Panairi i hapur me 22 agrobiznese që po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë synon promovimin dhe mbështetjen e grave në bujqësi dhe ofron produkte të shumëllojshme ku keni mundësinë t’i provoni për degustim.
Ky panair organizohet si pjesë e fushatës për mbështetjen e grave në bujqësi “Nga Ne, Për Ju”. Përmes kësaj ngjarjeje, qytetarëve, njëkohësisht konsumatorëve, ju mundësohet që të njihet me afër me punën sakrifikuese të këtyre grave dhe me sukseset e tyre, si dhe mund t’i mbështesin ato duke blerë produktet e preferuara.
Në tendat me produktet e shumta, vizitorët e panairit gjithashtu kanë mundësi të lexojnë apo të marrin me vete edhe një broshurë ku shpërfaqen tregimet e këtyre ndërmarrëseve në një formë më të afërt e më personale.
Në këtë ngjarje të organizuar sot në Prishtinë fjalë rasti kishin edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, u shpreh se “si ministër do të jem gjithmonë në mbështetje të zhvillimeve të tilla”, ndërsa Schaumberger theksoi se “jemi të kënaqur që shohim këto agrobiznese të udhëhequra nga gratë – biznese të zhvilluara dhe konkurruese”.
Në ngjarjen e organizuar për këtë qëllim fjalë rasti mbajtën Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës Donjeta Sahatçiu, drejtuesja e Agjencisë Austriake për Zhvillim në Kosove, Sandra Horina, si dhe organizata CVNP.
Organizata “EcoKosWomen” do të vazhdojë të mbështesë gruan kosovare me organizime të tilla, trajnime, e avokime dhe për të mbështetur barazinë gjinore, gjithëpërfshirjen sociale dhe zhvillimin e gruas në bujqësi.
Ky panair u realizohua nga organizata “EcoKosWomen” me mbështetjen e Projektit SIRED (Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës Ekonomik dhe Rural) nga Caritas-i Zviceran i cili financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC), dhe projektit SUNREED nga CNVP që financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SIDA), thuhet në komunikatën për media e ECOKOS.




