Sot, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtore, priti në takim zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i shoqëruar nga ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi.
Abdixhiku ka bërë thirrje strukturave të LDK-së në diasporë që të ndihmojnë në regjistrimin e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut Njëra prej shtyllave të platformës sonë politike është bashkëpunimi me partitë shqiptare në rajon dhe ky bashkëpunim është jo vetëm origjinal dhe tradicional por edhe i domosdoshëm për marrëdhëniet tona në të ardhmen.
“Bashkë me mikun e kahmotshëm z. Grubi biseduam për çështjet e rëndësisë së veçantë, jo vetëm partiake por edhe për relacionet e shqiptarëve të Kosovës me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Më lejoni të shpreh falënderimet më të thella për kontributin që klasa politike jep për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin e tyre. Ju bëj thirrje strukturave të LDK-së në diasporë që të ndihmojnë në regjistrimin e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ashtu siç jeni të njoftuar njëra prej shtyllave të platformës sonë politike është bashkëpunimi me partitë shqiptare në rajon, dhe ky bashkëpunim është jo vetëm origjinal dhe tradicional por edhe i domosdoshëm për marrëdhëniet tona në të ardhmen”, tha kryetari Abdixhiku.
Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi shprehu falënderimet e tij për mikpritjen. Më inkurajon mbështetja absolute nga strukturat e LDK-së në drejtim të regjistrimit të suksesshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ka thënë ai.
“Sot, kisha rast unik në kaq pak ditë nga zgjedhja e Abdixhiku në krye të partisë më të vjetër dhe më të organizuar të shqiptarëve, LDK-së, t’i uroj shumë fat dhe shëndet dhe t’i ofroj mbështetje në sfidat që i ka para vetes. Kam besim se do t’ia dalë, sepse, z. Abdixhiku përfaqëson frymën e re që po e kërkon gjithë spektri politik, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Më inkurajon mbështetja absolute nga strukturat e LDK-së në drejtim të regjistrimit të suksesshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Të drejtat politike të shqiptarëve varen nga ky regjistrim, i cili për ne nuk është vetëm proces statistikor por edhe politik, prandaj edhe jam sot në Prishtinë për të kërkuar mbështetje për projekte të përbashkëta, siç është ky i regjistrimit të popullsisë”., thuhet në komunikatën për media e LDK-së.