjëve të këtij rajoni, mirëpo tash e dy vite ka mbetur i zbrazët. Kjo hapësirë sado e vogël, e lokalizuar në ndërtesën e Pallatit të Kulturës “Jusuf Gërvalla” në Deçan, kishte shërbyer për realizimin e shumë aktiviteteve nga të rinjtë dhe për të rinjtë, ndërsa ka kohë që ka dalur jashtë funksionit.

Nga ana tjetër, Fitore Shala Hulaj, drejtoreshë për Ekonomi dhe Zhvillim në Komunën e Deçanit shprehet e pakënaqur me nivelin e interesimit të të rinjve për të zhvilluar aktivitete rinore. Ajo tregon se të rinjtë në Deçan nuk janë kërkues në këtë drejtim.

“Të rinjtë nuk kanë shpreh interesin të funksionalizojnë Qendrën Rinore. Nuk kanë zhvilluar ose nuk janë mbledhur ata si të rinj me zhvillua aktivitete, përveç disa aktiviteteve humanitare që i kanë zhvilluar. Mundësia është se nuk i kanë informatat e duhura, dhe nuk e kanë ndonjë person që i shtynë t’i realizojnë këto aktivitete,” thotë Shala Hulaj duke shtuar se të rinjtë që kryejnë aktivitete jashtëshkollore vlerësohen shumë edhe nga shoqëria.

Shala thotë se objekti i Qendrës Rinore, i vendosur në Pallatin e Kulturës në Deçan është menaxhuar nga organizata jo-qeveritare “Mbroj të Drejtat Tua”. Ka qenë një zyre e vogël me disa pajisje elektronike dhe disa tavolina, dhe se ekziston ende.

“Tani kjo zyre shfrytëzohet edhe nga vajzat e reja për aktivitetet e tyre në shah, por nga të rinjtë kërkoj që të shfrytëzojnë ketë zyre dhe të jenë më aktivë në shoqëri, të fillojnë të i kërkojnë gjërat vet e të mos presin nga të tjerët. Unë çdo herë do jem në përkrahje të tyre edhe si institucion komunal,” përmbylli bisedën ajo.

Vetëm 5% të të rinjve e shohin veten në aktvitetet në qendrat rinore

Në një hulumtim të kryer nga OJQ “Make a difference”, i përkrahur nga Fondacioni FES, tregohet se të rinjtë janë të pakënaqur me punën që bëjnë komunat në Kosovë për përfshirjen e të rinjëve dhe forcimin e politikave të tyre rinore. Nga ky anketim 36% e të rinjve mendojnë se nuk përkrahen, ndërsa 18% që nuk përkrahen aspak, në kundërshtim me 22% e të anketuarve që mendojnë se përkrahen pjesërisht dhe vetëm 7% e tyre që thanë se përkrahen mjaftueshëm.

Në komunën e Deçanit ka shumë të rinj që janë vazhdimisht të interesuar për pjesëmarrje, por përkrah kësaj, mungesa e aktiviteteve rinore në Deçan vërehet mjaftueshëm.

Duke e parë mungesën e aktiviteteve të tilla, organizata YMCA në Kosovë në dhjetor të vitit 2017 nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me komunën e Deçanit, bashkëpunim ky që vazhdon edhe tash në vitin 2020.

Sekretarja e përgjithshme e YMCA në Kosovë, Dorina Lluka-Davies, rrëfen se si ka shkuar procesi i sigurimit të një hapësire për aktivitete, e që nga rrëfimi i saj vërehet se ka qenë shumë sfidues.

Komuna neve na ka lejuar përdorimin e një hapësire, por ajo hapësirë ka qenë me orar të caktuar, dhe ka qenë e pamundshme për të zhvilluar aktivitete jashtë orarit. Ne kemi bërë kërkesë zyrarisht te komuna, por komuna ka vendosë që atë objekt të Qendrës Rinore që ka qenë e mbyllur në qels, ta hap galeri. Pra e ka vendosë në pikëpytje nëse YMCA duhet ose ka për të vazhduar në Deçan.

Ajo tregoi se gjatë vitit 2018 kanë pasur rreth 92 të rinj të Deçanit të angazhuar në aktivitetet e tyre, gjatë vitit 2019 gjithsej 65 të rinj, ndërsa në vitin 2020 kanë filluar me 28 të rinj por më pas aktivitetet janë ndërprerë si pasojë e pandemisë.

Lluka-Davies thotë  se në vitin 2018 në kuadër të YMCA është hartuar Plani i Veprimit Rinor Lokal, të cilin pastaj e kanë dërguar në kuvendin komunal të Deçanit për aprovim gjatë mbledhjes për caktimin e buxhetit, por ky plan nuk është aprovuar nga asambleja. Ajo rrëfen se si ka mbetur e shtangur kur dëgjoi këtë refuzim, dhe mbi të gjitha ndihej keq pasi në sallë ishin prezentë edhe shumë të rinj të interesuar.

