Kryetari i Grupit Paralamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri në një konferencë për media tha se themelimi i Komisionit Hetimor për energjinë është i pashmangshëm.
Tahiri theksoi se PDK në asnjë rrethanë nuk do të tërhiqet, e as nuk do ta korrigjojë kërkesën e saj lidhur me themelimin e këtij Komisioni.
“A nuk është normale që të ndodhë një hetim parlamentar për muajt shkurt, mars dhe prill që në emër të krizës energjetike janë shpenzuar qindra miliona euro dhe importi ka qenë në masë tepër të vogël? Pra, në muajin shkurt kemi importuar energji elektrike vetëm 2.47 për qind, në kohën kur është ngritur çmimi i energjisë elektrike. Në muajin mars kemi importuar energji elektrike vetëm 0.56 për qind, në kohën kur është dyfishuar çmimi i energjisë elektrike, dhe deri me 25 prill importi është 0.86 për qind. Pra, kemi shpenzuar qindra miliona euro për subvencionimin e energjisë elektrike dhe në anën tjetër importi nuk ka ndodhë. Gjithë konsumin e kemi mbuluar me prodhimin tonë vendor”, tha ai.
“Në asnjë rrethanë si Grup Paralamentar i Partisë Demokratike nuk tërhiqemi dhe në këtë Kuvend nuk do të ketë normalitet parlamentar pa u themeluar ky komision. Në anën tjetër, po na mohohet një e drejtë fundamentale e opozitës, që na e garanton Kushtetuta.”, shtoi Tahiri.
Tahiri tha se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë për më shumë se 12 vite në opozitë dhe asnjëherë nuk ka kërkuar të themelohet ndonjë Komison Hetimor për energjinë, dhe kjo është vetëm tendencë e tyre për bllokimin e kërkesës së opozitës për të mos lejuar zbardhjen e çështjes së shtrenjtimit të tarifave të energjisë, thuhet në komunikatën për media e PDK-së.




