Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë përgjigje pozitive nga përfaqësuesit e BE-së lidhur me kërkesën për monitorimin e zgjedhjeve lokale.
Një kërkesë të tillë, presidentja Osmani e ka bërë në letrën e dërguar më 18 qershor 2021, në adresë të kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, si dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell. Që të dy zyrtarët e lartë të BE-së i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së presidentes Osmani.
Për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare, në të cilat Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve është përbërë nga një numër i vogël ekspertësh, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, BE-ja do të jetë prezente me mision të plotë të vëzhgimit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor.
Presidenti i Parlamentit Evropian, Sassoli, në letrën dërguar presidentes Osmani më 13 korrik e ka konfirmuar gatishmërinë e Parlamentit Evropian për të marrë pjesë në monitorimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, si dhe fillimin e menjëhershëm të procedurave përgatitore për këtë proces.
Ndërkaq në letrën e Borrell, të datës 17 gusht, bëhet e ditur se pasi që Parlamenti Evropian t`i nominojë përfaqësuesit e vet, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së do ta emëroj Shefin e Misionit, i cili bashkë me ekipin e ekspertëve do të arrijnë në Republikën e Kosovës gjatë javëve në vijim, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.