“Për mua ka qenë një ndër momentet më të vështira në karrierë, me i pa anëtarët e asamblesë duke e refuzuar një plan i cili nuk ka kushtuar as 20,000 euro nga buxheti i përgjithshëm i komunës,” rrëfen ajo për KosovaLive.

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport në një raport të publikuar në shkurt të vitit 2017, ka bërë mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.03/L-145 për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë, ku ndër të tjera vërehet se edhe pse ligji obligon komunat të ndërtojnë qendrat rinore në vendin e tyre, ka raste kur nuk gjen zbatim në disa komuna të Kosovës.

Në këtë raport konstatohet se funksionimi i qendrave rinore në Kosovë dallon nga një komunë në tjetrën. Në komunën e Pejës, Rahovecit dhe Suharekës, Qendrat Rinore janë funksionale ku realizohen shumë aktivitete nga të rinjtë. Në anën tjetër në komunën e Klinës, Skenderajit dhe Kamenicës, këto qendra ka kohë që kanë dalur jashtë funksionit.

E gjetur tjetër është se funksionimi i Qendrave Rinore në Kosovë varet shumë nga ndihma e donatorëve të huaj, sepse ato që funksionojnë vetëm nga përkrahja e institucioneve lokale nuk janë mjaftueshëm të qasshme.

Në një studim të Fondacionit FES për periudhën 2018/19 që kishte targetuar rreth 10 mijë të rinj të moshës 14-29 vjeç, të rinjtë ishin pyetur rreth mënyrës se si ata e kalojnë kohën dhe me çka merren gjatë ditës. Shumica e të anketuarve kishin thënë se zakonisht kalojnë kohë me familjen, dalin në kafe me shoqëri, dëgjojnë muzikë e shikojnë filma, ndërsa vetëm 4% e tyre ishin përgjigjur se kalojnë kohë në qendra rinore shpesh, e 1% shumë shpesh.

Edhe në komunën e Drenasit ekziston një objekt i Qendrës Rinore që ende nuk është bërë aktiv nga komuna, rrjedhimisht nuk është i qasshëm nga organizatat e as nga rinia. Ky objekt është në renovim nga komuna dhe aktualisht nuk ka asnjë datë të saktë se kur do të hapet, tregon drejtori ekzekutiv i Youth Center Drenas, Avdyl Gashi.

Gashi i konsideron Qendrat Rinore shumë të rëndësishme, madje ai mendon se këto qendra duhet të shërbejnë si hapësira rekreative rinore ku të rinjtë të mund të zhvillohen si në aspektin personal psikologjik, sociologjik e profesional. Sipas tij, rinia është shumë e entuziazmuar dhe e vullnetshme, por që pengohet shumë nga politika, duke thënë se ato synojnë “ta mbysin” aktivizmin e shoqërisë civile në përgjithësi, e atë rinor në veçanti.

“Në forma të ndryshme, duke i siguruar punësim nëpërmjet partisë, ose duke i ofruar favore jolegjitime, partitë i mbajnë afër vetes, shpresëmbytur, shumë të rinj e të reja,” shpreh ai.

Ai po ashtu thotë se në komunën e Drenasit, në sytë e kryetarit të komunës, të rinjtë nuk shihen si prioritet, sidomos nëse marrim parasysh investimet e bëra gjatë këtij mandati nga kryetari Lladrovci, ku si shembull, zona e Komoranit ka mbetur pa asnjë objekt rekreativ e sportiv.

“Fatkeqësisht, për rininë pushtetarët kujtohen vetëm në aktivitete simbolike si Dita Ndërkombëtare e Rinisë, ndonjë ditë të pastrimit, ku shpërndahen disa majica dhe bëhen një ton fotografishë të cilat pastaj përdoren përgjatë tërë vitit në rrjete sociale, ose në raporte të ndryshme,” përfundoi Gashi.

Mirëpo në organe më të larta udhëheqëse shfaqet një perspektivë tjetër.

Zyrtarja e Lartë për Edukim Jo-formal në Kosovë, Flora Salihu, aktivitetet jashtëshkollore i konsideron të një rëndësie të veçantë në formimin, emancipimin dhe përgatitjen e një të riu për të ardhmen, si në tregun e punës ashtu edhe në sfera të tjera të përgatitjes profesionale.

“Me të vërtetë edukimi jo-formal është po aq i rëndësishëm sa vetë edukimi formal në gjithë botën. Ka një rëndësi të veçantë në formimin dhe krijimin e personalitetit, si dhe përgatitjes për punë, pasi edhe tek ne puna praktike llogaritet si përvojë punë”.

Salihu sugjeron se edhe pse përkrahja që u ipet të rinjve nuk është në nivelin që kërkohet, prapëseprapë kjo përkrahje është në rritje e sipër në sektorin e rinisë, ku është rritur fokusi në aktivitete të ndryshme jo-formale që kanë karakter të punësimit, ndërmarrësisë e shumë aspekte të tjera zhvillimi.

Rexhep Kameraj

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM