Kosova si shumë vende në rajon dhe botë, po përballet me vatra të shumta të zjarreve, të ndryshme për nga intensiteti apo natyra. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme vazhdon të koordinojë të gjitha veprimet e institucioneve reaguese në terren dhe përkundër vështirësive evidente, situata mbetet stabile dhe vatrat e zjarrit janë nën kontroll.
Sveçla në postimin e tij në Facebook ka thënë se MPB me Agjencitë e saj, në bashkëpunim me pushtetet lokale, FSK-në dhe KFOR-in, do të vazhdojë të qëndrojë në krye të detyrës për të garantuar angazhimin maksimal në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve në të gjitha lokacionet e kapluara nga zjarret.
Në rrethana të këtilla, sfidat janë të lloj-llojshme, por ajo çfarë e vështirëson tutje angazhimin tonë të përbashkët është mungesa e komunikimit dhe koordinimit të duhur të të gjitha hallkave të sistemit si dhe paqartësitë e kompetencave si të nivelit lokal ashtu edhe atij qendror. Marrë parasysh se ndarja dhe përmbushja e detyrave të secilit veç e veç, si dhe përgjegjësia dhe udhëheqja e duhur nga institucionet kryesore bartëse është parakusht i suksesit, unë në vazhdimësi jam duke takuar të gjithë akterët e përfshirë në luftën tonë kundër një numri relativisht të madh të zjarreve.
Me këtë rast, sot vizitova Agjencinë për Menaxhimin Emergjent (AME) ku përveç drejtorit takova edhe menaxhmentin, të cilët më raportuan për gjendjen aktuale dhe angazhimin e tyre konkret. Ndër të tjera u njoftova për vështirësitë si mungesa e personelit dhe paisjeve tek shërbimi i zjarrfikësve po ashtu edhe paqartësitë e shumta ligjore në këtë fushë. Nga drejtori dhe menaxhmenti i kësaj Agjencie kam kërkuar marrjen e të gjitha përgjegjësive dhe kompetencave sipas ligjit dhe përmbushjen e detyrave që iu takojnë.
MPB me Agjencitë e saj, në bashkëpunim me pushtetet lokale, FSK-në dhe KFOR-in, do të vazhdojë të qëndrojë në krye të detyrës për të garantuar angazhimin maksimal në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve në të gjitha lokacionet e kapluara nga zjarret.
Ftoj qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të mos ndezin zjarre sepse përveç ndëshkimeve sipas legjislacionit në fuqi, po rrezikojnë edhe jetën dhe pronën e banorëve përreth.